Kërko

 Vangelo della XXVI domenica 'B' Vangelo della XXVI domenica 'B'

Fjala e Zotit e dielës së 26-të gjatë vitit ‘B'

Në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi na mëson se si njё bashkësi besimtarёsh duhet ta ketë zemrën e hapur për të pritur e për të pranuar të mirën kudo ajo lulëzon e nga kushdo që bëhet, sepse e mira nuk është pronë ekskluzive e një grupi apo ndonjë tjetri.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Fjala e Zotit

Autori i librit të Numrave (Leximi Parë) na kujton se vetëm Zoti është "pronar" i Shpirtit, i cili dikohet ku të dojë. Ne duhet të gëzohemi që dhuratat e tij hyjnore janë të shpërndara gjithandej tek tё gjithё. Të mos e imitojmë mendjengushtësinë e Jozuehut, i cili e nxiti Moisiun t’ua ndalojë veprimin profetik Eldadit dhe Medadit. Ose atë të Gjonit apostull (Ungjilli) i cili do të donte të parandalonte një ekzorcist nё ushtrimin e shërbesës së tij, për faktin e thjeshtë se ai nuk është pjesë e grupit të Mësuesit. Jezusi thekson se "kush nuk është kundër nesh, është për ne" dhe na inkurajon të jemi kërkues ndaj vetvetes në mënyrë që të bashkëpunojmë në përparimin e besimit të të tjerëve, duke i mirëpritur ata që kanë nevojë dhe vijnë tek ne në emrin e tij.

Në Letrën e tij (Leximi Dytë), Shën Jakobi jep një paralajmërim të ashpër për të pasurit që mbështeten në pasuritë e tyre kalimtare dhe i keqtrajtojnë punonjësit e tyre, duke i privuar ata nga pagat e drejta. Të mos harrojmë se nuk mund t'i shërbejmë Zotit dhe pasurisë! Të mbushur me dhuratën e Fjalës dhe Bukën e jetës në tryezën Eukaristike, ne nuk mund ta pranojmë padrejtësinë, por jemi thirrur të jemi dhuratë e Zotit për të gjithë. Tё imitojmë bujarinë e Zotit që jep gjithçka.

                                                                      Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I Num 11,25-29

Lexim prej Librit të Numrave (11,25-29)

Në ato ditë, Zoti zbriti në re dhe zuri të bisedojë me Moisiun. Nga shpirti që ishte në Moisiun mori dhe u dha shtatëdhjetë burrave pleq. Kur Shpirti pushoi mbi ta, filluan të profetizojnë, por këtë nuk e bënë askurrë më. Porse dy pleq ndenjën në tëbanishtë. Njëri quhej Eldad e tjetri Medad. Edhe mbi ta pushoi Shpirti. Edhe këta ishin shënuar, por nuk erdhën te tenda. Kur filluan të profetizojnë në tëbanishtë, vrapoi një djalosh e i tregoi Moisiut me këto fjalë: “Eldadi e Medadi po profetizojnë në tëbanishtë!” Jozuehu, biri i Nunit, që Moisiu e kishte zgjedhur t’i shërbejë qysh të ri, tha menjëherë: “Ndalojua, Imzot, Moisi!” Kurse Moisiu përgjigj: “Po a ke smirë për mua? Eh, po të ishte e mundur që i tërë populli të profetizojë e Zoti t’ia jepte Shpirtin e vet!” Fjala e Zotit.  Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 18/19,8.10-14)
Urdhërimet e Zotit japin gëzim


I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.

E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta, të gjitha njënjë të drejta.

Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.
Ruaje shërbëtorin tënd, o Zot, prej krenisë,
që të mos më zotërojë ajo;
atëherë do të jem i patëmetë,
i pastër krejtësisht prej mëkatit të madh.

