Giotto, La Cappella degli Scrovegni NEW, Lavanda dei piedi Giotto, La Cappella degli Scrovegni NEW, Lavanda dei piedi

Fjala e Zotit e dielës së 25-të gjatë Vitit kishtar ‘B’

Horizonti i Jezusit është gjithmonë një propozim për jetën e përditshme; është një propozim që bënë gjithmonë në mënyrë që jeta e përditshme të ketë shijen e amshimit. Kush është më i rëndësishëm? Jezusi është i thjesht në përgjigjen e tij: “Kush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i mbrami i të gjithëve e shërbëtori i të gjithëve” . Kush dëshiron të jetë i madh, t’u shërbej të tjerëve, e jo të shërbehet me të tjerët! Jezusi vë gjithmonë në zbatim logjikën e dashurisë.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 25-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Fjala e Zotit e së dielës së 25-të gjatë Vitit kishtar ‘B

Fjala e Zotit e së dielës së 25-të gjatë Vitit kishtar ‘B

Ungjilli i kësaj së diele nga Marku na prezanton Jezusin në sa u bënë dishepujve të vet një pyetje e cila duket e pavend, e pasjellshme. Jezusi i pyeti: “Mbi çka ishin duke biseduar rrugës?” (Mk 9,33). Cilat janë aspiratat tuaja? Dishepujt – pohon Ungjilli – heshtnin. Udhës kishin biseduar se kush prej tyre ishte më i madhi” (Mk 9,34). Dishepujt kishin turp t’i tregonin Jezusit se për çka kishin folur. Në dishepujt e djeshëm, si edhe në ne sot, mund ta gjejmë të njëjtën temë të diskutimit: “Kush është më i rëndësishëm?”.   Jezusi nuk insiston me pyetjen e tij, nuk i detyron t’i tregojnë se për çka flisnin rrugës; e megjithatë pyetja mbetët, jo vetëm në mendje, por edhe në zemër të dishepujve.

“Kush është më i rëndësishëm?”. Një pyetje kjo që do të na shoqërojë për tërë jetën e në të cilën do të thirremi të përgjigjemi në faza të ndryshme të ekzistencës. Nuk mund t’i ikim kësaj pyetje, pse ajo është e skalitur në zemër. Historia e njerëzimit ka qenë e shënuar nga mënyra e përgjigjes ndaj kësaj pyetjeje.

Jezusi nuk i frikohet pyetjeve të njerëzve; nuk ka frikë nga njerëzimi, as nga pikëpyetjet e ndryshme që ai bënë. Përkundrazi, Ai i njeh “ thellësitë” e zemrës njerëzore, e si pedagog i mirë është gjithmonë i gatshëm të na shoqërojë në jetë. Besnik ndaj stilit të vet, Ai jap një përgjigje të aftë për të propozuar një sfidë të re, duke tejkaluar përgjigjet që priteshin. Besnik ndaj stilit të vet, Jezusi vë gjithmonë në zbatim logjikën e dashurisë. Një logjikë e aftë të jetohet e mishërohet nga të gjithë, sepse vlen e është për të gjithë.

Horizonti i Jezusit është gjithmonë një propozim për jetën e përditshme; është një propozim që bënë gjithmonë në mënyrë që jeta e përditshme të ketë shijen e amshimit. Kush është më i rëndësishëm? Jezusi është i thjesht në përgjigjen e tij: “Kush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i mbrami i të gjithëve e shërbëtori i të gjithëve” (Mk 9,35). Kush dëshiron të jetë i madh, t’u shërbej të tjerëve, e jo të shërbehet me të tjerët!  Jezusi e përmbys logjikën e tyre duke u thënë thjesht atyre se jeta e vërtetë jetohet në angazhimin konkret me dhe ndaj të afërmit.

Të jesh i krishterë do të thotë t’i shërbesh dinjitetit të vëllezërve, të luftosh për dinjitetin e vëllezërve e të jetosh për dinjitetin e vëllezërve. Për këtë arsye, i krishteri është gjithmonë i ftuar t’i vë mënjë anë nevojat personale, pritjet, dëshirat e veta të gjithpushtetësisë përballë vështrimit konkret të njerëzve më të brishtë e më nevojtarë.

