Sekretari i Përgjithshëm i SIGNIS kërkon zgjidhje për gazetarinë e ardhshme dominuar nga IA
R.SH. – Vatikan
Sekretari i Përgjithshëm i SIGNIS – Shoqata Botërore Katolike për Komunikimin - Peter Monthienvichienchai mbajti fjalën kryesore në Kuvendin Kombëtar Katolik të Komunikimeve Shoqërore 2024, në Batangas të Filipineve, ku morën pjesë komunikues të rrjeteve shoqërore, profesionistë të medias dhe krerë të Kishës Katolike për të diskutuar mbi përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) në punën e tyre.
Dr. Monthienvichienchai nënvizoi nevojën për të vlerësuar nëse dhe si Inteligjenca Artificiale mund të përmirësojë takimet me njerëzit në misionin e komunikuesve shoqërore. Ai shtroi pyetjen: “Kur të vendosim nëse dhe si do ta përdorim Inteligjencën Artificiale në shërbimet tona, duhet të pyesim, a do të na afrojë kjo apo do të na largojë nga lexuesit dhe nga famullitë tona?” Theksoi se ndërsa IA ofron shpejtësi dhe efikasitet, për misionet, është i rëndësishëm jo vetëm procesi, por sidomos ata për të cilët shkruhet.
Koncepti i sinodalitetit, i cili përfshin ecjen së bashku dhe dëgjimin e vërtetë të njëri-tjetrit, ishte qendror në mesazhin e Dr. Monthienvichienchai. Ai u kërkoi komunikuesve socialë të sigurojnë që IA të nxisë bashkimin dhe solidaritetin e jo të krijojë distancë. Sekretari i SIGNIS kërkoi të gjenden zgjidhje për gazetarinë, që do të përdorë pa dyshim Inteligjencën Artificiale, sa herë dalin probleme me të. Vërtet që Inteligjenca Artificiale mund të analizojë të dhëna, të gjejë argumentet kryesore, për të cilat janë interesuar njerëzit, por historinë përfundimtare duhet ta shkruajnë gazetarët, me një qasje gjithëpërfshirëse, që u bën vend edhe jo katolikëve. Vetëm kështu, e gjithë bota mund ta vlerësojë misionin e Kishës për të qenë – siç thotë tema e Kuvendit – “Influencer Autentikë për një Kishë të Fuqizuar”. Tema është qartësisht lojë fjalësh, pasi Influencer Autentikë ka të njëjtat iniciale si Inteligjenca Artificiale.