Shërbëtori yt me kujdes i mëson:
t’i mbash ato është fitesë e madhe.
Porse kush i heton gabimet?
Më pastro, o Zot, prej mëkateve të fshehta

Leximi II Jak 5,1-6

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull ( 5,1-6)

Kujdes, tani ju, o pasanikë! Qani dhe vajtoni për të këqijat që do të vijnë mbi ju! Pasuria juaj u kalb dhe petkat tuaja i brejti tenja. Ari dhe argjendi juaj u ndryshk dhe ndryshku i tyre do të bëhet dëshmi kundër jush dhe do ta hajë trupin tuaj porsi zjarr! Keni mbledhur visare për ditët e fundit! Ja! Paga që u hëngrët punëtorëve që ju korrën arat, bërtet; dhe ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së ushtrive! Jetuat mbi tokë plot luks dhe u këndellet në ëndje të prujta, i ushqyet zemrat tuaja për ditën e therjes! E dënuat, e vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshton. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja
.
Fjala jote, o Zot, është e vërteta: na shenjtëro në të vërtetën.
Aleluja.

Ungjilli Mk 9, 38-43.45.47-48

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut 
Në atë kohë, Gjoni i tha Jezusit: “Mësues, e pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emër tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.” Jezusi i tha: “Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq për mua. Kush nuk është kundër nesh, është me ne. Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë përse jeni të Krishtit, për të vërtetë po ju them: me siguri nuk do ta humbë shpërblimin e vet. Porse, për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua të mëkatojë, do t’ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det. Prandaj, nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr – në zjarr që s’fiket kurrë. E nëse këmba jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh në jetë i çalë se t’i kesh të dy këmbët e të hidhesh në ferr. Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat, nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr ku krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

Homelia nga Dom Dritan Ndoci,:

E DIELA XXVI GJATË VITIT: KUSH NUK ËSHTË KUNDËR NESH, ËSHTË ME NE.

(Nr 11, 25-29; Ps 19 (18); Jak 5, 1-6; Mk 9, 38-43. 45. 47-48)

Duke parë leximet e sotme, mund t’i ndajmë ata në dy tematika kryesore: e para është nevoja urgjente për bashkimin mes të krishterëve, ndërsa e dyta është nevoja edhe më urgjente e largimit tonë nga mëkati. Nuk janë pa lidhje në mes tyre këto tematika. Historia e ka vërtetuar këtë.

Në leximin e parë, sot na tregohet një episod i shkëputur nga Libri i Numrave. Për Izraelin e sapo dalë nga skllavëria e Egjiptit, Moisiut i duhej të jepte udhëzime konkrete për çdo çështje, si për bashkësinë në tërësi, ashtu edhe për çështje familjare e personale. Duke parë se praktikisht ishte e pamundur që t’i bënte ballë gjithë atij fluksi pune, Moisiu zgjodhi shtatëdhjetë burra të cilët do ta ndihmonin në një veprimtari të tillë. Së bashku me ta, hyri në praninë e Zotit e Shkrimi Shenjt thotë: «Zoti zbriti në re dhe zuri të bisedojë me Moisiun. Nga Shpirti që ishte në Moisiun, mori dhe u dha të shtatëdhjetë burrave pleq.» Filluan të profetizojnë, shenjë se ishin mbushur me Shpirtin e Zotit.

Por aty të pranishëm nuk ishin të gjithë burrat e paracaktuar. Dy prej tyre ishin në tebanishtë, pra diku tjetër. Por, prapëseprapë, edhe tek ata pushoi Shpirtit i Zotit e edhe ata filluan të profetizonin. Disa të tjerë shkuan t’i thonë Moisiut se çfarë kishte ndodhur dhe i këshilluan që t’ua ndalonte atyre të profetizonin, duke qenë se nuk kishin qenë të pranishëm së bashku me të tjerët në praninë e Hyjit. Por Moisiu dha një përgjigje të urtë: «Eh, po të ishte e mundur që i tërë populli të profetizojë e Zoti t’ia jepte Shpirtin e vet.» E rëndësishme ishte që edhe ata ishin mbushur me Shpirtin e Zotit. Problem do të ishte sikur të ishin të mbushur me shpirtin e të keqit.

I ngjashëm është edhe tregimi i Ungjillit të sotëm, i cili na tregon se si një njeri po dëbonte djajtë në Emër të Jezusit. Nxënësit ia ndaluan duke menduar se atij nuk i takonte të bënte ashtu, meqë nuk ishte prej të Dymbëdhjetëve. Por Jezusi i korrigjon apostujt: «Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq për mua. Kush nuk është kundër nesh, është me ne.»

