Korpi e gjaku i Krishtit Korpi e gjaku i Krishtit

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 20-të të vitit kishtar 'B'

O Zot Jezus,/ne e dimë se Ti, me të vërtetë/ofrove vetveten, korpin tënd,/që pikërisht mbi Ty të shkarkoheshin/të gjitha forcat e errta të së keqes,/pasojat e tmerrshme të mëkatit./E korpi Yt, i plagosur, i lënduar,/objekt sharjesh e pështyerjesh, i dobësuar e i goditur,/por edhe i shndërruar nga ringjallja,/u bë vërtet Buka jonë,/Bukë për të gjithë ata, që janë gati/ta thyejnë trupin e tyre për Ty e për vëllezërit

R.SH. - Vatikan

Në natyrë, nuk mund të ketë jetë pa ushqim. Ushqimi na mban gjallë. Sot, në pjesën nga Ungjilli sipas Gjonit (6,51-58) të kësaj së diele të 20-të të vitit kishtar (B), Jezusi trajton këtë fakt thelbësor të gjendjes sonë njerëzore, duke e ndryshuar qëllimin e tij: duhet të ushqehemi me të, me korpin dhe gjakun e tij, nëse duam të njohim plotësinë e jetës. Duke bërë kështu, marrim një ushqim, që s’ka të bëjë me sferën fizike. Me këtë ushqim, të ndryshëm nga të tjerët, ne jetojmë përgjithmonë, pasi është Ai – Jezu Krishti – që na jep një jetë të ndryshme e njëkohësisht, na premton se do të na ringjallë në mbarimin e kohërave. Të ndjekim pjesën ungjillore…

Lexim i Ungjillit sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.” Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi-shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë korpin e vet për ushqim?”. Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. Sepse korpi im është ushqim i vërtetë, e gjaku im është pije e vërtetë. Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim”. Amen.

Të lutemi së bashku

Kur lexojmë Ungjillin e sotëm, O Zot Jezus,

na vjen të mendojmë se atë ditë Ti deshe

t’i shkandulloje me çdo kusht ata, që të dëgjonin.

Në fjalët e tua ka diçka

që duket menjëherë e patolerueshme dhe e pakonceptueshme:

“Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim…”.

Si mund të pranohej një gjuhë kaq e vrazhdë,

fjalë kaq të pakuptueshme?

 

Megjithatë, o Zot Jezus,

ne e dimë se Ti, me të vërtetë

ofrove vetveten, korpin tënd,

që pikërisht mbi Ty të shkarkoheshin

të gjitha forcat e errta të së keqes,

pasojat e tmerrshme të mëkatit.

E korpi Yt, i plagosur, i lënduar,

objekt sharjesh e pështyerjesh, i dobësuar e i goditur,

por edhe i shndërruar nga ringjallja,

u bë vërtet Buka jonë,

Bukë për të gjithë ata, që janë gati

ta thyejnë trupin e tyre për Ty e për vëllezërit.

 

Megjithatë, O Zot Jezus,

ne e dimë se Ti, me të vërtetë

ofrove vetveten, derdhe gjakun,

që kjo dhurata jote të bëhej fillimi i një historie të re,

i një besëlidhjeje të amshuar e të pashkatërrueshme

ndërmjet Zotit e njerëzve.

E ky gjak, që lagu tokën,

ku gjak, që e privoi nga jeta

korpin tënd të stërmunduar,

ky gjak, që pastron çdo mëkat,

ky gjak, që u bë

shenja më e madhe e dashurisë Tënde,

u kthye vërtet në Pijen time,

në një Kelk të çmuar jete

për të gjithë ata, që vënë në rrezik jetën

për një botë më të drejtë e më vëllazërore.

17 gusht 2024, 08:38