Çelësi i fjalëve të Kishës: shenjtëroret e Zojës në Kinë
R.SH. – Vatikan
Sot, do t’ju flasim për dy shenjtërore të rëndësishme në Kinë. Kur misionari jezuit Matteo Ricci, ati i katolicizmit kinez, u prit më 22 janar 1601 në pallatin perandorak, kishte me vete 12 dhurata për perandorin. Njëra prej tyre ishte kopja e fugures së shën Marisë Salus populi romani, nga bazilika e Zojës së Madhe në Romë, shumë e dashur edhe sot e kësaj dite, sidomos për Papën Françesku. Kështu filloi, qindra vjet më parë, një histori dashurie ndërmjet bashkësisë së vogël të krishterë kineze dhe Nënës së Zotit. Feja mbijetoi edhe gjatë viteve të errëta të persekutimit komunist, falë devocionit të popullsisë për Zemrën e Krishtit, për Zojën e Bekuar dhe për Papën.
Shenjtërorja e Donglu
Janë dy, shenjtëroret e Zojës më të dashura për katolikët kinezë. Të dyja i kushtohen Marisë Ndihmë e të Krishterëve, që kremtohet më 24 maj, sepse të dyja vendet e kultit e kanë zanafillën në ndërhyrjen e shën Marisë në mbrojtje të të krishterëve në rrezik. Historia e parë fillon në vitin 1900. Fshati katolik i Donglu u rrethua nga mijëra rebelë të gatshëm t’i masakronin banorët, gjatë së ashtuquajturës revoltë e Boxer-ëve kundër kolonialistëve. 700 besimtarët dhe meshtari nuk patën zgjidhje tjetër, veçse t’i luteshin Zojës. Befas, u duk një grua e rrethuar nga drita dhe rebelët, që u ndienë të frikësuar dhe të pafuqishëm, u tërhoqën. Besimtarët e mbledhur në Kishë panë që fugurja e Zojës u zbardh për një farë kohe e pastaj, Zoja u duk prapë në të. Prandaj, ata besuan se shën Maria kishte dalë jashtë për të trembur e për të larguar rebelët e pastaj, ishte kthyer sërish. Për ta falënderuar Virgjrën për mbrojtjen e saj, u ndërtua një Kishë.
Figura e perandoreshës vejushë Cixi, me rroba perandorake, u përdor si model për të portretizuar Zojën, që mbante në krah Krishtin Fëmijë. Në vitin 1924, ipeshkvijtë e Kinës vendosën ta shpallnin Shenjtërore Kishën e Donglu. Fugurja dhe kisha u bënë cak shumë popullor shtegtimesh. Në vitin 1932, Papa Piu XI miratoi kultin dhe shenjtëroren. E shkatërruar nga japonezët në vitin 1941, Shenjtërorja u rindërtua dhe u zgjerua ndërmjet viteve 1989 dhe 1992 dhe iu kushtua Marisë - Ndihmë e të Krishterëve. Dhjetëra mijëra besimtarë (përfshirë katër ipeshkvij dhe njëqind meshtarë) dëshmojnë se më 23 maj 1995, në prag të festës së Marisë Ndihmë e të Krishterëve, në Shenjtëroren e Donglu ndodhi mrekullia e diellit, njëlloj si pati ndodhur në Fatima të Portugalisë, më 13 tetor 1917. Që atëherë, autoritetet komuniste i pengojnë besimtarët të shkojnë në shtegtim në Donglu, megjithëse fshatrat rreth shenjtërores janë kryesisht katolike. Gjithsesi, devocioni i popullit ka arritur t'u shmanget nganjëherë kontrolleve, duke e mbushur plot me besimtarë shenjtëroren.
Shenjtërorja e Sheshanit
Shenjtërorja tjetër kineze, më e popullarizuara në Kinë, është ajo e Zojës së Sheshanit, jo shumë larg nga Shangai, kushtuar gjithashtu shën Marisë Ndihmë e të Krishterëve. Këtu rrahin njerëz nga e gjithë Kina, sidomos gjatë muajit maj, për festën e 24 majit. Shenjtërorja ndodhet në majë të një kodre dhe shumë besimtarë ecin në gjunjë deri sipër, duke u ndalur në 14 stacionet e Udhës së Kryqit. Historia e Zojës së Sheshanit fillon në vitin 1863, me blerjen e kodrës së Sheshanit nga jezuitët. Më 1 mars 1868, ipeshkvi i Shangait, francezi Adrien Languillat, shenjtëroi kapelën dhe bekoi fuguren e Zojës Ndihmë e të Krishterëve, bërë sipas modelit të Zojës së Fitores në Paris.
Në shtator 1870, gjatë një revolte të përgjakshme, bashkësia jezuite e Shangait u zotua të ndërtonte një bazilikë në majë të kodrës Sheshan nëse Zoja e kursente dioqezën nga shkatërrimi, që e kërcënonte. E kështu ndodhi. Më 24 maj 1871, në prani të mijëra besimtarëve, u vendos gurthemeli i Bazilikës së re, që u shugurua në vitin 1873. Kisha, 56 metra e gjatë me një kambanore 38 metra të lartë, u ndërtua falë bujarisë së katolikëve dhe konsiderohet bazilika e parë mariane e Azisë Lindore. "Zoja e Sheshanit" u deklarua pajtore e Kishës së Shangait. Më 1874, Papa Piu IX u dha ndjesën e plotë shtegtarëve, që e vizitonin shenjtëroren në muajin maj. Më 1894, në gjysmën e kodrës, u ndërtua një Kishë e dytë mariane. Kështu, shenjtërorja, e përbërë nga dy Kisha të mëdha, u bë pikë referimi kombëtare dhe ndërkombëtare për fenë katolike.
Revolucioni Kulturor kinez dhe shkatërrimi i shtatores origjinale
Në vitin 1924, Legati apostolik Celso Costantini mblodhi Sinodin e parë kinez në Shangai, i cili miratoi titullin e Mbretëreshës së Kinës për Zojën e Sheshanit. U porosit një fugure e Nënës së Zotit, me Krishtin në krah dhe u vendos në shenjtërore, ku ende vijon të nderohet në altarin kryesor. Që atëherë, filluan shtegtimet e përvitshme, duke e bërë atë shenjtëroren më të rëndësishme në Kinë. Gjatë Revolucionit Kulturor kinez, shtatorja origjinale u shkatërrua, si çdo gjë tjetër, që kishte të bënte me fenë. Vetëm në prill 2000, ipeshkvi Aloysius Jin Luxian u lejua të vendosë një shtatore të re, që pasqyron Virgjërën Mari, e cila ngre lart Jezusin Foshnjë mbi kryet e saj, me krahët e shtrirë në një gjest kryqi. Në bazë është kuçedra me tre bishta, e shtypur me këmbë nga Zoja.
Dita Botërore e Lutjes për katolikët kinezë
Në maj 2007, Papa Benedikti XVI vendosi një Ditë Botërore të Lutjes për katolikët kinezë, për t’u kremtuar pikërisht më 24 maj, ndërsa një vit më vonë shkroi një lutje të veçantë për Zonjën e Sheshanit. Fatkeqësisht, që atëherë, autoritetet politike dhe policore ndalojnë shumë nga shtegtimet në muajin maj dhe i pengojnë shpesh besimtarët të hyjnë në shenjtërore. Dhjetëra mijëra shtegtarë, që shkonin çdo vit në Sheshan, aktualisht janë reduktuar në disa mijëra. Por besimi i katolikëve kinezë te Mbretëresha e Kinës nuk zbehet, pavarësisht vështirësive të së shkuarës dhe të së tashmes.