Volto di Gesù Cristo come è apparso a Suor Faustina Volto di Gesù Cristo come è apparso a Suor Faustina

Fjala e Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit ‘B'

Nuk është besimtar i vërtet kush thotë se ka fe por nuk i do vëllezërit në mënyrë konkrete dhe nuk e ndjek Jezusin në udhën e kryqit: kjo është përmbledhtas ajo çka na kujton Ungjilli i kёsaj sё diele nga Marku (Mk 8,27-35). Jezu Krishti Zot nuk ka ardhur për të mësuar ndonjë filozofi por udhën që çon në jetën e vërtetë.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 24-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Fjala e Zotit e dielës së 23-të gjatë vitit kishtar “B"

Fjala e Zotit e dielës së 23-të gjatë vitit kishtar “B"

Fjala e Zotit e kësaj së diele na flet mbi Personin e Mesisë, duke na ftuar e ndihmuar ta zbulojmë në Krishtin fytyrën e vërtetë të Hyjit Dashuri e Shëlbues. Kështu, pjesa e Ungjillit na ndihmon ta njohim identitetin e Jezu Krishtit dhe na drejton thirrjen për të ecur gjurmëve të Tij udhës së kryqit. 

Leximet biblike të Fjalës Hyjnore të kësaj së diele të 24-të gjatë vitit kishtar, na ftojnё të përgjigjemi në dy pyetje thelbësore: “Kush është për ty Jezusi i Nazaretit?”. E pastaj: “A shndërrohet dhe mishërohet Feja jote personale në vepra apo jo?”. Në pyetjen e parë Pjetri apostull jep një përgjigje të qartë e të menjëhershme: “Ti je Krishti”, që do të thotë Mesia, i shuguruari i Hyjit i dërguar për shpëtimin e popullit të vet. Pjetri dhe apostujt tjerë, pra, në dallim me pjesë e madhe të njerëzve, besojnë se Jezusi nuk është një mësues i madh, apo një profet, por shumë më tepër. Ata kanë fe: besojnë se në Të është i pranishëm e vepron Hyji.

Mirëpo menjëherë pas këtij rrëfimi të fesë, kur Jezusi për herë të parë paralajmëron publikisht se do ti duhet të vuajë shumë e do të vritet, vet Pjetri e kundërshton perspektivën e vuajtjes e të vdekjes. Atëherë Jezusi detyrohet ta qortoi me forcë, për ta ndihmuar atë të kuptoi se nuk mjafton të besosh se Ai është Zot, por të nxitur nga dashuria duhet ta ndjekim rrugës së tij, rrugës së kryqit (krh Mk8,31-33). Jezusi nuk ka ardhur për të na mësuar ndonjë filozofi, por për të na treguar udhën, atë udhë që na udhëheq drejt jetës.

Kjo udhë është dashuria, e cila është shprehje e fesë së vërtetë në Zotin. Nëse ndokush e do të afërmin me zemër të pastër e me bujari, do të thotë se e njeh më të vërtetë Zotin. Nëse përkundrazi ndokush thotë se beson në Zotin, por nuk i do vëllezërit, nuk është besimtar i vërtet. Zoti nuk banon në të. Në Leximin e Dytë të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, Shën Jakobi  pohon në mënyrë të qartë: “Në qoftë se feja nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete” (Jak 2,17).

Shën Gjon Gojarti, njërit ndër Etërit e mëdhenj të Kishës, të cilin kalendari liturgjik na ftoi ta përkujtojmë më 13 shtator, nё një shkrim pikërisht duke komentuar pjesën e cituar të Letrës së Jakobit apostull, mes tjerash shkruan:‘Ndokush edhe mund ta ketë fenë e drejtë në Atin e në të Birin, kështu edhe në Shpirtin Shenjt, por nëse nuk e ka edhe udhën e drejtë, feja e tij nuk do t’i shërbejë për shpëtim. Prandaj kur lexojmë në Ungjill: “Kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë” (Gjn 17,3), mos mendo se ky varg ungjillor mjafton për të na shpëtuar: është e domosdoshme që jeta dhe veprat të jenë krejtësisht të pastërta” (cit.in. J.A. Cramer, Catenae graecorum Patrum in N.I., vol. VIII: In Epist. Cath. Et Apos., Oxford 1844). 

