Kërko

Polonia, 80 mijë besimtarë në këmbë, në shenjtëroren e Jasna Górës

Gushti është periudha e shtegtimeve në vendet e kultit marian: ndër ta spikat ai i "Zojës së Zeshkët" në Częstochowa. Solemniteti i Fjetjes së Shën Mërisë, më 15 gusht, është një nga pikat kulmore të lëvizjes së shtegtarëve.

R.SH. / Vatikan

Më shumë se 220 mijë shtegtarë arrijnë çdo vit në këmbë, në shenjtëroren polake të Jasna Górës. Këtyre u shtohen edhe rreth 200 grupe çiklistësh, 17 grupe vrapuesish, dy grupe patinazhi me rrota dhe madje, edhe një grup me kuaj: rreth 90 mijë vetë, që shkojnë për t’u lutur te Virgjëra Zeshkane, në vendin e famshëm të adhurimit të Częstochowa-s. Numri më i madh i atyre, që shtegtojnë në këmbë, vjen nga Tarnów, Radom, Krakov dhe Varshava.

Figurja e Zojës Zeshkane në shenjtëroren e Jasna Góras
Figurja e Zojës Zeshkane në shenjtëroren e Jasna Góras

Përtëritje shpirtërore

“Sigurisht që Polonia është njëri, nëse jo i vetmi, vend në botë, në të cilin përshpirtëria e shtegtimit vijon të kremtohet me kaq drevocion - shpjegon kryeipeshkvi Tadeusz Wojda, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Polake, për Radio Vatican – Vatican News. - “Ka të rinj, të moshës së mesme dhe të moshuar. Ata shtegtojnë, sepse kanë nevojë për përtëritje shpirtërore e edhe pse arsyeja për të cilën janë nisur, është besimi. Duhet të jemi të lum që dhjetëra apo edhe qindra mijëra njerëz në Poloni shtegtojnë, si në Jasna Góra, ashtu edhe në vendet e tjera të shenjta mariane”.

Shtegtarë të rinj
Shtegtarë të rinj

Përvojë feje

Koha e shtegtimeve në këmbë i ndihmon besimtarët të rijetojnë misterin e Kishës, të shohin se sa rëndësi kanë uniteti dhe bukuria e jetës komunitare në përvojën e fesë. "Koha e lodhjes nga shtegtimi për mua është ushtrim shpirtëror në një udhëtim unik; nuk është vetëm manifestim publik i fesë, por edhe përvojë shpirtërore, që e drejton zemrën time drejt kthesës", thotë Edyta Jurkowska-Wajszczuk, shtegtare e Dioqezës së Siedlce. “Flijimet e përditshme, pjesëmarrja në meshën shenjte, dëgjimi i konferencave, lutjet e përbashkëta: të gjitha këto e drejtojnë njeriun kah rruga e kthimit”.

Besimtarët polakë në shtegtim
Besimtarët polakë në shtegtim

Tradita shekullore

Zanafilla e shtegtimeve në shenjtëroren e Jasna Góra-s është e lidhur me kultin e Nënës së Zotit. Që nga shekulli i 17-të, shtegtimet janë bërë element i rëndësishëm i fesë së polakëve. Shtegtimi nuk u ndal as gjatë ndarjeve të Polonisë dhe as gjatë Luftës II Botërore. Edhe Papa Françesku e vizitoi Jasna Góra-n, në gusht 2016, gjatë Ditës Botërore të Rinisë, në Krakov.

Zoja Zeshkane në shenjtëroren e Jasna Góras
Zoja Zeshkane në shenjtëroren e Jasna Góras
16 gusht 2024, 10:17