Assunzione Maria al cielo, Madonna Assunta Assunzione Maria al cielo, Madonna Assunta

‘Të Ngjiturit të Zojës në Qiell’: dashuria e Zotit fiton mbi egoizmin e dhunën

Festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ është festa e gëzimit. Hyji fiton! Feja, në dukje e ligësht, është forca e vërtetë e botës. Dashuria është më e fortë se urrejtja. Në këtë solemnitet nuk mund të mos kujtojmë se festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ bazohet në Shkrimin Shenjt, që na e paraqet Virgjërën Mari të bashkuar fort me Jezusin në luftën kundër armikut djallëzor, deri në fitoren e plotë mbi të. Është fitore që gjen shprehjen e vet kryesisht në kapërcimin e mëkatit e të vdekjes.

R.SH. / Vatikan

"E gjithë historia është luftë ndërmjet dy dashurive: dashurisë së Zotit deri në dhurimin e plotë të vetvetes e dashurisë për vetveten, deri në përbuzjen e Zotit, deri në urrejtjen për të tjerët": këtë thekson mes tjerash Shën Agostini, lidhur me Solemnitetin e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’. Festa e sotme na fton të kemi besim, sepse dashuria, që duket si ligështi e Zotit, në fund të fundit ngadhënjen mbi atë që duket si pushtet absolut i urrejtjes e i dhunës.

Duke u ndalur te Leximi I i festës së Të Ngjiturit të Zojës Mari në Qiell nga Libri i Zbulesës (Zb 11, 19; 12, 1-6.10), shohim se në të cilin spikasin dy figura: ajo e gruas së veshur me diell, simbol i dashurisë së Hyjit e ajo e dragoit të kuq vigan, simbol i dashurisë për vetveten.

Figura e dragoit 

Me figurën e dragoit Shën Gjoni simbolizoi pushtetin e perandorëve romakë antikristianë, që nga Neroni te Domiciani: pushtet që dukej i pakufizuar, pushtet ushtarak, ekonomik, politik, propagandistik. Përballë këtij pushteti feja, Kisha, dukej si një grua e pambrojtur, pa kurrfarë mundësie për të shpëtuar e aq më pak, për të fituar: e kush mund t’i kundërvihej një pushteti të tillë të gjithpranishëm, që dukej se mund të bënte gjithçka? E megjithatë e dimë se fitoi gruaja e pambrojtur, nuk fitoi egoizmi, as urrejtja; fitoi dashuria e Hyjit e Perandoria romake ia hapi dyert fesë së krishterë.

Dragoi pra simbolizon pushtetin e egoizmit absolut, të terrorit, të dhunës. Përfaqëson diktaturat antikristiane të të gjitha kohërave, si nazizmi e stalinizmi, në shekullin e kaluar. Dukej e pamundur që feja të mbijetonte: por edhe këtu, në fund të fundit, dashuria ngadhënjeu mbi urrejtjen. Por dragoi nuk është mposhtur ende plotësisht: vijon të ekzistojë në forma të reja, ekziston në format e ideologjive materialiste, që na thonë se është absurde të mendosh për Hyjin, është absurditet t’u bindesh dhjetë urdhërimeve të Zotit; na thonë se është diçka e vjetruar, që i përket një kohe të shkuar e se ajo që vlen, është ta jetosh jetën për vete, se vlen vetëm konsumi, egoizmi, dëfrimi… E përsëri të duket absurde, e pamundur t’i kundërvihesh një mendësie të tillë, që sundon me gjithë forcën e saj mediatike, propagandistike. Duket e pamundur sot të mendosh për një Zot që krijoi njeriun e që u bë fëmijë e se ky fëmijë do të ishte sundimtari i vërtetë. Edhe sot dragoi duket e pathyeshme, por edhe sot Hyji është më i fortë se dragoi e dashuria është ajo që fiton, jo egozimi.