Ekziston një “shërbim” që shërben; mirëpo duhet të ruhemi prej një shërbimi tjetër, nga tundimi i “shërbimit” që “po” shërbehet. Të ruhemi nga tundimet e “shërbimit që shërbehet”, të shërbimit që përfiton. Jezusi na thotë: “ Kush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i mbrami i të gjithëve e shërbëtori i të gjithëve” (Mk 9,35). Nuk thotë: “Nëse i afërmi yt dëshiron të jetë i pari, le të shërben”. Në jetën tonë duhet ta vendosim në qendër vëllain, të afërmin, atë që vuan dhe që ka nevojë për ndihmën, shërbimin e dashurinë tonë.

                                                    Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I Ur 2,12.17-20

Lexim prej Librit të Urtisë

Thanë të paudhët: “T’i vëmë pritë të drejtit, sepse na pengon dhe u kundërshton veprave tona, sepse na qorton për mëkatet kundër ligjit e na i përplas në sy mungesat e edukatës që kemi marrë. Të shikojmë a janë fjalët e tija të vërteta dhe të shqyrtojmë çfarë mbarimi do të ketë: nëse i drejti është vërtet bir i Hyjit. Ai patjetër do ta ketë kujdes dhe do ta shpëtojë nga duart e kundërshtarëve. Ta vëmë në sprovë me fyrje e me mundime e ta shohim butësinë e sedrës së tij, ta sprovojmë durimin e tij. Ta dënojmë me vdekje të turpshme: sepse siç thotë ai, shpëtimi do t’i vijë!”. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 54

Ti, o Zot, je mburoja ime

 

Më shpëto, o Hyj, pashë Emrin tënd,

me fuqinë tënde mbroje të drejtën time.

O Hyj, vështroje lutjen time,

prire veshin nga fjalët e gojes sime!

 

Sepse krenarët u çuan kundër meje,

mizorët kërkojnë të ma marrin shpirtin:

për Hyjin ata s’kanë kujdes.

 

Por, ja, Hyji po më vjen në ndihmë,

shpirtin tim ai po e merr ndore.

E unë me ëndje do të të kushtoj fli,

do ta lavdëroj Emrin tënd, o Zot,

sepse është i mirë.

 

Leximi II Jk 3,16-4,3

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull

Fort të dashur, ku është smira dhe grindja, atje ka pështjellim dhe çdo të keqe. Kurse urtia që vjen prej së larti më se pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e përshtatshme, plot mëshirë dhe vepra të mira, e durueshme dhe jo shtiracake. Fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që punojnë për paqe.

Nga vijnë ngatërresat dhe grindjet që vlojnë ndër ju? A thua jo këndej: nka lakmimet tuaja që luftojnë në gjymtyrët tuaja? Dëshironi e nuk keni; vritni e keni smirë, dhe gjë nuk fitoni; griheni e luftoni. Nuk keni, pse nuk luteni. Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq që t’i shpenzoni në plotësimin e ëndjeve tuaja. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

 

Aleluja. Aleluja.

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.

Aleluja. Aleluja.

 

Ungjilli Mk 9, 30-37

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi dhe nxënësit e tij kaluan nëpër Galile, por nuk donte ta dinte kush, sepse mësonte nxënësit e vet. U thoshte: “Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh.” Ata nuk morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesin. Arritën në Kafarnahum. Si hyri në shtëpi, i pyeti: “Mbi çka biseduat rrugës?” Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi. Jezusi u ul, i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u tha: “Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i mbrami i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.” Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në midis të tyre, e mori ngrykë dhe u tha: “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

E DIELA XXV GJATË VITIT 'B': UDHËS KISHIN BISEDUAR SE KUSH ISHTE MË I MADHI.

(Urt 2, 1.17-20; Ps 54 (53); Jak 3, 16 – 4, 3; Mk 9, 30-37)

E keni parasysh atë ndjesinë që të krijohet në grykë kur ti sapo ke filluar të hysh në bisedë me një mik, kur sapo ke filluar ta hapësh pak nga pak zemrën për të prekur tema shumë personale të jetës tënde dhe ai, miku yt, papritur e pa kujtuar nxjerr celularin e habitet në rrjete sociale? Sa vetëm mund të jemi ndier në ato çaste?! Është një ndiesi mbytëse, e rëndë, të cilën mbase edhe ne ia kemi shkaktuar të tjerëve kush e di se sa herë.

Ja, kështu i ndodh edhe Jezusit në Ungjillin e sotëm: Ai përsëri u flet nxënësve të vet për Mundimet, Vdekjen e Ngjalljen e Tij që së shpejti do të ndodhnin, duke dashur ta hapë zemrën e vet me ta, kurse ata fillojnë të “grinden” «se kush ishte më i madhi» ndër ta. I shkreti Jezus! Sa vetëm duhet të jetë ndierë në ato çaste?!...

«Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por, kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh.» – u thotë Jezusi nxënësve të vet, e ungjilltari shpjegon se «ata nuk e morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesnin».

Në fakt, herën e fundit që Jezusi kishte thënë po ato fjalë dhe, kur Pjetri kishte filluar ta qortonte Jezusin duke i thënë se Atij, Mesisë, nuk duhej t’i ndodhte një gjë e tillë (siç kemi dëgjuar të dielën e kaluar), puna kishte përfunduar jo fort këndshëm: Jezusi e kishte qortuar rëndë Pjetrin dukë i thënë: «M’u hiq sysh, he djall, se nuk i ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!» Asnjëri prej nxënësve nuk dëshironte më të kishte “fundin” e Pjetrit!

Por Ungjilli nuk thotë vetëm se «kishin frikë». Thotë edhe se «nuk e morën vesh këtë fjalë».

E faktin se vërtet nuk e kishin marrë vesh, e vërteton vazhdimi i ngjarjeve: «Arritën në Kafarnaum. Si hyri në shtëpi, Jezusi i pyeti: “Mbi çka biseduat rrugës?” Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi.»

E përmendëm në fillim ndjesinë e vetmisë që Jezusi duhet ta ketë ndier në ato çaste. Pikërisht ata, miqtë e Tij, nuk ia kishin kuptuar ende Zemrën dhe kishin filluar të bënin plane madhështie në jetët e tyre. «Jemi kaq mendjemëdhenj – thoshte Blezë Paskal – sa do të donim që të na njihte mbarë bota dhe jemi kaq mendjelehtë, saqë vlerësimi i pesë apo e gjashtë vetëve rreth nesh na gëzon e na kënaq.»

Nganjëherë as nuk e vëmë re se ku na ka çuar kërkimi i pushtetit e sa mendjemëdhenj na ka bërë! Shumë njerëz e humbin pafajësinë e shpirtit, vetëm ngaqë fillojnë të jepen pas pushtetit.

Luftrat në botë shpesh herë bëhen jo edhe aq për nevojën e një pushtimi apo mbrojtjeje, por për t’i treguar botës së sa të mëdhenj janë ata pushtues.

Edhe në rastet më vetjake: shpesh herë mundohemi ta mbrojmë me dhëmbë dinjitetin tonë. Është e vërtetë se duhet ndihmuar tjetri ta kuptojë se duhet treguar respekt ndaj asaj që “më i madhi” përfaqëson, por kjo nuk do të thotë se u dashka të bëjmë luftë për t’ia mësuar këtë.

Edhe në hierarkinë kishtare, fatkeqësisht, rreziku nuk është fort larg: jo rrallë ka prej atyre që një detyrë kishtare e shohin si një promovim, si një ngritje në karrierë e jo si një shërbim. Marrja e kushteve, një shugurim meshtarak, një shugurim ipeshkvnor, një emërim si kardinal apo edhe zgjedhjen si Papë, mund ta mendojnë si rritje të dinjitetit personal e jo si shërbim. Nuk e di se si do të ndiheshin këta njerëz përballë asaj që Jezusi sot u thotë nxënësve të vet: «Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i mbrami i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve!»

Edhe ai shërbim që bëhet me synimin për të qenë i pari në këtë botë, nuk përputhet me atë që thotë Jezusi. Kur thotë «kush dëshiron të jetë i pari», Jezusi e ka fjalën për bashkimin me Të, për afërsinë me Mbretërinë Hyjit.

Edhe në shumë familje shpesh ndodhin keqkuptime e grindje, keqtrajtime e poshtërime, vetëm e vetëm nga «dëshira për të qenë të parët». Shën Jakobi sot na e thotë këtë shumë qartë: «Nga vijnë ngatërresat dhe grindjet që vlojnë ndër ju? A thua jo këndej: nga lakmimet tuaja që luftojnë në gjymtyrët tuaja?» E Shën Jakobi u drejtohej të krishterëve, atyre të cilët i kishte ungjillëzuar një herë, por që kishin filluar sërish të kishin grindje e ngatërresa në bashkësitë e tyre e në familjet e tyre, ngaqë i kishin lënë dorë të lirë «lakmimeve që luftojnë në gjymtyrët e njeriut».