Nuk mund ta caktojmë ne sikur dhe tek kush duhet të veprojë Shpirti i Hyjit. Jemi ne ata që, përkundrazi, duhet t’i hapemi veprimit të Tij. Kudo që ka ndonjë vepër realisht të mirë, pa hile, ajo është e frymëzuar nga Hyji. Në atë rast, neve na mbetet vetëm të përkulim kokën në nderim ndaj Hyjit që e ka frymëzuar e realizuar atë të mirë tek njeriu që kemi përballë. Kjo vlen edhe kur vetë ai njeri nuk e mban Hyjin si autor të kësaj të mire.

Ajo që më së shumti ne të krishterët duhet të përpiqemi të bëjmë për arritjen e një bashkimi real mes nesh, është që të kërkojmë çfarë është e mirë tek tjetri e jo edhe aq të kërkojmë çfarë na ndan me të. Këtë të vërtetë e theksonte sidomos Papa Shën Gjon Pali II. Kjo nuk do të thotë se duhet të lihen mënjanë ndryshimet, por se duhet të vihemi në ndjekje reale të Shpirtit të Zotit.

E kjo nuk është utopike: po të vihemi në ndjekje reale të Shpirtit të Zotit, atëherë – kur t’i hedhim një sy historisë, tek momente e përçarjes – do të dijmë t’i ndajmë veprimin e Shpirtit të Zotit nga veprimet egoiste të njeriut si edhe nga veprimet përçarëse të nxitura nga djalli.

Edhe pse jemi të ndarë, prapë se prapë Shpirti i Zotit vepron, si tek ne, ashtu edhe tek ata.

Po të shohim Kishën ortodokse, do të vëmë re se edhe ata kanë disa shenjtër vërtetë të mëdhenj. Aq sa do të na vinte të thoshim: «Po këta qenkan si shenjtërit që njohim ne në Kishën Katolike!» Ta merr mendja se janë të ngjashëm: është i njëjti Shpirt që ka vepruar tek secili.

Edhe në bashkësitë protestante: kanë një njohje shumë të thellë të disa pjesëve të Shkrimit Shenjt. E qartë: ka vepruar i njëjti Shpirt Shenjt, prandaj.

Kjo vlen jo vetëm për ekumenizmin, pra për bashkimin mes të krishterëve, por edhe për dialogun ndërfetar, me jo të krishterët. Po të shohim, për shembull islamizmin, induizmin, budizmin, etj., mund të vëmë re se edhe atje ka arritur të veprojë Shpirti i Zotit, edhe pse gabimet e mbjella në ta nga i Ligu janë shumë më të mëdha.

Përballë veprimtarisë së Shpirtit të Zotit, duhet të kemi një zemër të gjerë dhe t’i zgjerojmë edhe horizontet tona. Kjo ngaqë, siç thonë edhe disa teologë katolikë: «Zoti e ka lidhur shëlbimin për sakramente, por Zoti nuk është i lidhur nga sakramentet.» Ai vepron kudo.

Po cila, atëherë, është rëndësia e të qenit në Kishën Katolike? Rëndësia qëndron në të qenit në plotësinë e veprimit të Shpirtit të Zotit, plotësi e cila gjendet pikërisht në Kishën Katolike. Por, e thamë në fillim, Shkrimi Shenjt sot na flet edhe për urgjencën e largimit nga mëkati.

Jezusi, në Ungjillin e sotëm, e thekson këtë me shumë forcë: «Nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr – në zjarr që s’fiket kurrë.» E me krahasime të tilla flet edhe përsa i përket këmbës e syrit. Janë fjalë shumë të forta. Qëllimi i tyre është që të na bëjnë ta kuptojmë se sa e keqe e madhe është mëkati. «Të presësh dorën, këmbën apo të nxjerrësh syrin» nuk janë shprehje që duhet të merren fjalë për fjalë, por të kuptohet ideja që ato duan të shprehin.