Figura e gruas

Po të ndalemi edhe te figura e gruas: është e veshur me diell, sepse jeton në dritën e Hyjit, e ka hënën nën këmbë, sepse e ka lënë pas vetes vdekjen. E na thotë “Guxim! Në fund fiton dashuria! Guxoni të jetoni kështu, pa u frikësuar nga kërcënimet e dragoit. Gruaja nxjerr në dritë foshnjën me dhimbje: simbol i Kishës shtegtare në të gjitha kohërat: në të gjitha breznitë duhet ta lindë përsëri Krishtin, ta sjellë në botë Krishtin me dhimbje të madhe në gjirin e këtij njerëzimi që vuan. Është Kishë e përndjekur nga dragoi në të gjitha kohërat, por në të gjitha kohërat jeton në dritën e Hyjit.

E kështu në të gjitha mundimet Kisha, duke vuajtur, fiton e është garanci e pranisë së dashurisë së Hyjit kundër të gjitha ideologjive të urrejtjes e të egoizmit. E dragoi edhe sot dëshiron ta përpijë Hyjin e bërë foshnje: ‘mos mendoni për këtë Hyj, i ka kaluar koha!’ – na thonë – por edhe sot ky Hyj i ligsht, është i fortë, është forca e vërtetë. E kështu festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ na fton të kemi besim e shpresë: Është ftesë për të pasur besim në Hyjin, ftesë për t’i përngjarë Marisë, ashtu siç ka thënë Ajo vetë: jam shërbëtorja e TënZot, jam në dorë të Zotit. Të ecim në rrugën e saj. Të japim jetë e jo të marrim jetë. E pikërisht kështu jemi në rrugën e dashurisë, që do të thotë ta humbasësh vetveten e që, megjithatë, është e vetmja rrugë në të cilën duhet të ecim, për ta gjetur vërtetë vetveten, për të gjetur jetën e vërtetë”.

‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ është festa e gëzimit

Atëherë mund të themi me plot gojën se festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ është festa e gëzimit. Hyji fiton! Feja, në dukje e ligësht, është forca e vërtetë e botës. Dashuria është më e fortë se urrejtja. Në këtë solemnitet nuk mund të mos kujtojmë se festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ bazohet në Shkrimin Shenjt, që na e paraqet Virgjërën Mari të bashkuar fort me Jezusin në luftën kundër armikut djallëzor, deri në fitoren e plotë mbi të. Është fitore që gjen shprehjen e vet kryesisht në kapërcimin e mëkatit e të vdekjes. E prandaj Maria, solidare me Jezusin edhe në ngjallje, u ruajt nga kalbja në varr, për t’u ngjitur me shpirt e korp në lumturinë e Qiellit - siç pohoi Piu XII, duke shpallur, më 1 nëntor 1950, Dogmën e të ngjiturit të Zojës në Qiell, në Kushtetutën apostolike “Munificentissimus Deus”.

Hyji kërkon njerëz në të cilët mund të ndërtojë banesën e vet

Duke u Ngjitur në Qiell Maria Virgjër nuk u largua nga ne, e kemi edhe më pranë dhe drita e saj ndriçon jetën tonë e historinë e mbarë njerëzimit. Të tërhequr nga shkëlqimi qiellor i Nënës së Shëlbuesit, t’i drejtohemi me besim asaj, që nga lart na sheh e na mbron. Të gjithë kemi nevojë për ndihmën e saj e për ngushëllimin e saj, për të përballuar provat e sfidat e përditshme: kemi nevojë ta ndjejmë pranë si nënë e si motër në çdo çast të jetës sonë.

E që të mund të kemi një ditë edhe ne përgjithmonë të njëjtin fat të Zojës Mari të Ngjitur në Qiell, t’i ngjasim tani, duke ecur në rrugën e Krishtit e të shërbimit bujar ndaj vëllezërve. Kjo është e vetmja mënyrë për ta parashijuar, në sa jemi akoma në shtegtimin tonë tokësor, gëzimin e paqen që e jeton plotësisht kush arrin në cakun e pamort të Parajsës. Shembulli i Marisë tregon se Hyji kërkon njerëz në të cilët mund të ndërtojë banesën e vet. Jezu Krishti dëshiron të jetojë edhe në zemrën tonë. Kisha – shtëpi e Hyjit - rritet në se ne, njerëzit, e pranojmë Zotin me fenë tonë, me adhurimin tonë, me shpresën tonë dhe me dashurinë tonë, duke u bërë kështu, gurë të gjallë të kësaj shtëpie shpirtërore”.

15 gusht 2024, 09:55