Kërko

 Maria Assunta in Cielo (foto © Custodia di Terra Santa), 2024.08.15 Maria Assunta in Cielo (foto © Custodia di Terra Santa), 2024.08.15

Rojtari i Tokës Shenjte: Maria, profeci për një botë të re, ku jetohet në paqe

Në ditën kur kremtohet Ngjitja e Zojës së Bekuar në qiell, Atë Francesco Patton e kremtoi Meshën në Malin e Ullinjve, në Jerusalem. Gjatë predikimit, ftesa për të kërkuar dhuratën e paqes në Lindjen e Mesme dhe në botë, shoqëruar me një lutje të veçantë për Zojen. Profecia e Marisë - kujtoi Atë Patton - ka të bëjë edhe me historinë në të cilën jetojmë: "Ne kërkojmë që të përmbushet dëshira e Zotit për popullin e tij dhe për mbarë njerëzimin".

R.SH. / Vatikan

Maria hyri në parajsë si profeci e botës së re, asaj "që Zoti dëshiron ta realizojë", një botë ku të përvuajturit "mund të jetojnë në paqe dhe pengjet e të burgosurit, të kthehen në familjet e tyre", ku askush nuk duhet të vuajë nga padrejtësitë dhe uria e toka, në vend që të bëhet "objekt grindjeje dhe lufte", të mirëpritet si dhuratë për t'u kujdesur. Predikimi i Atë Francesco Patton, kujdestar i Tokës Shenjte, në Meshën e kremtuar sot në mëngjes, 15 gusht, solemniteti i Fjetjes së Zonjës, në Bazilikën e Agonisë në Malin e Ullinjve në Jerusalem, nuk mund të mos i prekte rrethanat dramatike, që i jeton në tokën e tij prej dhjetë muajsh. Lutja drejtuar Marisë është për paqe dhe për "një njerëzim të pajtuar përfundimisht".

Përpjekja e djallit për të sabotuar botën e re

Atë Patton kujton fjalët e Apokalipsit, të cilat Kisha i propozon çdo vit me këtë rast: vegimi në qiell i Gruas, që do të lindë fëmijën e saj në shkretëtirë, "në kontrast me dragoin, të pajisur dhunshëm me një forcë shkatërruese dhe të tmerrshme, ndonëse ende të kufizuar”, gati për të gllabëruar të sapolindurit. Ka shumë interpretime - shpjegon Atë Patton: Gruaja është figurë e Kishës, por edhe e Virgjërës Mari, ndërsa në figurën e dragoit shihet “e keqja në të gjithë personifikimin e saj dhe me të gjithë emrat, me të cilët u thirr e thirret". Lufta e përshkruar nga Gjoni, ndërmjet Gruas dhe dragoit, nuk është tjetër, veçse përshkrimi i "përpjekjes së vazhdueshme - sado që të humbur - që bën i ligu për të sabotuar lindjen e botës së re, të kërkuar nga Zoti", lindjen e një njerëzimi jo më skllav "i dhunës, i luftës, i tregut, i kolonizimit kulturor të njerëzve".

Profecia e Marisë për fatin tonë përfundimtar

Te Maria e ngjitur me trup e shpirt në parajsë - vazhdon kujdestari i Tokës së Shenjtë - lexojmë fatin tonë përfundimtar, që nuk është ai i "njeriut të zvarritur poshtë dhe të pushtuar nga konfliktet", por i ngritjes drejt Zotit dhe drejt së resë. Drejt Jerusalemit, në të cilin ka vend për të gjithë popujt, gjuhët dhe kulturat. Në këtë kuptim - shton Atë Patton - Maria është profeci: e tillë ka qenë në të gjitha çastet e ndryshme të jetës së saj, në të cilat jetoi vetëm vullnetin e Atit, që nga çasti kur i besoi Zotit - deri te lajmi i Engjëllit, e deri te "qëndrimi i saj në këmbë", nën kryq, pa u pushtuar nga shkandulli i së keqes, i vuajtjes së pafajshme, i vdekjes së padrejtë”.

Toka nuk duhet të jetë më shkak grindjesh dhe lufte

Duke kënduar “Magnificat”, Maria është edhe profeci për historinë tonë - vazhdon françeskani - kur kërkon “që krenarët të shpërndahen në mendimet e zemrave të tyre, të fuqishmit të rrëzohen nga fronet dhe, më në fund, të përvuajturit të lartohen...", ashtu si Jezusi ishte profeci në Lumturitë”. Të kërkosh dhuratën e paqes sot, do të thotë të kërkosh që profecia të përmbushet, domethënë që ata, të cilët "duan t'u imponojnë të tjerëve politikën e tyre, ekonominë, kulturën, fenë e tyre, me dhunë", të mos mund ta bëjnë këtë, por që "fëmijët të jetojnë në paqe e pengjet dhe të burgosurit të kthehen në familjet e tyre”.  E së fundi, të kujtosh se toka "nuk është më objekt grindjesh dhe lufte, por se zemërbutët, të cilët dinë ta mirëpresin si dhuratë mund ta marrin atë si dhuratë, të gatshëm siç janë të kujdesen për të, në vend që ta pushtojnë dhe të pushtohen".

Ftesa për t’i drejtuar lutjen për Paqe Zojës së Ngjitur në Qiell

10 gushtin e kaluar, me një letër, Atë Patton u drejtoi fretërve të Kujdestarisë ftesën për t'ia kushtuar ditën e Solemnitetit të Fjetjes së Marisë lutjes për paqe në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën, "duke përdorur gjithashtu një formulë lutjeje për të cilën – shkruan ai – kërkova posaçërisht miratimin kishtar”.  

I njëjti tekst të cilin, në të njëjtën kohë, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jeruzalemit, ftoi të thuhej sot dhe të cilin ai vetë do ta përdorë për të kërkuar dhuratën e paqes gjatë bisedimeve për armëpushimin që po zhvillohen në Katar, pikërisht më 15 gusht.

Kard. Pizzaballa shkruan

Në një letër drejtuar besimtarëve të Tokës Shenjte, Kard. Pizzaballa shkruan:

"Ne të gjithë dukemi të dërrmuar nga kjo dhuratë e përzier me kaq shumë dhunë dhe, sigurisht, edhe me zemërim. (...) Pasi kemi shpenzuar kaq shumë fjalë dhe pasi kemi bërë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar dhe për të qenë pranë të gjithëve, veçanërisht atyre që janë goditur më shumë, gjithçka që mund të bëjmë, është vetëm të lutemi".

15 gusht 2024, 13:02