Nuk është besimtar i vërtet kush thotë se ka fe por nuk i do vëllezërit në mënyrë konkrete dhe nuk e ndjek Jezusin në udhën e kryqit: kjo është përmbledhtas ajo çka na kujton Ungjilli i kёsaj sё diele nga Marku (Mk 8,27-35). Jezu Krishti Zot nuk ka ardhur për të mësuar ndonjë filozofi por udhën që çon në jetën e vërtetë.

                                                      Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 50, 5-9

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli, pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. Afër e kam atë që ma jep të drejtën, kush guxon të shtyhet në gjyq me mua? Le të dalim përballë njëri-tjetrit! Kush është kundërshtari im? Le të më dalë përballë! Ja, Zoti Hyj është ndihmëtari im, kush është ai që do të më dënojë? Të gjithë ata do të brishtohen si petku, tenja do t’i brejë!  Fjala e Zotit.

Psalmi 114/115

Do të eci në praninë e Zotit

----------
E dua Zotin sepse e dëgjon
zërin e lutjes sime;
sepse mbi mua e pruri veshin e vet
atë ditë që e thirra në ndihmë.
----------
Më kishin rrethuar leqet e vdekjes,
më kishin shtrënguar leqet e nëntokës,
më ndrydhën trishtime e dhembje.
Emrin e Zotit e thirra në ndihmë:
“Deh, o Zot, ma shpëto jetën!”
----------
I mirë e i drejtë është Zoti,
Hyji ynë është vetë mirësia!
Zoti është mbrojtësi i të vegjëlve:
isha ngushtë e Ai më shpëtoi!
----------
Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes,
sytë e mi prej lotve,
këmbët e mia prej rënies.
Do të eci në praninë e Zotit
në tokën e të gjallëve.
----------

Leximi i dytë Jak 2, 14-18

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull


Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat? A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? Në qoftë se ndonjë vëlla ose ndonjë motër janë të zhveshur ose pa ushqimin e përditshëm, dhe ndokush prej jush u thotë: “Shkoni në paqe! Nxehuni dhe ngijuni!”, por nuk u jepni çka u nevojitet për trup, ç’dobi?!
Kështu edhe feja: në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete. Por ndokush mund të thotë: “Ti ke fenë, kurse unë kam veprat.” Ma trego ti fenë tënde pa vepra, kurse unë do ta tregoj prej veprave të mia fenë.  Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 8, 27-35

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut


Në atë kohë, Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet: “Çka thonë njerëzit, kush jam unë?” Ata i përgjigjën: “Disa thonë se Gjon Pagëzuesi, do tjerë Elia, do tjerë prapë se je njëri ndër profetë.”
Atëherë i pyeti ata: “Po ju, kush thoni se jam?” “Ti je Mesia!” – i përgjigji Pjetri. Ai u urdhëroi rreptësishtë të mos i tregojnë askujt këtë gjë për të.
Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. Ua tha këto krejt haptas.
Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. Jezusi u suall, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djallë, se nuk i ke ndërmend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”
Atëherë grishi popullin bashkë me nxënësit e vet dhe u tha: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë. Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.”  Fjala e Zotit.

Homelia nga Dom Dritan Ndoci:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

E DIELA XXIV GJATË VITIT:BIRIT TË NJERIUT I DUHET TË PËSOJË SHUMË.

(Is 50, 5-9; Ps 115 (114); Jak 2, 14-18; Mk 8, 27-35)

Besoj se janë të shumtë njerëzit që nuk e mohojnë ekzistencën e Hyjit, por mohojnë mundësinë që ky Hyji të njihet. Këtu besoj se nuk përfshihen vetëm për deistët, por edhe të gjithë ata që thonë: «Tek e fundit një Zot kemi të gjithë, sepse fetë e ndryshme janë thjesht shpikje e njerëzve.» Këta njerëz i takojmë shpesh.

Por, sikur krishterimi të ishte një shpikje e njerëzve, patjetër që do ta kishin shmangur të flisnin për një Zot që vdes në kryq.

Njeriu është i prirur që, në lidhje me Hyjin, të mendojë vetëm atë që në Hyjin është madhështore, atë që tregon pushtet mbi gjithçka, sidomos mbi ligjet e natyrës. Por, të mendojë se Hyji mund t’i nënshtrohet Ai vetë ligjeve të natyrës e, aq më tepër “ligjeve” të mëkatit njerëzor, kjo nuk është spontane të mendohet nga njeriu.

Një pasqyrë të kësaj prirjeje të sëmurë të njeriut na e paraqet edhe Ungjilli i sotëm, por duke na treguar edhe “ilaçin” që duhet të përdorim për shërimin e saj.

