TERRA SANTA TERRA SANTA

Zoja e Ngjitur në Qiell: nga Bagdadi - në Tokën Shenjte, të krishterët luten për paqe

Mbrëmjen e 14 gushtit, Patriarku Kaldeas Sako kremtoi mbrëmësoren në Katedralen e Shën Jozefit, në Karrada. Frikë nga një “luftë rajonale”, që do të ishte “katastrofike për të gjithë”. Patriarku Pizzaballa: ndikimi i konfliktit "më i larti dhe më i dhimbshmi që është parë ndonjëherë". Kujdestari i Tokës së Shenjtë: "Është e rëndësishme të lutesh për paqe". Për Gazën foli edhe Al-Sistani, që paralajmëroi: "Pasoja katastrofike"

R.SH. - Vatikan

Nga Bagdadi - në Tokën Shenjte, për festën Zojës së Ngjitur në Qiell, nesër, 15 gusht, Kishat e Lindjes së Mesme po organizojnë kudo nisma lutjesh për paqen, duke rifilluar nga thirrjet e përsëritura të Papës Françesku, deri tek e fundmja, në Angelus, kur foli edhe për bombat atomike. Dhuna lidhur me luftën e Izraelit me Hamasin në Gaza, e cila në 10 muaj shkaktoi vdekjen e 1.8% të popullsisë së Rripit, si dhe tensionet me Iranin dhe aleatët e tij Hezbollahun në Liban dhe Houthis në Jemen, krijojnë rrezikun që rajoni të përfshihet në një konflikt global. Prej këndej, edhe kërkesa e përsëritur për lutje nga patriarku kaldeas, primati latin i Jeruzalemit dhe Rojtari i Tokës Shenjte.

Në një mesazh dërguar për informacion AsiaNews, primati kaldeas, Kard. Louis Raphael Sako, nënvizon se "për shkak të situatës shqetësuese" në Lindjen e Mesme, patriarkana "po organizon një lutje për paqe dhe stabilitet". “Duke qenë se arritja e paqes është përgjegjësi e çdo njeriu dhe e çdo vendi, jeni të ftuar përzemërsisht - vazhdon deklarata - të bashkoheni me ne në lutje drejtuar Zotit të Gjithëpushtetshëm”. Shpresa – shton - është që "këto konflikte të mos shndërrohen në luftë rajonale", e cila do të ishte përfundim "katastrofik për të gjithë". Shërbesa do të bëhet në mbrëmjen e 14 gushtit, në Katedralen Kaldease të Shën Jozefit, në Karrada, sipas shprehjes së marrë nga Ungjilli i Mateut (5.9) "Lum ndërtuesit e paqes, sepse do të quhen bijtë e Zotit " .

Në fund  të javës, një ftesë për lutje arriti edhe nga Kard. Pierbattista Pizzaballa, patriark latin i Jeruzalemit i cili, në mesazhin drejtuar besimtarëve të Tokës Shenjte, thekson se urrejtja, inati dhe përbuzja ushqejnë dhunën dhe vonojnë zgjidhjet e mundshme të konfliktit. Kardinali shpreh dhimbjen e thellë për "luftën e tmerrshme" që luftohet në Rrip e që tashmë ka shkaktuar vuajtje të mëdha. Edhe sot, shton ai, "është gjithnjë e më e vështirë të përfytyrohet përfundimi i këtij konflikti, ndikimi i të cilit në jetën e popullatave tona është më i larti dhe më i dhimbshmi që u jetua ndonjëherë". Përveç kësaj, është "gjithnjë e më e vështirë të gjesh njerëz dhe institucione me të cilat është e mundur të dialogosh për të ardhmen dhe marrëdhëniet paqësore", në një të tashme që duket "e përzier me shumë dhunë dhe, sigurisht, edhe me zemërim" sa që shuan edhe shpresën më të ligësht të dialogut.

Prej këndej kujtimi i 15 gushtit, i solemnitetit të Zojës, bëhet një nga ato ditë, që mund të jetë "e rëndësishme për të ndikuar mbi kthesën e konfliktit" duke iu drejtuar Zojës për "një çast lutjeje ndërmjetësuese". Çast për t'u jetuar me "famullitë, bashkësitë fetare soditëse dhe apostolike, madje edhe me ata pak shtegtarë të pranishëm ndër ne, që të luten së bashku për paqen, duke ia besuar Virgjërës Mari". "Gjithçka që mund të bëjmë, është të lutemi", përfundon primati latin, duke na ftuar "të ndihmojmë dhe të jemi pranë të gjithëve, veçanërisht atyre që janë goditur më rëndë", në mënyrë që e gjithë bota të mund të shikojë "një rreze drite".

Ndërmjet atyre që bëjnë thirrje për lutje është edhe kujdestari i Tokës së Shenjtë, frati Francesco Patton, i cili ditët e fundit shprehu në AsiaNews shqetësimin për situatën e tensionuar në rajon, në një klimë “surreale”. Për këtë arsye u drejtohet françeskanëve të Kujdestarisë duke i ftuar të thonë një "Lutje për paqe drejtuar Marisë së Ngjitur në Qiell", gjatë kremtimeve të planifikuara për 14 dhe 15 gusht si shenjë shprese, e edhe në mënyrë që palët e përfshira të mund të rifillojnë bisedimet për një armëpushim, në Gaza.

“Jetojmë në kohë shumë të vështira, kur është veçanërisht e rëndësishme të lutemi për paqe”, vëren kujdestari, i cili citon një fragment nga Apokalipsi: “Ne e dimë se kur shenja e Gruas, që do të lindë, duket në Parajsë, duket edhe dragoi i ferrit, i cili lëshohet kundër bijve të Saj, por ndeshet me milicitë qiellore të udhëhequra nga Shën Mëhilli Kryeengjëll. Për këtë arsye - përfundon ai - ne besojmë se është edhe më e rëndësishme që kjo ditë të jetë ditë lutjesh të vazhdueshme”, për të gjithë.

Së fundi, autoriteti më i lartë shiit në Irak, i madhi Ajatollah Ali al-Sistani, foli për herë të parë për luftën në Gaza – gjatë së cilës, që nga 7 tetori,  vdiqën pothuajse 40 mijë njerëz, shifër e barabartë me afërsisht 1.8% e popullsisë, gjë që flet për "pasoja katastrofike" të lidhura me shkallëzimin në vijim.

Duke kujtuar sulmin tjetër kundër një shkolle në Rrip, fundjavën e kaluar, prijësi fetar kujton "se ushtria okupuese izraelite kreu rishtas një masakër të madhe, përveç serisë të vazhdueshme të krimeve". Vrasjet e  fundit të dy liderëve të Hamasit dhe Hezbollahut po krijojnë rrezikun e "përplasjeve të mëdha", paralajmëron ai, të cilat mund të kenë "pasoja katastrofike" për rajonin. “Ne i kërkojmë edhe një herë botës ta kundërshtojë këtë brutalitet të tmerrshëm - përfundon al-Sistani - i cili u bën thirrje myslimanëve të bashkohen për të nxitur përfundimin e luftës vëllavrasëse”.

14 gusht 2024, 11:19