Kërko

Giovani congolesi insieme a padre Albert Joubert, uno dei quattro martiri che sarà beatificato il 18 agosto a Uvira Giovani congolesi insieme a padre Albert Joubert, uno dei quattro martiri che sarà beatificato il 18 agosto a Uvira

RD Kongo, në Uvira, lumnimi i tre saverianëve dhe një prifti, vrarë në vitin 1964

Më 18 gusht do të lumnohen Vittorio Faccin, Luigi Carrara e Giovanni Didonè, rregulltarë të Shoqërisë së Mëshirshme të Shën Françesk Saverit për misionet e huaja, si dhe Dom Albert Joubert, prift kongolez, vrarë gjatë rrebeshit të tensioneve politike dhe sociale, luftimeve për pushtet dhe luftërave fisnore tipike për tokën kongoleze pas pavarësisë nga sundimi belg. Edhe pse jeta e tyre ishte në rrezik, vendosën të qëndronin, për t’ua çuar njerëzve Ungjillin.

R.SH. / Vatikan

Dioqeza e Uvirës, ​​në Republikën Demokratike të Kongos, u përgatit me tri ditë lutjesh dhe dy ditë konferencash për lumnimin e tre misionarëve italianë saverianë: Luigi Carrara e Giovanni Didonè (priftërinj), Vittorio Faccin (rregulltar) dhe meshtari dioqezan franko-kongolez, Albert Joubert, të vrarë më 28 nëntor 1964 në Baraka dhe Fizi, nga urrejtja për fenë!

Kremtimi do të mbahet në Uvira nesër, më 18 gusht, në orën 9 të mëngjesit, në hapësirën përballë Katedrales së Shën Palit dhe do të kryesohet nga përfaqësuesi i Papës, Kardinali Fridolin Ambongo Besungu, Kryeipeshkëv i Kinshasës.

Situata socio-politike

Katër martirët qenë viktima të qëndrimit ateist dhe antifetar që karakterizoi Republikën Demokratike të Kongos në fillim të viteve gjashtëdhjetë. Pasi fitoi pavarësinë, pas 60 viteve të sundimit belg, vendi u kthye në skenë të tensioneve politike dhe sociale, luftimeve për pushtet dhe luftërave fisnore, të nxitura nga Perëndimi kapitalist, Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Patrik Lumumba, kryeministër i kombit, u ndodh në krye të një territori të paqeverisshëm, me një ushtri të pakontrollueshme.

Koloneli Mobutu Sese Seko e ekzekutoi dhe, pas një sërë ngjarjesh, mori pushtetin absolut. Në vitin 1963 Pierre Mulele, ish-ministër i qeverisë Lumumba, i cili u kthye në Kongo pas një periudhe indoktrinimi ideologjik dhe edukimit ushtarak në Kinë, organizoi një lëvizje revolte kundër strukturave qeveritare dhe çdo pranie evropiane. Guerilasit e tij e quanin veten Simba, që në gjuhën suahili do të thotë luanë dhe i përmbaheshin fesë tradicionale, me rite fisnore dhe animiste. Në radhët e tyre kishte shumë fëmijë, të cilët, nën ndikimin e alkoolit dhe drogës, e të bindur nga shamanët se ishin të paprekshëm, kryen krime të tmerrshme, duke i konsideruar armiq të mposhtur ish-kolonizuesit, Kishën dhe politikanët kongolez properëndimorë. Vendet e kultit të krishterë u plaçkitën, tabernakujt dhe figuret shenjte u dhunuan dhe simbolet fetare u shkatërruan. Në këtë klimë, ndërsa shumica e misionarëve katolikë dhe protestantë u larguan nga vendi, Saverianët vendosën të qëndronin për të vazhduar predikimin e fjalës së Krishtit në bashkësitë vendase.

Kisha e ndërtuar në Barakë nga Xaverianët
Kisha e ndërtuar në Barakë nga Xaverianët

Martirizimi i rregultarit Saverian dhe i At Joubert

Tre rregulltarët e Shoqatës së Devotshme të Shën Françesk Saverit për misionet e huaja dhe Atë Albert Joubert u vranë në të njëjtën ditë, më 28 nëntor 1964. Në Baraka ishte ora 14:00 kur përpara famullisë së Zemrës së Papërlyer të Marisë u ndalua një xhip ushtarak. Në të, një nga krerët e rebelëve, Abedi Masanga, i cili e ftoi vëllaun Vittorio të hipë në xhip. Rregulltari refuzon dhe vritet. Pasi dëgjon të shtënat, Atë Luigi, i cili po rrëfente, del përjashta kishës. Urdhërohet të shkojë në xhip, por ndërsa shikon vëllain e tij të vdekur, ulet në gjunjë para tij. “Nëse do të më vrasësh, dua të vdes pranë tim vëlla” - i thotë  Masangës, i cili e qëllon pa pikën e ngurrimit! Trupat e dy rregulltarëve copëtohen tmerrësisht, më pas Masanga niset drejt Fizit, ku mbërrin në mbrëmje. Këtu, kundër këshillës së mulelistëve që kontrollonin misionin dhe që mbronin etërit saverianë, arrin në famulli, hyn në shtëpinë e rregulltarëve, pa i përfillur ushtarët në roje dhe vret Atë Giovannin dhe Atë Albertin.

Katër jetë, në shërbim të të tjerëve!  

Vëllai Vittorio Faccin, 30 vjeç, ishte njeri i dhembshur, që kujdesej veçanërisht për të sëmurët dhe për më të pafatët; Atë Luigi Carrara, 31 vjeç, shquhej për guximin, besimin dhe përkushtimin e edukimit dhe kujdesit shpirtëror të komunitetit; Atë Giovanni, 34 vjeç, shquhej për shërbimin dhe dashurinë e tij të palodhshme për më nevojtarët dhe në Fizi ishte shtyllë për shumëkënd si dhe prijës shpirtëror; Atë Albert Joubert, pasi kreu shërbimin e tij në dioqeza të ndryshme, kaloi në misionin e Fizit, gjithmonë i gatshëm për të përballuar fatkeqësitë. Veprimtaria e tij kryesore ishte kujdesi baritor shkollor.

Të vetëdijshëm për rreziqet serioze, të katërt kishin vendosur të qëndronin në vendet e tyre, të gatshëm të pranonin martirizimin për të mos braktisur besimtarët dhe misionet.  Lumnimi i tyre është i dyti në Republikën Demokratike të Kongos, pas atij të 1985-sës, të motrës Anuarite Nengapeta Maria Clementina, murgeshës së vrarë më 1 dhjetor 1964, vetëm tri ditë pas vdekjes së regulltarëve saverianë dhe Atë Joubertit. Nuk duhet harruar se aso kohe  një pjesë e mirë e rebelëve “përgatitej”, në vendet ish-socialiste, duke nisur nga Bashkimi Sovjetik, e duke vijuar në Republikat socialiste!

17 gusht 2024, 14:57