Por, para se të kthehemi përsëri tek ky aspekt, na duhet patjetër t’i marrim me radhë ngjarjet Ungjillit të sotëm. Jezusi është duke ecur udhës së bashku me nxënësit e vet. Gjatë këtij udhëtimi Ai dëshiron të dijë se çfarë thotë populli për Të. Prandaj edhe i pyet: «Çka thonë njerëzit, kush jam unë?» Përgjigja është: «Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, do tjerë Elia, do tjerë prapë se je njëri ndër profetë.» Shihet se populli nuk e kishte kuptuar saktë kush ishte Jezusi. Kishte kuptuar se ishte i veçantë, se ishte njeri i mbështetur nga Hyji në atë që bënte, por nuk kishte kuptuar risinë e Tij: se Ai është shpëtimtari, Mesia.

Pikërisht kjo është përgjigja që jep Shën Pjetri – në emër të të gjithë nxënësve të tjerë – kur Jezusi i pyet se çfarë mendojnë ata për Të. Na bën përshtypje se si Jezusi nuk dëshiron të dijë vetëm se çfarë nxënësit kanë dëgjuar të thuhet për Të, por se çfarë mendojnë ata vetë. Është pyetja të cilës secili prej nesh duhet t’i përgjigjet vetë: Kush është Jezusi për mua? Le ta fusim në xhep këtë pyetje e ta marrim me vete në shtëpitë tona! Le të gjejmë ndonjë çast ku të mund ta nxjerrim nga xhepi dhe, duke e vënë përballë ndërgjegjes sonë, t’i përgjigjemi me sinqeritet! Jezusi dëshiron që ti vetë t’i japësh përgjigjen tënde.

Kjo, pra, ndodh edhe me nxënësit që në ato çaste po udhëtonin me Jezusin dhe përgjigjja që Shën Pjetri jep, është shumë e saktë: «Ti je Mesia.» Në ungjijtë e tjerë, kjo përgjigje është edhe më e plotë: «Ti je Mesia, Biri i Hyjit të Gjallë.» (Mt 16, 16) Jezusi është Shpëtimtar, sepse është Biri i Hyjit e Hyj Ai vetë. Ja, ajo që e dallon Jezusin: nuk është një njeri i mirë, i paqes, i dialogut, apo një profet i madh... dhe kaq. Ai është vetë Biri i Hyjit.

Por Ungjilli i sotëm në e vërteton se, për të kuptuar Jezusin, as kjo dëshmi feje – që është shumë e saktë – nuk mjafton. U dashka edhe diçka tjetër. Pasi Pjetri jep këtë përgjigje, Jezusi u urdhëron «rreptësishtë» që të mos ia tregojnë askujt një gjë të tillë. Pastaj fillon t’u zbulojë atë që do t’i ndodhte së shpejti. Thotë Ungjilli: «Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut – një mënyrë e Besëlidhjes së Vjetër për të folur për Mesinë – i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh.»

Mund ta imagjinojmë lehtë habinë që kjo gjë duhet të ketë shkaktuar tek nxënësit. Për sa i përket Ngjalljes që Jezusi e përmendte, nuk duhet t’u ketë bërë edhe aq shumë përshtypje, sepse mund ta kenë marrë si mënyrë të foluri për ngjalljen prej së vdekuri në fundin e kohëve, gjë të cilën judenjtë e besonin. Por ajo që i shqetësoi, ishte «vrasja» e Tij.

Prandaj Pjetri bëhet përsëri zëri i vëllezërve të vet dhe «e ndau Jezusin në një anë, e zuri ta qortojë». Ungjijtë shpesh plotësojnë njëri-tjetrin: në Ungjillin e Mateut gjejmë këtë fjalë të Pjetrit: «Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të të ndodhë një gjë e tillë.» (16, 22) Shën Pjetri nuk arrin ta pranojë faktin se Biri i Hyjit mund të lejonte të mundohej e të vritej nga dora e ndokujt.

Si Shën Pjetri jemi shpesh të gjithë: a nuk është e vërtetë se më shpesh jemi të prirur të mendojmë për një Hyj që «na e prin mbarë», një Hyj që na mban në shëndet, që na mbron familjen, një Hyj që bën dokumentet për jashtë shtetit, ... me një fjalë një Hyj që na shkon për shtat dhe që i bekon projektet tona? Por një Hyj që është dashuri, që fal e që me këmbëngulje kërkon që edhe ne të falim të tjerët, një Hyj të përvujtë të cilin jemi të thirrur t’i përngjajmë, një Hyj që nuk e shmangë kryqin, por e përballon atë duke mos u larguar nga logjika e dashurisë, nuk e pranojmë edhe aq lehtë. E pra, ky është thelbi, jo ato të parat.

