Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

Vendet për meshën papnore në Singapor janë mbaruar, do të jepen bileta shtesë

Kërkesat për vende në meshën papnore, që do të kremtohet në Singapor më 12 shtator, gjatë shtegtimit apostolik të Papës Françesku në Azi dhe Oqeani, i kanë tejkaluar pritshmëritë, duke bërë që organizatorët të japin mundësinë për më shumë bileta, përmes një përzgjedhjeje të dytë

R.SH. – Vatikan

(marrë nga LiCas News)

         Lawrence Chan, kreu i Nënkomitetit të Biletave për meshën e Papës Françesku në Singapor 2024, deklaron se të paktën gjashtë nga dhjetë të regjistruar për përzgjedhjen e parë ka të ngjarë të sigurojnë një vend. Rezultatet do të shpallen më 5 gusht, në orën 10.00, në faqen e internetit të katolikëve “myCatholic.sg”. "Të pasuksesshmit e këtij raundi do të regjistrohen automatikisht për një përzgjedhje të dytë" sqaron Chan.

Regjistrimi për këtë do të hapet po më 5 gusht, në orën 10.00 dhe do të mbyllet më 18 gusht, në orën 23.59, ndërsa rezultatet do të publikohen më 19 gusht, sipas Catholic News, gazetës zyrtare të kryedioqezës së Singaporit. Për t’iu përgjigjur kërkesës së madhe, organizatorët kanë punuar me përgjegjësit e Stadiumit Kombëtar për të krijuar 6.000 vende të tjera, duke e rritur kapacitetin e përgjithshëm në 48.600 vende.

Këto vende të reja ofrojnë pamje të kufizuara të altarit dhe të podiumit, ku do të kremtohet mesha, por të pranishmit mund ta ndjekin atë nga ekranet. Njerëzit, që dëshirojnë të ulen me familjen dhe miqtë duhet të regjistrohen si grup. Organizatorët sigurojnë që të regjistruarit në grup kanë shanse të barabarta për të siguruar biletat, ashtu si aplikantët individualë. “E kanë thjeshtuar edhe procesin në mënyrë që ata, të cilët fitojnë biletën, të mos kenë nevojë të ndërmarrin ndonjë veprim të mëtejshëm”, shton Chan. Më parë, aplikantët e suksesshëm duhej të pranonin, ose të refuzonin shprehimisht biletat e tyre, me një klik në internet. Sipas procesit të rishikuar, fitimi i një bilete do të pranohet automatikisht.

Individët, që kanë siguruar biletë në përzgjedhjen e parë, por nuk janë në gjendje të marrin pjesë, për arsye të ndryshme, duhet t'i kthejnë biletat e tyre deri më 18 gusht për t'u dhënë të tjerëve një shans në përzgjedhjen e dytë. Edhe kjo bëhet përmes internetit. Për ata që nuk mund të marrin pjesë, kryedioqeza do të transmetojë drejtpërdrejt meshën papnore në kanalin e saj në YouTube, duke mundësuar pjesëmarrje më të gjerë nga shtëpia. Biletat shtesë dhe procesi i thjeshtuar i pranimit të përzgjedhjes synon t’u sigurojë sa më shumë besimtarëve pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme, në pritje që Papa t’i përforcojë më tej në fe.

02 gusht 2024, 16:38