Madje «lakmimet» për të cilat ai flet, mund të arrijnë të prekin edhe lutjen tonë: «Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq që t’i shpenzoni në plotësimin e ëndjeve tuaja.» Ekziston rreziku i tmerrshëm që «të lutemi keq»: përballë Krishtit të kryqëzuar mund të qëllojë t’i lutemi që Ai të na japë pushtet, ndërkohë që Ai me gjestin e tij (është në kryq) po na mëson krejtësisht të kundërtën.

Në Ungjillin e sotëm Jezusi bën edhe një gjest konkret, gjest të cilin e shoqëron edhe me një shpjegim përkatës: «Mori një fëmijë të vogël, e vuri midis tyre, e mori ngrykë dhe u tha: “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua”.»

Fakti që Jezusi merr një fëmijë, është shumë domethënës: fëmija është ai që e ka të domosdoshme përkujdesjen e dikujt për t’u rritur. Jezusi mëson kështu se shërbimi me dashuri është gjithnjë shumë urgjent, përndryshe ajo që e pëson është jeta e tjetrit.

Ka edhe më: të përkujdesesh ndaj fëmijës, nuk do të thotë të përkujdesesh ndaj dikujt që të thotë gjithnjë «faleminderit». Shpesh të shkon dëm e gjithë puna e bërë me të. Por këtu qëndron ndryshimi i dashurisë që Jezusi mëson: të shërbesh falas, edhe atëherë kur nga i shërbyeri nuk merr shpërblimin e punës sate. As falënderimin. Duhet dashur falas e me durim! Si një prind me fëmijën e vet. Samuel Xhonson, një prej shkrimtarëve më të famshëm të letërsisë angleze në shekullin XVIII, shkruante: «Masa e vërtetë e një njeriu shihet se si e trajton një njeri nga i cili nuk do të mund të marrë absolutisht asgjë.» «Të pranosh» (që do të thotë: ta duash e t’i shërbesh) «një fëmijë», do të thotë të përgatitesh të mos marrësh asnjë shpërblim. Kjo do të thotë të përgatitesh të duash si Hyji, i cili na do ne edhe pse nuk ia shpërblejmë kurrë si duhet dashurinë e Tij. Prandaj kanë të drejtë ata teologë që thonë se «Shërbimi është arti më i lartë i Hyjit.»

Për këtë arsye Jezusi garanton se ai që do të zgjedhë të dojë një fëmijë ashtu si mëson Ai, do të këtë gjithnjë miqësinë e Tij e të Atit të vet: «Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua e, kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.»

Kjo lloj dashurie nuk mirëpritet gjithnjë nga bota, të paktën jo menjëherë.

Leximi i parë na e tregon se me sa mizori njerëzit mund të bëjnë plane dashakeqe ndaj të drejtit: «Thanë të paudhët: “T’i vëmë prita të drejtit, sepse na pengon dhe u kundërshton veprave tona, sepse na qorton për mëkatet kundër Ligjit e na i përplas në sy mungesat e edukatës që kemi marrë”.» Ligësia njerëzore i mendoi këto fjalë deri edhe kundër të Drejtit më të drejtë që mund të ekzistonte, kundër Jezusit, e prandaj na duhet ta dijmë se ashtu do t’u ndodhë edhe atyre që e ndjekin Jezusin.

Sikurse apostujve iu desh të luftonin me egoizmin e tyre për të kuptuar logjikën e dashurisë falas të Jezusit dhe të përvujtërisë së Tij, ashtu na duhet edhe neve të luftojmë me veset tona e me krenarinë tonë, që të mund të jemi në botë përçues bujarë të Dashurisë Hyjnore.

Megjithatë na duhet ta pranojmë, si me humorizëm, se na “ngushëllon” pak kjo vështirësi e apostujve për ta kuptuar Jezusin: përderisa sa as ata që ndenjën me Jezusin për disa vjet rresht, nuk e patën edhe aq lehtë ta kuptonin Atë, do të thotë se qenka “normale” ta kesh të vështirë të mësohesh me këtë logjikë të Jezusit.

Por ky lloj “ngushëllimi” duhet të na shërbejë vetëm sa për të kuptuar se jemi mëkatarë dhe se Jezusi është i durueshëm me ne. Nëse, përkundrazi, këtë “ngushëllim” do ta përdornim për të justifikuar krenarinë e veset tona, përsëri Jezusin do ta bënim të ndihej vetëm.

E është e rëndë kur të bën të ndihesh vetëm dikush të cilin mendove se e ke mik. Dhe, e dimë: ne Jezusi na çmon si miqtë e Tij.

Dom Dritan Ndoci

 

21 shtator 2024, 11:05