Kërko

Terra Santa - Monte Sion con la Chiesa della Dormizione Terra Santa - Monte Sion con la Chiesa della Dormizione

Varri i Virgjërës Mari

Ungjijtë apokrifë i kushtojnë shumë vëmendje Ngritjes së Zojës në Qiell. Po ndërsa ajo ngjitej, varri poshtë mbetej bosh…Për të na kujtuar fatin tonë, në Ditën e Mbrame…

R. SH. - Vatikan

Mbi Varrin e Asaj, Virgjërës Mari, që mbajti në kraharor Zotin Jezus, tani lartohet një Kishë. I kushtohet pikërisht Ngritjes së saj në Qiell. Kjo kishë, që iu hoq françeskanëve në vitin 1757 tani, siç e shpjeguam në emisionet e kaluara, është pronë e përbashkët e greko-ortodoksëve dhe armenëve. Françeskanët e mbajtën deri në vitin e largët 1363.

Zoja e Bekuar kujtohet për herë të fundit në Besëlidhjen e re, e pikërisht në Veprat e Apostujve, ku shkruhet: “Pas ngjitjes së Krishtit në qiell, apostujt u kthyen në Çenakull, ku ishin një mendjeje në lutje, së bashku me gratë, me Marinë, nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij” (Vap 1,14).

Për varrin e Marisë në luginën e Jozafatit flet për herë të parë një libër apokrif. Titullohet “Kalimi i Marisë në Qiell”. Në të autori përmbledh  traditat e periudhës apostolike. Libri përmban shumë elemente simbolike të diskutueshme. Dëshmon se ky vend nderohej si shenjtërore që nga shekulli II. E edhe se më pas varri i Virgjërës u shndërua në kishë, ndërtuar në maje të shkëmbit (shek IV). Iu kushtua Nënës së Zotit nga ipeshkvi i Jeruzalemit, Juvenali, pas Koncilit të Kalçedonisë (viti 451). Në vitin 490 perandori Maurici shprehu dëshirën të ndërtonte një Kishë të rrumbullakët, përmbi kishën e mëparshme, e cila u bë, kështu, kriptë, ku ruhej Varri i Shenjtë.

Kujtimi i vendvarrosjes u ruajt sidomos nga feja dhe devocioni i besimtarëve, që kryenin aty ritet solemne, në kujtim të Të Ngriturit të Zojës në Qiell. Festa, që kremtohej më 15 gusht, paraprihej nga Kreshmët e Marisë e kalohej në çadra të ngulura përgjatë luginës së Cedronit. Pjesa e sipërme e kishës u rrënua plotësisht, para se kryqtarët të shkelnin në këto vise aq të dëshiruara prej tyre.

Benediktinët, në vitet 1112-1130 realizuan një hyrje të re në kriptë. Më pas ndërtuan mbi të edhe një Kishë të re. E fare pranë saj, edhe manastirin. Po Kisha mbi varrin e Zojës u rrënua rishtas nga myslimanët e Saladinit pas vitit 1187. U rrënua kisha. Po varri nuk u prek, për nder “të Nënës së Lume të Profitit Jezus”. Kështu, ngreju ditën e shembu natën, kripta arriti deri në ditët tona, me gjithë shkallën e gjatë,  që na çon pikërisht atje ku pushoi tri ditë në gjumë, Nëna e Krishtit.

Po sulme të reja e prisnin, kishën e kriptës. Këtë herë e sulmuan shtrëngatat, që depërtonin në të, për shkak të disnivelit të terrenit ku ishte ndërtuar. Përmbytja e fundit, në vitin 1972, i dha shtytjen kishës në Tokën Shenjte për një pastrim me fund. E pastrimi nxori në dritë Varrin e Virgjërës, në një zonë varrezash tejet të lashta.

Lidhur me varrin e Zojës, po kujtojmë këtu përfundimet, në të cilat arriti Atë Bagatti, pas një studimi të hollësishëm të vendit. Tradita, që flet për varrin e Marisë, në Gjetseman, bazohet mbi faktin se në shekullin I, pikërisht këtu, ishte një varrezë e madhe. Vetë varri përkon plotësisht me njoftimet tipografike të një mori relacionesh, që flasin për “Përgjumjen e Virgjërës”. Teknika e gërmimit të varrit na çon menjëherë në shekullin I. Prandaj këto njoftime arkeologjike, së bashku me ato letrare (dokumente palestineze, siriake, etiopike, greke të shekullit II deri në shekullin V)  vërtetojnë besimin popullor, sipas të cilit varri i Virgjërës është pranë Gjetsemanit.

Varri i Virgjërës

Varri i Virgjërës është një bllok guri, i izoluar nga stomi shkëmbor, i lartë nga 1,50 metra deri 1.80, i pajisur me kalime për shtegtarët. Shkëmbi, në të cilin u vendos Korpi i Zojës, i mbrojtur nga një kristal, është gërryer nga shekujt e nga besimtarët, që shkëpusin, për devocion, copëza nga ai vend i bekuar. Vrima në pjesën e sipërme të varrit, përveçse shërben për  daljen e tymit të qirinjve dhe ajrosjen - ka edhe një kuptim shumë të thellë simbolik: kuptimin  e hapjes së rrugës drejt qiellit! Të duket sikur Maria u zgjua në varr, për t’u lartuar nga kjo hapësirë, drejt Qiellit! Duke na ftuar ta ndjekim pas, ditën e mbrame, drejt Zotit Atë!

15 gusht 2024, 09:59