Në jetën e Shën Antonit të Padovës thuhet se një herë shkoi të rrëfehej tek ai një djalosh, i cili i tha se kishte bërë një mëkat shumë të madh: i kishte rënë shkelm së ëmës. Shenjti i tha se ai kishte bërë një mëkat shumë të madh. Aq të madh, saqë ajo këmbë meritonte të pritej. Djaloshi i mori seriozisht këto fjalë të Shenjtit. Shkoi në shtëpi dhe e preu këmbën e tij. Kur Shën Antoni e mori vesh, shkoi menjëherë te shtëpia e tij, ia mori këmbën e prerë dhe, duke ia bekuar, mrekullisht ia ngjiti sërish, duke i shpjeguar se nuk ishte ky qëllimi i fjalës që i kishte thënë.

Më fort se «prerje», fjala e Jezusit sot nënkupton «ndërprerje» urgjente të jetës me mëkate. Kjo sepse mëkatet e rënda janë të tmerrshme: na largojnë nga Hyji. Do të thotë se kështu humbim lumturinë tonë. Ferri shpesh imagjinohet si një vend mundimesh në zjarr, apo në ndonjë formë tjetër, përshkrim që në fakt deri diku e bën edhe Jezusi në Ungjill sot. Por këto janë veçse imazhe që na bëjnë të kuptojmë se sa e rëndë është humbja e përjetshme e Zotit. Prandaj duhet t’i ikim Ferrit, sikurse t’i iknim zjarrit.

Ferri ekziston dhe është i përjetshëm. Duhet ta marrim seriozisht shëlbimin e shpirtit tonë. Prandaj edhe Shën Jakobi sot në leximin e dytë përdor fjalë vërtet të forta, për të vënë në dukje pasojat e mëkateve: «Kujdes, tani ju, o pasanikë! Qani dhe vajtoni për të këqijat që do të vijnë mbi ju! Pasuria juaj u kalb dhe petkat tuaja i brejti tenja. Ari dhe argjendi juaj u ndryshk dhe ndryshku i tyre do të bëhet dëshmi kundër jush dhe do ta hajë trupin tuaj porsi zjarri.»

Pasaniku këtu nënkupton që mendon ta ndërtojë lumturinë në këtë botë. As sot nuk janë të paktë ata që e mendojnë kështu. Por ja, do të vijë çasti kur do ta shohin se ishin tepër gabim. Ky çast vjen kur do të dalin përpara Zotit dhe do ta vënë re se sa larg ishin. Prandaj do të ishte mirë të ndërgjegjësoheshin para se të ishte vonë.

Thuhet se mbretëresha franceze e shekullit XIII, Bianka e Kastilias, i thoshte të birit: «Do të më pëlqente më shumë që të të shihja të vdekur tek këmbët e mia, sesa ti të bëje ndonjë mëkat mortar.» I biri ishte ai që sot njihet si Shën Luigji IX, mbret i Francës.

A ka sot nëna të tilla? A ka prindër që e kanë vërtet përzemër – mbi çdo gjë – shëlbimin e amshuar të fëmijëve të tyre?

Shumë herë, në kishat tona gjatë të dielave, prania e fëmijëve është tejet e pakët, tmerrësisht e pakët. Jo të gjithë, por të shumtë janë prindërit që nuk e marrin edhe aq seriozisht shpëtimin e amshuar të fëmijëve të tyre.

Madje ka prindër që bëhen deri edhe pengesë në ecjen shpirtërore të fëmijës së vet! E pra Jezusi në Ungjill thotë: «Për atë që e mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua të mëkatojë, do të ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det.» Fjalë shumë të prera. Është e vërtetë se, kur thotë «të vegjël», Jezusi nuk e ka fjalën vetëm për fëmijët, por as nuk i përjashton ata.

T’i kërkojmë, pra, Zotit që të na bëjë të dëgjueshëm ndaj Shpirtit të Tij e të na ndihmojë që, nën veprimin e këtij Shpirti, t’i largohemi me ngut mëkatit.

Është urgjent largimi nga mëkati, sepse, përndryshe, përçarja (me Zotin, me të tjerët dhe me vetveten) është pas derës. Jo më kot Satani, ai që njeriun e shtyn për në mëkat, është quajtur nga tradita edhe «djall», që në greqishten e vjetër do të thotë «përçarës».

Kush mëkaton, bëhet vegël e përçarjes, ndërsa kush dëgjon Shpirtin e Zotit, bëhet mjet i paqes.

Dom Dritan Ndoci

 

 

 

28 shtator 2024, 09:39