At Gjergj Fishta: "Të Lémt e Zojës"
R.SH. / Vatikan
At Gjergj Fishta: "Të Lémt e Zojës"
1 Shka kanë rá, thue, mbramë do valle,
Qi atje larg, kah Nazareti,
Kanë jehue n’per male e zalle?
E pse qiella, toka e deti
Disi n’gaz sot janë stolisun,
Per të cillen Shkrola flet?
2 Po thonë Anës e Joakimit
Se ‘i hyll vajze u paska lé,
Si ajo drita prej agimit,
Si ajo voesa e nadjes s’ré:
Syni i sajë nji rreze di’llit,
Shtati i sajë gjeth drandofillit:
Nji Prendverë n’blerim të vet!
3 Kúr po i qeshka syni e ftyra
Neper rreze të bindueshme,
Thue po u ndêka atë herë pasqyra,
M’t’cillen prirun Mendja e amshueshme,
T’natyrës s’vet sheh t’kthelltat hije,
Edhe gjallë t’hyjnueshmen Dije
M’nja si vedin e perfton.
4 Disá bija t’Izraelit
N’shêj pa’n dá n’shekull, si bora,
Kah shkrepë dielli krés s’zabelit:
Si ‘ i Suzanë, si nji Debora,
Si Abigajli – e pastra lule,
Me Juditen n’atë Betule,
Kapidanat qi i shkurton.
5 Por, si Kjo, nuk duel kurrnjâna,
As kah hiri, as kah pashija;
Emen t’bukur edhe Nâna
Ksa’i ka njitë, tu’ e quejtë M a r i j a:
Nji send qi, kur t’xâsh ket’ êmen,
N’shpûzë të ferrit anmiqt trêmen,
Si me u shkrepë rrfeja e Tenzot.
6 Kuer m’ngujime t’t’naltë Empirit,
Ati i Dritës ketë Bí e páka,
Edhe Nânë m’i a zgjedhë të Birit
N’fllad t’Dashtnís së vet Ai dáka:
Kaq iu dukka synit t’ Tí,
Sá me e dashtë n’gjak e n’gjiní –
N’gjiní nierin me nji Zot!
7 Êjët atë herë marrin flutrimin
Kupa e qiellës mâ e ndeztë kah kthiellet,
E, si pasë e kishin msimin,
Dymbdhetë hyj shkepin prej qiellet,
per me ndreqë me ta nji keze
Të tânë dritë e të tânë rreze,
Zojës Mari m’i a çue per shêj.
8 Fíll kah hâna mandej zbrisin
Krah- praruem të trollit t’Zotit
Kû ata hîjn me ‘i herë t’i a shndrisin
Hânës argjanin, ndryshkë prej motit:
Perse hâna n’kohë qi t’vije,
Ksajë Bij, shkamb nen kambë do t’rrije
Si tha Njai, qi urdhnon mbi rêj.
9 E me rreze të ksajë hâne
E me ato rreze të diellit,
Ejët kanë nisë prap fíll t’a xâne
M’endë nji veshë mbas xêjes s’qiellit,
Me të cillen do t’kandritet
Vasha e vogel – kúr të rritet –
Si Mretneshë e qiellës e e dheut.
10 Pse Mbretneshë kjo Vashë do t’vêhet
Mbi rudina të Parrizit,
- Gurra e dritvet fill kû xêhet -
Si edhe m’rrahe të morrizit;
E perpara kësajë Zoje
Gjû ‘n natyra do t’lakoje:
Para Nânës së Nazareut.
11 Nazareu, po Fjala e t’Lumit,
Si e caktuemja t’mbrrîje stina,
Ka me dalë prej gjiut t’Amshu’mit,
E, si n’bashkë bjen serotina,
Ka me u djergë n’zemer t’ksajë Bije,
Neper ravë, qi Ai veç mund t’dije,
Per me marrun mish e gjak.
12 E m’atë herë kjo fjolle kemit
Kjo pinjollë – lule Jerikut
- Nâmi i dheut, e i Ruzalemit -
Ka m’i a shtypun kryet anmikut:
Kryet anmikut ka m’i a shtypun,
Qi ‘i herë n’Eden m’Landë tue hypun,
Mbarë njerzimin shtini n’lak.
13 Rritu, prá, deh! rritu, o e Lume!
Si filzat kah Prendvera,
Si qeprizat permbi lume,
Si njai lili, qi i vjen era:
E si rrezja endu shtatit,
Perse t’lémt nen hije t’mkatit
Syt t’U kqyrin per shelbim.
14 Ti na rresh, po, njatë Hyll dritet,
Qi i kje folë fisit t’Jakobit
E prej s’Cillit jeta pritet;
Se m’atë herë t’gjith bijt e kobit,
Qi n’per Ty do t’i shndrisë Feja,
Kanë me t’xânë Ty valle t’reja,
Kanë me t’kndue per jetë n’amshim.
Marrë nga ‘Vallja e Parrizit’
…2 Po thonë Anës e Joakimit/Se ‘i hyll vajze u paska lé, /Si ajo drita prej agimit, /Si ajo voesa e nadjes s’ré: / …/6 Kuer m’ngujime t’t’naltë Empirit, /Ati i Dritës ketë Bí e páka, /Edhe Nânë m’i a zgjedhë të Birit/N’fllad t’Dashtnís së vet Ai dáka: /Kaq iu dukka synit t’ Tí, /Sá me e dashtë n’gjak e n’gjiní –/N’gjiní nierin me nji Zot!/...E perpara kësajë Zoje/Gjû ‘n natyra do t’lakoje: /Para Nânës së Nazareut. /11 Nazareu, po Fjala e t’Lumit, /Si e caktuemja t’mbrrîje stina, /Ka me dalë prej gjiut t’Amshu’mit, /E, si n’bashkë bjen serotina, /Ka me u djergë n’zemer t’ksajë Bije, /Neper ravë, qi Ai veç mund t’dije, /Per me marrun mish e gjak.