Takimi i Riminit, lajme nga Jeruzalemi, kryeqytet i vëllavrasjes
R.SH. / Vatikan
“Nëse kupton diçka për situatën aktuale në Jerusalem, do të thotë se ta kanë shpjeguar keq” - shkruan Éric-Emmanuel Schmitt duke komentuar një pikturë të famshme murale në Banksy, që paraqet pëllumbin e paqes të goditur në zemër nga një plumb. "Jeruzalemi është tragjik", shkruan dramaturgu francez në librin e shndërruar nga regjia e Otello Cencit në shfaqjen inauguruese të edicionit të dyzetepestë të Takimit për Miqësinë ndërmjet Popujve, në Rimini. Jeruzalemi është tragjik dhe ngjarjet e këtij viti të fundit i bëjnë këto fjalë edhe më të vërteta.
Në skenë, ngatërresa e një shtylle, që bëhet shkallë e urë dhe ka profilin e pagabueshëm të kryqit. Mbi sfondin e pirgjeve të librave mbetur ndër mure, grimcuar, mbuluar nga gëlqerja, të bardhë si skelete, pyetja "Kush je ti?" del nga një konstelacion fragmentesh të gjalla pulsuese, të cilat herë pas here strehojnë pamje të ndryshme të Tokës së Shenjtë: mure, grafite, fytyra, rrugë, kisha, rrënoja, fragmente muzike dhe këngë. Është histori shndërrimi dhe kthese. “KUSH JE TI? Sfida e Jeruzalemit” - lindi në zemër të kontradiktave më të mëdha, në mes të fakteve në dukje të parëndësishme të jetës së përditshme. Sepse “djepi i të jashtëzakonshmes është banalja”, shkruan Schmitt.
Në skenë - aktori Ettore Bassi, zëri, kërcimi dhe hiri i këngëtares siriane Mirna Kassis si dhe i Matteo Damele, Filippo Dionigi, Tomas Milner, me pjesëmarrjen në video të vetë Éric-Emmanuel Schmitt, i cili flet me theks të forte francez për t'i dhënë ton edhe më vetëpërçmues letrës së zhubrosur keqas të librit, që ai e zgjodhi për ta lexuar. Për të bërë nganjëherë edhe gjeste, si "dihatja e peshkut" e një fëmije në kishë, që nuk i di fjalët e këngëve dhe hap e mbyll gojën rastësisht, pa bërë zë, në një nga skenat më qesharake të pjesës.
Një shfaqje e lindur nga biografia e dramaturgut: Éric-Emmanuel Schmitt, shkrimtar i famshëm francez dhe ateist në jetë, që u kthye në krishterim, merr një ftesë për një udhëtim njëmujor në Tokën Shenjte. Duke e pranuar, shkrimtari synon të mbajë ditarin e kësaj përvoje, t'ia shpjegojë vetes dhe të tjerëve, t'i japë vetes arsyet për shpresën dhe gëzimin e pandjerë më parë. Vendet dhe takimet, ndërmjet Betlehemit, Nazaretit, Galilesë, Jeruzalemit, bëhen dialog i vazhdueshëm ndërmjet dyshimeve dhe hapjes së zemrës për fenë.
Rezultati është një libër atipik dhe një shfaqje teatrale: histori pendimi, nga mosbesimi fillestar, në zbulimin e bukurisë që të lind në shpirt, kur e ndjen se nuk je i vetëm përballë Ungjillit të vendeve që, pas më se dy mijë vjetësh, janë ende në gjendje të flasin. Deri në perceptimin tjetërsues të pranisë “fizike” të Krishtit në Varrin e Shenjtë. “Vështrimi i tij - shkruan dramaturgu francez – ngulet mbi mua, nuk mund ta luftoj. Ai më shikon, më rrezaton, më dëgjon, më thith me sy, nuk mund ta luftoj! M’i ngul sytë, më mbështjell me rreze, nuk i shpëton asgjë nga unë, por në të njëjtën kohë më mbështjell të tërin me dashamirësi”.
Në Jeruzalem, e keqja e shpreh gjithë natyrën e saj metafizike si enigmë përtej njerëzore, tregon gjithë natyrën e saj të pakuptueshme misterioze, në Histori me një "H" të madhe, si në ekzistencat e çdo qeniejeje njerëzore!