Papua Guinea e Re, ku misionarët japin dëshmi për Ungjillin
R.SH. – Vatikan
Në Papua Guinenë e Re, të cilën Papa Françesku do ta vizitojë nga 6 deri më 9 shtator, Kisha Katolike ka luajtur dhe luan një rol kyç në sektorët e arsimit dhe të shëndetësisë, të cilët përballen me sfida të shumta, për shkak të mungesës së mbështetjes nga qeveria. Át Sylvester Warwakai, eprori provincial i Misionarëve të Zemrës së Krishtit në Papua Guinenë e Re, foli për këtë me mediat e Vatikanit, duke pasur parasysh udhëtimin apostolik të Papës.
Mësimdhënie dhe ndihmë
Aktualisht, misionarët veprojnë në shtatë dioqeza, me veprimtari famullitare, mësimore dhe asistence. Shumica e famullive në të cilat shërbejnë kanë një shkollë të bashkangjitur, sepse, thekson Át Warwakai, shkollat janë themelore për zhvillimin e fesë katolike. Që kur Papua Guinea e Re fitoi pavarësinë në vitin 1975, ka një marrëveshje ndërmjet qeverisë dhe Kishës Katolike, me krijimin e Agjencisë së Edukimit Katolik dhe të Shërbimeve Shëndetësore Katolike, në bashkëpunim me Departamentin e Arsimit dhe me atë të Shëndetësisë. Misionarët nuk zotërojnë struktura, por punojnë në bashkëpunim me dioqezat, brenda kuadrit ekzistues.
Puna në zonat më të largëta rurale
Át Warwakai shpjegon se puna e Kishës është veçanërisht e rëndësishme në zonat rurale, që janë të vështira për t'u arritur, pa shërbime qeveritare. “Nuk punojmë në rajonin malor brenda Papua Guinesë së Re, por kemi misione në shumicën e zonave rurale të vendit. Aktualisht dy nga famullitë tona në rajonet malore të dioqezës së Bereinës dhe Keremës janë, përkatësisht, famullia e Shën Gjon Vianejit, Tapini dhe ajo e Zemrës së Krishtit, Bema”. Misionarët kanë shkolla, si fillore, ashtu edhe të mesme, por edhe struktura shëndetësore: “I referohen Sekretariatit për Arsimin Katolik dhe Shërbimet Shëndetësore Katolike të të dyja dioqezave, por administrohen nga meshtarët dhe sivëllezërit tanë. Për shkak të keqësimit të kushteve rrugore, i vetmi mjet transporti për të arritur në dy famullitë malore është avioni”.
Mungesë financimi dhe mbështetjeje
Rregulltari nënvizon faktin se gjatë njëzet viteve të fundit “shërbimet shëndetësore dhe sistemi arsimor kanë dështuar, sepse ka shumë pak mbështetje nga qeveria përsa u përket ndihmave për institucionet e drejtuara nga Kisha, veçanërisht për shëndetësinë dhe arsimin. Nganjëherë këto ndihma nuk arrijnë në kohë dhe shkollat mbyllen”. Përsa u përket strukturave shëndetësore, Át Warwakai shpjegon se nganjëherë nuk arrijnë as fondet e qeverisë, që nevojiten për blerjen e barnave. Kështu, "njerëzit vdesin nga sëmundje të shërueshme". Shpesh, shton ai, këto struktura detyrohen "të merren vetëm me disa raste shumë kërcënuese për jetën, si p.sh. me nënat që lindin, ose me ndokënd, që mund të vdesë nga malaria".
Problemet, sfidat dhe dëshmia e Ungjillit
Misionari shpreh shqetësimin për zvarritjen e problemit të mbështetjes financiare në qytete dhe në zona të tjera rurale. Për të zgjidhur disi këtë mungesë mbështetjeje, Misionarët e Zemrës së Krishtit u shërbejnë "jo vetëm katolikëve, por edhe gjithë popullsisë”, pavarësisht nga feja, sidomos në fushën e shëndetësisë, ku Kisha vazhdon të jetë "dëshmitare e vlerave të Ungjillit". Át Warwakai shpreh mirënjohjen për mbështetjen e marrë nga Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Papua Guinesë së Re dhe e Ishujve Solomon, si edhe nga kongregatatat e ndryshme fetare dhe nga misionarët e pranishëm në vend. Pjesa më e madhe e ndihmës, tregon ai, vjen nga jashtë, nga agjencitë në Australi dhe Evropë: "Improvizojmë me atë që kemi, megjithëse nuk është e mjaftueshme".
Në pritje të ardhjes së Papës Françesku
Duke u ndalur në udhëtimin e ardhshëm të Papës Françesku në Azi dhe Oqeani, në të cilin përfshihet edhe etapa në Port Moresby, kryeqyteti i Papua Guinesë së Re - me një ndalesë në qytetin e Vanimos, më 8 shtator - Át Warwakai thekson se prania e Atit të Shenjtë do t’u japë shpresë dhe optimizëm misionarëve, që shërbejnë në bashkësitë papuane. Rregulltari shpjegon se famullitë e kryedioqezës së Port Moresbit po përgatiten për udhëtimin e Papës me ushtrime shpirtërore dhe lutje. “Jemi krenarë, jemi vërtet të lumtur”, përsërit ai, duke kujtuar se hera e fundit që një Papë shkeli në Papua Guinea e Re ishte në vitin 1995, kur Shën Gjon Pali II shkoi atje për lumnimin e Pietro To Rot. Tani, me udhëtimin e Françeskut, brezat e rinj do të kenë mundësinë të përjetojnë afërsinë e një Pape tjetër e kjo “na jep energji dhe besim se nuk jemi harruar”, thekson Át Warwakai. "Jemi të lumtur, ka një ndjenjë bashkimi ndërmjet nesh dhe lutemi që ardhja e Papës të sjellë shpresë." E edhe "ndonjë ndryshim për liderët tanë".