Kërko

L'Incontro tra Vergine Maria e Santa Elisabetta L'Incontro tra Vergine Maria e Santa Elisabetta

Të meditojmë me Ungjillin e festёs tё Tё Ngjiturit tё Zojёs sё Qiell

Më pëlqen, o Mari, kjo festa jote,/që vjen në mes gushtit/e na kujton/se caku ynë nuk është prehja,/po lumturia e Hyjit./Është bukuria e Zotit…/Sepse shëlbimi nuk është veç për shpirtin/është dhe për korpin./O Nënë Mari,/ti më fton të besoj,/të shpresoj e të dua/me gjithë vetveten:/me trup e me shpirt!

R.SH. – Vatikan

Ungjilli i festës tё Të Ngriturit tё së Lumes Mari Virgjёr nё Qiell, nga shёn Luka (1,39-56), na tregon për pasinë e Shën Marisë Virgjër tek kushërira e saj Elizabeta. Në çastin që ajo e njeh si Nënën e Zotit, nga goja e Marisë del ai himn Madhërimi (Magnificat) të mrekullueshëm, me të cilin Kisha i thur lavde Hyjit edhe sot e kësaj dite. Në misterin e festës të Të Ngjiturit të Zojës në qiell, kremtojmë pikërisht këtë lavdi të Zotit, që e ruajti Marinë Virgjër nga çdo mëkat dhe e lartoi pranë të Birit Jezus me korp e me shpirt. Një fragment nga Ungjilli i Lukës (1,39-56):

Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”

Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur. Sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm: i shenjtë është Emri i tij! Mëshira e tij brezni me brezni për ata që e nderojnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve; i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë, e të pasurit i nisi duarthatë. I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet, duke u sjellë në mend mëshirën – si ua pati premtuar etërve tanë – në dobi të Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.”

T’i lutemi së bashku Zojës së Ngjitur në Qiell

 

Na e bëj këtë dhuratë o Atë,

të të lëvdojmë me fjalët e Marisë,

me shprehjen e gëzimit

të sa e sa burrave e grave

që besuan e shpresuan në Ty.

 

Po o Zot, Ti je vërtet i madh

në dashurinë tënde të pamasë,

që nuk njeh kufi:

në Marinë, Ti na jep

një shenjë shprese të sigurt

që secili të kundrojë

në lavdinë e saj

plotësinë dhe begatinë

për të cilat është caktuar.

 

Përmes saj,

vashës së re të Nazaretit,

Ti realizove mrekullinë

e mishërimit të Birit tënd.

 

Asaj ia besove

si fëmijë për t’u rritur

e për t’u përgatitur për jetën,

i ushqyer me dashurinë e nënës.

E ajo i qëndroi pranë

deri në fund, deri në Kalvar,

deri në vdekjen mbi kryq.

 

Prandaj mori pjesë,

me korp e me shpirt, në ringjalljen e Tij.

Prandaj nuk e njohu

korruptimin e kalbjen e varrit,

por u shndërrua

fill pas vdekjes

për të ndarë krah të Birit

gëzimin e amshimit.

 

 

14 gusht 2024, 12:45