Jezusi, për të cilin ne besojmë se është Biri i Hyjit, i mishëron në jetën e tij fjalët që i thoshte Isaia: «Fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat», por që, edhe pse mes vuajtjesh, beson se e ka Hyjin afër: «Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur.»

Shën Pjetri merr një përgjigje vërtetë të ashpër nga Jezusi: «M’u hiq sysh, he djall, se nuk i ke ndër mend punët e Hyjit, por të njerëzve!»

E krahason me djallin. Ka të drejtë, sepse Pjetri po bën rolin e djallit (në greqisht diabulos do të thotë përçarës), siç e shohim në atë pjesën ungjillore ku djalli i thoshte Jezusit të hidhej nga maja e Tempullit dhe, duke qenë se engjëjt do ta prisnin, atëherë do të fitonte besimin e njerëzve. Kurtha e djallit aty ishte që ta bënte Jezusin të mos ndiqte logjikën e dashurisë e të përvujtërisë, por atë të madhështisë. Kjo ishte përçarja që djalli dëshironte të fuste mes Jezusit dhe Atit qiellor. Pikërisht kështu po arsyetonte edhe Pjetri.

Përgjigja e Jezusit është pak më ndryshe nga sa e sjell përkthimi që kemi në shqip. Në origjinalin grek, Jezusi nuk thotë «M’u hiq sysh, he djall!», por «Dil pas meje, he djall!». Pjetrit që po arsyetonte si djalli, Jezusi i thotë që të dalë pas Tij, që të vihet sërish në rresht me nxënësit e tjerë në ndjekjen e Jezusit e jo ta mësonte ai Jezusin. Pjetri kishte ende shumë për të mësuar nga Jezusi.

Ilaçi për ta shëruar prirjen tonë të gabuar që e mendon Hyjin në tiparet e madhështisë, është që të vihemi pas Jezusit, në dëgjimin e Fjalës së Tij. Nuk mjafton vetëm të besojmë se Jezusi është Biri i Hyjit, por duhet që të ndjekim edhe logjikën e Tij të Kryqit.

E, që kjo gjë të kuptohet një herë e mirë nga nxënësit dhe nga të gjithë të krishterët e të gjitha breznive, Jezusi thotë: «Nëse ndokush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë.»

Jezusi na fton që ta lëmë mënjanë krenarinë tonë e të ndjekim përvujtërinë që Ai na mëson. Prandaj shton: «Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.»

Kjo është feja e gjallë: bashkimi me Jezusin e kryqëzuar e të Ngjallur.

Por Shën Jakobi në letrën e tij na e saktëson se feja jonë duhet të jetë e shoqëruar nga veprat konkrete: «Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat?» Jo se na shpëtojnë veprat tona të mira, por, nëse feja jonë nuk është vepruese, nuk mund të pohojmë se është fe e shëndoshë. Feja na ndihmon ta shndërrojmë vetveten aty ku Jezusi na e kërkon. Pastaj, të shndërruar, do të na vijë gati si natyrshëm të veprojmë si Jezusi.

T’i kërkojmë, pra, Jezusit që të na ndihmojë të vihemi në dëgjim në plotë të fjalës së Tij, T’i kërkojmë që të na ndihmojë të jemi vërtetë nxënës të Tij, që t’i biem mohit vetvetes – pra planeve tona, sado të logjikshme të na duken –, e ta marrim kryqin tonë në ndjekjen e Atij që na prin me përvujtëri e dashuri.

Patjetër kryqin nuk do ta kishim dashur, sikur shëlbimin do të na ishte lënë ne ta programonim, por Hyji ka një logjikë tjetër: logjikën e përvujtërisë. Kështu Ai na shëlbon.

«Në veprat e Zotit, asgjë e madhe nuk lind pa dhimbje», shkruante Shën Maksimilian Kolbe. E Shën Augustini mësonte: «A dëshiron të jesh i madh? Fillo të jesh i vogël! A dëshiron të ngresh një ndërtesë që të arrijë deri në qiell? Ndërto më së pari themelet e përvujtërisë!»

Këta njerëz e kishin kuptuar Jezusin.

Dom Dritan Ndoci

14 shtator 2024, 09:50