Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 21-të vitit 'B': të këqijat vijnë nga zemra e njeriut
R.SH. - Vatikan
E ashtuquajtura “fe e pastër”, që ka në qendër rregulla e norma, krijon tensione mes Jezusin dhe farisenjve dhe disa skribëve, në Ungjillin e kësaj së diele të XXII të vitit kishtar 'B' nga sipas (Mk 7,1-8.14-15.21-23). Jezu Krishti na mëson se cila është feja e vërtetë, që nuk ka të bëjë vetëm me ritin, me dukjen, përndryshe zemra jonë largohet prej Zotit. Të ndjekim një pjesë nga Ungjilli i kësaj së diele nga shën Marku:
Në atë kohë, rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara. Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të dokeve të të parëve. Madje janë edhe shumë gjëra tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh tryezash. Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin: “Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar të papastra?” Jezusi u përgjigj: “Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi: ‘Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje. I kotë është kulti që më bëjnë, kur mësojnë kinse mësim të Hyjit – rregulloret që i qitën njerëzit.’ Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.” Atëherë u tha: “Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut – ajo e bën të papastër”.
Të lutemi së bashku:
Dukja të gënjen e në botën e fesë,
dukja vret, shuan, shqetëson, manipulon.
Jezusi e çon fenë në ambientin e saj kryesor: shpirtin.
Brenda secilit prej nesh:
aty ku banojnë mendimet më të fshehta,
gjykimet dhe bindjet tona më të thella.
Aty ku Zoti shqyrton zemrën e sheh.
E kotë të lodhemi për t’u kujdesur
për gjithçka jashtë nesh:
ç’mendojnë të tjerët,
si duhen respektuar rregullat
që dikush të na duartrokasë,
si ta kërkojmë vlerësimin e tyre,
por nëse kjo dëshirë nuk lind nga brenda,
nga vetëdija se jemi kryevepra arti të tjetërkujt,
gjithçka është absolutisht e kotë.
Prandaj, s’duhet të bëhemi paladinë të dallimeve,
t’u japim të tjerëve patentën e katolikut,
të vendosim ç’është e drejtë e ç’është e gabuar,
fjalë të reja për të thënë “i pastër/i papastër”, si dikur.
Në vend të kësaj, duhet të ndryshojmë në shpirt,
të shohim e të veprojmë në mënyrë të re.
Të shohim përtej dukjes,
të kujdesemi për shpirtin.
Me ndershmëri, vërtetësi, me lutje të vazhdueshme, intensive, të ndierë
Sidomos kur Fjala e Zotit, ashtu si sot,
na lëkund nga themelet.