Kërko

Ekuador, Eukaristia na tregon udhën e vëllazërisë e të solidaritetit

Kardinali Porras Cardozo, Kryeipeshkëv Nderi i Karakasit, kryesoi, në emër të Papës, Meshën përfundimtare të Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar, që u mbajt në Kuito, më 15 shtator: të kujdesemi për ata "janë të uritur për ushqim dhe dinjitet". Kongresi Eukaristik Ndërkombëtar i radhës do të mbahet në Sidnej, Australi, në vitin 2028

R.SH. – Vatikan

Ngjyrat e shumta të flamujve nga e gjithë bota, shoqëruar nga gëzimi i rreth 25.000 besimtarëve të pranishëm në Parque Bicentenario në Kuito, Ekuador, e mirëpriten kremtimin përfundimtar, të dielën e kaluar më 15 shtator, të Kongresit të 53-të Eukaristik Ndërkombëtar. Statio Orbis u kryesua nga delegati papnor, kardinali Baltazar Enrique Porras Cardozo, kryeipeshkëv nderi i Karakasit, i shoqëruar nga At Wilson Posligua Bran, vikar për jetën rregulltare dhe At Darvin Salazar Calderón, kancelar kryedioqezan.

Vëllazëria për të shëruar botën

Mbajtur me rastin 150-vjetorit të përkushtimit të Ekuadorit Zemrës së Shenjtë të Jezusit, nga 8 deri më 15 shtator, Kongresi reflektoi mbi temën "Vëllazëria për të shëruar botën". Dhe pikërisht në këtë aspekt të veçantë, kardinali Porras e përqendroi predikimin e tij të Meshës që mbylli Kongresin Ndërkombëtar Eukaristik: "Për të krishterët - tha ai -, vëllazëria nuk është një opcion, por një imperativ ungjillor", "është lidhja e bashkimit ndërmjet njerëzve si një shprehje e bijësisë autentik, duke respektuar dinjitetin e personit, barazinë e të drejtave dhe solidaritetin ndaj njëri-tjetrit, në një njohjeje radikale me atësinë krijuese dhe amësinë ngushëlluese”.

Kujdesi për ata që janë të uritur për ushqim dhe dinjitet

Prandaj, referimi i delagatit papnor ndaj Eukaristisë jo si "kujtim i thjeshtë, por më tepër si një përkujtim" i Mirësisë së Zotit që na tërheq drejt vetvetes. “Eukaristia – nënvizoi kardinali Porras – largon urinë për gjërat materiale dhe ndez dëshirën për të shërbyer e na kujton se ne nuk jemi vetëm gojë për të ushqyer, por edhe duar për të ushqyer të afërmin tonë”. Nga ky këndvështrim, theksoi kardinali Porras, është më “urgjente se kurrë të kujdesemi për ata që janë të uritur për ushqim dhe dinjitet, për ata që nuk kanë punë dhe luftojnë për të siguruar bukën e gojës”, sepse “vëllazëria e besimtarit që ushqehet nga Eukaristia riformulon marrëdhëniet me të tjerët, dimensionin e faljes dhe ndihmën samaritane”.

Dimensioni ekologjik, virtytet që duhen ndërtuar

Kryeipeshkvi i Nderit të Karakasit theksoi se si kujdesi për shtëpinë e përbashkët është gjithashtu fryt i vëllazërisë: "Nga Amerika Latine, një kontinent i shkatërruar nga shfrytëzimi i paarsyeshëm i natyrës - shpjegoi kardinali Porras -, dimensioni ekologjik merr "qytetarinë" e virtyteve që duhen kultivuar, dhe punimet e sinodi për Amazonën, me mbrojtjen e krijimit dhe të kontekstit në të cilin jetojmë, fitojnë sot një dimension që ne nuk mund ta shpërfillim”.

Shihemi në Sydney në 2028

Përpara bekimit përfundimtar të Meshës, delegati papnor njoftoi se Kongresi i ardhshëm Eukaristik Ndërkombëtar, i 54-ti, do të mbahet në Sidnej të Australisë në vitin 2028. Lajmi u mirëprit me entuziazëm nga delegacioni australian i pranishëm në Kuito dhe u pasua nga shfaqja e një video për të shpjeguar se si vendi po përgatitet për ngjarjen që do të vijë njëqind vjet pas Kongresit të parë të organizuar në Australi, më 1928.

17 shtator 2024, 12:30