Nikaragua, qeveria takson lëmoshën e Kishës
R. SH - Vatikan
Qeveria e Managua zgjeron kontrollin publik mbi të gjitha aktivitetet në Nikaragua, veçanërisht ato fetare. Pas arrestimeve të ipeshkvijve dhe meshtarëve, dëbimeve të rregulltarëve dhe murgeshave, anulimit të 1500 OJQ-ve, shumë prej të cilave janë katolike dhe përthithjes së aseteve të tyre, tani edhe vendosja e taksave për ato të ardhura që vijnë nga donacionet e besimtarëve të cilat u mundësojnë famullive kishtare, shkollavedhe institucioneve tjera të çojnë përpara veprimtaritë dhe nismat e rëndësishme në fushën arsimore, humanitare dhe fetare.
Ndryshime rrënjësore për Kishën
Në fakt, një nen ligji shtetëror që garantonte mbrojtjen fiskale për institucionet fetare u shfuqizua, falë kufizimit të pagesës së tatimit mbi të ardhurat dhe aktivitetet ekonomike. Tani, me vendimin aktual të qeverisë së Nikaraguas të gjitha Kishat e çdo emërtimi do t'i nënshtrohen një regjimi tatimor të ngjashëm me atë të sektorit ekonomik privat, i cili e bën qëllimin e veprimtarisë së tij fitim legjitim. Për këtë arsye, ofertat, lëmoshat dhe donacionet nga besimtarët do t'i nënshtrohen pagesës së tatimit mbi të ardhurat me në masën 10% deri në 30% për qind. Vlerësohet se eliminimi i përjashtimeve nga taksat mund të ketë një ndikim serioz në aftësinë për të financuar iniciativat dhe për të kryer transformimin e strukturave administrative me marrjen e detyrimeve të reja institucionale, si p.sh., krijimi i zyrave të kontrollit të menaxhuara nga publiku, certifikatat e kontabilistëve etj.
Shqetësimi i OKB-së
Kontrolli absolut publik mbi të gjitha aktivitetet e shoqatave, ekonomike apo jo, po zhvillohet në Nikaragua nën syrin vigjilent të komunitetit ndërkombëtar. Në veçanti, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, ka shprehur "shqetësim të thellë" për mbylljen e fundit të mbi 1,500 OJQ-ve, duke përfshirë "të paktën 700 OJQ fetare". Kështu pohohet në një deklaratë të organizmit të OKB-së, ku thuhet se iniciativa e qeverisë në fakt “sulmon lirinë e fesë dhe lirinë e asociimit”. Në veçanti, kërkohet që liritë themelore të personit të “garantohen dhe mbrohen”.