Martirët vietnamezë Martirët vietnamezë

Vietnam - Kujtimi mirënjohës i martirëve dhe e tashmja e Kishës

Më 1 gusht Martirologu Romak kremtoi kujtimin e dy meshtarëve martirë të cilëve ua prenë kokat për Krishtin nën Perandorin Minh Mang, në qytetin Nam Dinh, në Tonkin, tani Vietnam

R.SH. - Vatikan

Ata janë shenjtorët Dominic Nguyen Van Hanh dhe Bernard Vu Van Due.

Pak dihet për jetën e tyre, madje lajmet për martirizimin përmblidhen në një hollësi të vetme: “U prenë kokën për Krishtin”. Mjaftojnë pak fjalë që kujtesa e krishterë ta ruajë dhe ta përcjellë brez pas brezi mirënjohjen për ata që, duke e ndjekur Jezusin me gëzim, e dëshmuan duke rrokur edhe kryqin e tij. Sipas dokumenteve, në Vietnam u publikuan 53 dekrete, të gjitha të nënshkruara nga mbretër ose autoritete të cilat, për më shumë se dy shekuj e gjysmë, vijuan gjatë persekutimin e përgjakshëm të të krishterëve, duke shkaktuar dhjetëra mijëra vdekje.

Edhe në Vietnam, gjaku i meshtarëve vendas martirë u derdh njëheresh   me atë të misionarëve martirë. Me kalimin e shekujve, këta dëshmorë u varrosën në vise të humbura, por kujtimi i tyre mbeti gjithnjë i gjallë në bashkësitë katolike të vendit. Nga fillimi i shekullit të 20-të e deri më sot, 117 prej tyre  u zgjodhën dhe u lartuan në nderimin e altarit. Papa i parë që i shpalli të lum martirët e Vietnamit, ishte Leoni XIII i cili, në vitin 1900, shpalli të lum 64 vietnamezë. Gjashtë vjet më vonë, Piu X lartoi tetë martirë të tjerë të Vietnamit në altar. Përsëri Piu X, tre vjet pas ceremonisë së parë, shpalli të lum njëzet të tjerë. Më në fund, në vitin 1951, Piu XII shpalli të lum edhe njëzet e pesë martirë të tjerë në vendin aziatik.

Më 18 prill 1986 doli dekreti me të cilin shkriheshin në një arsyet e Kanonizimit të 117 martirëve. Pas dekretit "de signis" të 5 qershorit 1986, i cili sanksionoi famën e vazhdueshme të shenjave dhe të mrekullive të të gjithë martirëve, Gjon Pali II i shpalli shenjtorë, më 19 qershor 1988. Vietnamezët e përfshirë në këtë numër janë nëntëdhjetë e gjashtë, nga të cilët tridhjetë e shtatë meshtarë (njëmbëdhjetë rregulltarë domenikanë), një seminarist, gjashtëmbëdhjetë katekistë, dhjetë terciarë domenikane dhe një grua. Misionarët me origjinë nga vende të tjera, të martirizuar dhe të shpallur shenjtorë në Vietnam, janë njëzet e një: njëmbëdhjetë spanjollë (të gjithë të Urdhërit të Fretërve Predikatarë, duke përfshirë gjashtë ipeshkvij dhe pesë priftërinj) dhe dhjetë francezë, që i përkisnin Misioneve të Huaja të Parisit (Etrangeres de Paris -MEP): dy ipeshkvij dhe tetë priftërinj.

Falë dekreteve të ndryshme mbretërore, njihen edhe torturat që i çuan viktimat në marrjen e dhuratës së martirizimit: shtatëdhjetë e pesë u dënuan me prerje koke, dënim i dhënë edhe për dy shenjtorët që përkujtohen më 1 gusht; njëzet e dy u mbytën duke i shtrënguar në grykë; gjashtë u dogjën të gjallë; pesë u dënuan me prerje të gjymtyrëve të trupit; nëntë vdiqën në burg për shkak të torturave.

02 gusht 2024, 08:42