Papua Guinea e Re - nga fiset, në seminare: ndër pyje lulëzojnë gjithnjë e më shumë thirrje
R.SH. - Vatikan
Falë misionarëve sot Papua Guinea e Re i sheh seminaret të mbushura gjithnjë e më shumë çdo vit. Në vendin, që kufizohet nga Oqeani Paqësor, ka tre seminare të vogla: dy përgatitore dhe katër të mëdha. Sipas të dhënave zyrtare nga Dikasteri i Ungjillizimit (Seksioni për Ungjillëzimin e Parë dhe Kishat e reja të veçanta), në dy nga katër seminaret kryesore vitin e kaluar formues (2023/2024) kishte 159 seminaristë nga pothuajse të gjitha dioqezat e vendit. Vitin e kaluar - vetëm njëqind. Në vitin 2021/2022, shtatëdhjetë.
Veprimtaria e ungjillëzimit e organizuar nga misionarët në qytete, por edhe, veçanërisht, në fshatrat me kasolle e shtëpi me shtylla ndërmjet drurëve shekullorë dhe lumenjve të pafund, po jep fryte. Lajmi i Mirë dëshmohet çdo ditë në një shoqëri fshatarake, që jeton nga puna e arave. Të moshuarit, ose më saktë të mençurit, janë pakicë. Shumica dërrmuese janë familje të reja me disa fëmijë. Dhe është pikërisht më i riu, i magjepsur nga takimi me Krishtin, që kërkon të pagëzohet (për shembull, kohët e fundit u kremtuan njëzet e dy pagëzime, duke përfshirë të rritur, adoleshentë, fëmijë dhe të sapolindur, në kapelën e Shpirtit Shenjt, Seminari kryesor i Bomana, Port Moresby).
Pas sakramenteve të fillimit, vjen rritja në fe: e shoqërimi shpirtëror nga misionarët vazhdon aq, sa shumë nisin rrugën për t'u bërë meshtarë. Në seminare vijnë të rinj nga fise të ndryshme. Konteksti që krijohet është i larmishëm, gjë që mund të vërehet menjëherë. Në varësi të gjerësisë gjeografike ku janë rritur, seminaristët dallohen nga lëkura me ngjyrë më të hapur ose më të errët, e janë fizikisht më të aftë, ose më të hollë. Nëse lajmet e kohëve të fundit shënojnë disa përplasje ndërmjet fiseve të ndryshme, në seminare përkatësia etnike apo idetë për kontroll territori nuk i ndajnë zemrat.
Formimi i priftërinjve të ardhshëm i besohet Konferencës Ipeshkvnore (e cila i mbledh së bashku ipeshkvijtë e Papua Guinesë së Re dhe ata të Ishujve Solomone) edhe misionarëve, veçanërisht Verbitëve dhe Vinçencianëve, të cilët kohët e fundit morën edhe një mjet të çmuar për të orientuar punën e tyre: Ratio Nationalis Institutionis Sacerdotalis, miratuar kohët e fundit nga Dikasteri për Ungjillëzimin në bashkëpunim me Dikasterin e Klerit.
Lutja dhe mbështetja mbeten ende të nevojshme për këtë Kishë të re, e cila tashmë po ecën dhe po rritet e pavarur, me ndihmën e shumë misionarëve polakë, filipinas, australianë dhe indianë.