Indonezianë në lutje Indonezianë në lutje

Dialogu ndërfetar në qendër të vizitës së Papës në Indonezi

Ndërsa Indonezia i uron mirëseardhjen Papës Françesku, një prift indonezian, punonjës në Dikasterin vatikanas për Dialogun Ndërfetar, flet për rëndësinë e udhëtimit të 45-të apostolik ndërkombëtar të Atit të Shenjtë

R.SH. – Vatikan

Udhëtimi i 45-të apostolik ndërkombëtar i Papës Françesku sapo filloi dhe etapa e tij e parë është Indonezia, një vend me 87% të popullsisë myslimane. Indonezia është edhe komb i karakterizuar nga një bashkëpunim i thellë ndërfetar, një shoqëri pluraliste ku parimet e së ashtuquajturës "Pancasila" ofrojnë bazën për harmoninë, kujdesin dhe respektin për të tjerët.

I lindur në ishullin e bukur indonezian të Flores, Át Marcus Solo Kewuta, verbit, është punonjës i Dikasterit vatikanas për Dialogun Ndërfetar dhe ka përvojë të madhe në marrëdhëniet ndërfetare, veçanërisht në ato ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve në Azi dhe Paqësor.

Katedralja e Xhakartës, siç shihet nga xhamia
Katedralja e Xhakartës, siç shihet nga xhamia

Dialogu ndërfetar në Indonezi

Në një intervistë për shtegtimin papnor, Át Marcus nënvizon centralitetin e dialogut ndërfetar në vendin e tij, për të cilin vë në dukje karakteristikën kryesore, larminë.

"Indonezia është një shoqëri shumë pluraliste, një vend pluralist, një komb pluralist", shpjegon ai, duke nxjerrë na pah larminë e vendit, me 17.000 ishujt dhe grupet e shumta etnike, me fetë dhe gjuhët e tij.

Kjo larmi, thekson meshtari, kërkon një angazhim të përditshëm në dialogun ndërfetar, me forma të ndryshme si "dialogu i jetës, dialogu i bashkëpunimit, dialogu i shkëmbimeve shpirtërore dhe dialogu i reflektimeve teologjike".

"Gjithashtu, siç pati thënë me të drejtë Papa Gjon Pali II, ka edhe një dialog të zemrës dhe të gjitha këto lloje dialogu, që zhvillohen në Indonezi çdo ditë," thekson meshtari indonezian.

Një nga ngjarjet kryesore të vizitës së Papës Françesku është nënshkrimi i një deklarate të përbashkët në Xhaminë Istiqlal të Xhakartës, që simbolizon rëndësinë, për kombin dhe Papën, të nxitjes së mirëkuptimit e të paqes së ndërsjellë.

Prania e Papës, shpjegon meshtari verbit, nënvizon rëndësinë e dialogut ndërfetar "dhe në të njëjtën kohë, na frymëzon për ta bërë atë më mirë". "Unë personalisht jam shumë i lumtur që programi i dialogut ndërfetar është vërtet qendra e vizitës së Papës Françesku në Indonezi”.

Katolikë indonezianë në meshë
Katolikë indonezianë në meshë

Pancasila: themeli i unitetit indonezian

Një element i rëndësishëm në kuptimin që i jep Indonezia harmonisë ndërfetare është e ashtuquajtura Pancasila, baza filozofike e kombit. Át Marcus shpjegon se Pancasila u krijua nga ati themelues i vendit, Sukarno, në vitin 1945 dhe përbëhet nga pesë shtylla: besimi në një Zot të vetëm, humanizmi social, uniteti i Indonezisë, demokracia sociale dhe drejtësia sociale.

"Pancasila do të thotë pesë shtylla. Ajo është baza jonë themelore filozofike e kombit, e shtetit. Është e integruar në kushtetutën e vendit tonë," vë në dukje meshtari. Këto shtylla jo vetëm që qeverisin kombin, por promovojnë edhe identitetin e përbashkët të indonezianëve, pavarësisht nga prejardhja e tyre fetare, ose etnike. Ati i Shenjtë do t'i vlerësojë këto parime, nënvizon Át Marcus: "Jam i sigurt se Papa Françesku do ta vlerësojë vërtet këtë, ashtu siç është".

Sfidat për bashkëjetesën ndërfetare

Ndërsa Indonezia përmendet shpesh si një model i bashkëjetesës së suksesshme ndërfetare, Át Marcus pranon se ka mjaft sfida, që përfaqësohen nga intoleranca në rritje dhe nga fundamentalizmi radikal. "Nuk është gjithmonë e lehtë të jetosh në një shoqëri ndërfetare, shoqëri pluraliste si Indonezia", vëren ai, duke shpjeguar se pavarësisht nga natyra kryesisht mendjehapur dhe gjithëpërfshirëse e myslimanëve indonezianë, që janë anëtarë të organizatave si Nahdlatul Ulama dhe Muhammadiyah, ka elementë brenda shoqërisë, që i rezistojnë integrimit të kulturave lokale dhe nxisin ndarjen. Vizita e Papës Françesku, thekson Át Marcus, bëhet në një moment vendimtar, duke na dhënë mundësinë për të përforcuar vlerat e tolerancës dhe të unitetit.

Xhamia Istiqlal e Xhakartës
Xhamia Istiqlal e Xhakartës

Roli i Kishës Katolike

Pavarësisht se pakicë, Kisha Katolike në Indonezi është "shumë e gjallë dhe aktive", pohon meshtari, duke përshkruar shërbimet dhe ngjarjet e ndjekura nga një numër i madh besimtarësh.

"Kishat janë gjithmonë shumë të vogla" në krahasim me nevojat, vë në dukje ai, duke treguar se po ndërtohet një bazilikë katolike imponuese në kryeqytetin e ri Nusantara, në ishullin Borneo. Át Marcus nënvizon se katedralja e Zojës së Madhe në Xhakartë është pikërisht përballë xhamisë më të madhe të kryeqytetit. Kjo afërsi dhe lidhja fizike e katedrales me xhaminë nëpërmjet një "Tuneli të Miqësisë" shërbejnë si simbol i fuqishëm i vëllazërimit fetar dhe i respektit të ndërsjellë.

“Kjo është diçka shumë e bukur dhe e vlerësoj shumë nismën për krijimin e një tuneli, që lidh katedralen dhe xhaminë në Xhakartë. Është simbol i vëllazërimit, i tolerancës dhe i historisë së vetme të Indonezisë”.

Shpresat për vizitën e Papës

Ndërsa Papa ndodhet tashmë në Indonezi, Át Marcus shpreh besimin se Françeskut do t’i bëjë përshtypje ky vend i pasur me kultura dhe fe.

"Ai do të shohë njerëzit, gratë me shalle në kokë dhe myslimanët me lloje të ndryshme veshjesh, por edhe budistët dhe hinduistët. Është larmi. Është mozaik i bukur”, përfundon ai, duke vënë në dukje se indonezianët do t’i dëshmojnë Atit të Shenjtë praktikën e “silaturahmi”-t, që do të thotë “takim me njëri-tjetrin për të promovuar kulturën e takimit, theksuar kaq shpesh nga vetë Papa Françesku”.

03 shtator 2024, 16:44