Kërko

 Vangelo della XXI domenica Anno 'B' Vangelo della XXI domenica Anno 'B'

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 21-të vitit 'B': O Zot, Ti i ke fjalët e jetës së pasosur

Pas judenjve,/tani u erdhi radha dishepujve, o Jezus./Edhe ata ngrenë pyetje e përplasen/me Fjalët e tua të ashpra./Po Jezusi nuk kërkon konsensus,/nuk e ëmbëlson tonin e fjalëve të veta,/që kanë larguar prej Tij shumë vetë./ Pyetja e Jezusit ngulet shigjetë në zemër/ e dishepujve:/ doni të ikni edhe ju?/ Doni të më braktisni edhe ju?/ E heshtja thyhet nga Pjetri,/ që ndoshta, nuk i kishte kuptuar fjalët e Mësuesit,/ por e kishte provuar plotësinë,/ që i jepte prania e Jezusit

R.SH. - Vatikan

Nuk është e lehtë për njerëzit e botës së sotme të besojnë në Krishtin. Duket sikur fjalët e Birit të Zotit, ashtu si dikur, - siç dëshmon Ungjilli sipas Gjonit i së dielës së 21-të të vitit kishtar, kreu 6 – janë pa kuptim e sfidojnë inteligjencën e secilit. Edhe ne, si shën Toma, themi “Të shoh e, pastaj, të besoj”. Në të vërtetë, ne shohim e prekim në Eukaristi, por kjo prekje është më e thellë, më e vërtetë, më e sigurt se ajo, që na mundësojnë sytë e duart. Të besosh do të thotë të shohësh një realitet përtej të dukshmes; do të thotë të prekësh të vërtetën e amshuar. Me këtë fe e falë saj, bashkë me shën Pjetrin, mund të themi: “O Zot, te kush do të shkojmë? Vetëm Ti i ke fjalët e jetës së pasosur”. Të ndjekim Ungjillin e kësaj së diele nga Gjoni(6,60-69):

Në atë kohë, shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?” Kur Jezusi e hetoi se nxënësit e tij po nynykatnin lidhur me këtë mësim, u tha: “A po ju shkandullon kjo gjë? E po ta shihnit Birin e njeriut duke u ngritur atje ku ishte më parë? Shpirti është ai që jep jetën, korpi nuk vlen asgjë. Fjalët që unë ju thashë, janë shpirt dhe janë jetë. Por, janë disa ndër ju, që nuk besojnë.” Sepse Jezusi e dinte qysh në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe cili është ai që do ta tradhtonte. Dhe shtoi: “Prandaj edhe ju thashë se askush s’mund të vijë tek unë, po qe se nuk iu dhurua nga Ati.” Qysh atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të. Atëherë Jezusi i pyeti edhe të dymbëdhjetit: “A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?” Simon Pjetri i përgjigj: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!”.

Të lutemi së bashku

 

Pas turmës së judenjve,

tani u erdhi radha dishepujve, o Zot.

Edhe ata luftojnë me veten,

ngrenë pyetje e përplasen

me Fjalët e ashpra të Mësuesit.

 

Sa maska bien!

Jezusit i pëlqen të luajë haptas,

nuk kërkon konsensus,

nuk e ndryshon qëndrimin,

nuk e ëmbëlson tonin e fjalëve të veta,

që kanë larguar prej Tij shumë vetë.

I kthejnë shpinën,

por Biri i Zotit nuk lëviz as presjen.

 

Pyetja e tij ngulet shigjetë në zemër

e dishepujve u dridhen gjunjët:

doni të ikni edhe ju?

Doni të më braktisni edhe ju?

 

E heshtja thyhet nga Pjetri,

që ndoshta, nuk i kishte kuptuar fjalët e Mësuesit,

por e kishte provuar plotësinë,

që i jepte afërsia e Tij,

e s’mund as të imagjinojë

diçka më të bukur e më të vërtetë se kjo.

 

Edhe ne o Krisht, si Pjetri

ndoshta, nuk e kemi kuptuar akoma

misterin tënd të vërtetë,

por, kur besojmë, vërejmë

se thjesht, prania Jote në jetën tonë

na e ndryshon atë krejtësisht.

 

E ndoshta, kjo është mënyra e vetme

për të vendosur vërtet rend në të e

për t’i dhënë kuptim.

 

 

24 gusht 2024, 10:43