Kërko

Fretërit Kapuçinë zgjodhën Atin Genuin ministër i përgjithshëm për gjashtë vitet e ardhshme

Kapitulli i Përgjithshëm i Etërve të Vegjël Kapuçinë rizgjodhi, dje, atin Roberto Genuin Ministër i Përgjithshëm për gjashtë vitet e ardhshme. Zgjedhjet u zhvilluan gjatë Kapitullit, që po mbahet në Romë nga 25 gushti, deri më 15 shtator. Marrin pjesë 173 etër të kapitullit, përfaqësues të Fretërve Kapuçinë, nga më se 100 vende të botës.

R.SH. / Vatikan

Kapitulli i Përgjithshëm i Etërve të Vegjël Kapuçinë rizgjodhi, dje, atin  Roberto Genuin Ministër i Përgjithshëm për gjashtë vitet e ardhshme. Zgjedhjet u zhvilluan gjatë Kapitullit, që po mbahet në Romë nga 25 gushti, deri më 15 shtator. Marrin pjesë 173 etër të kapitullit, përfaqësues të Fretërve Kapuçinë, nga më se 100 vende të botës.

Përveç fretërve kapitularë, janë të pranishëm edhe rreth 45 fretër, që kanë për detyrë të kryejnë shërbime të ndryshme. Punimet e kapitullit përfshijnë jo vetëm zgjedhjen e prijësit të përgjithshëm, por edhe  të famullitarëve dhe këshilltarëve të përgjithshëm,  më 5 shtator.

Para zgjedhjeve mëngjesin e djeshëm të gjithë vëllezërit kapitullarë kapuçinë u mblodhën për liturgjinë dhe lutjen e posaçme për zgjedhjen e gjeneralit, emër që përdoret gjithnjë shkurtimisht në gjuhën shqipe për prijësit e françeskanëve ministrit të përgjithshëm. Fjala kryesore ungjllore, ishte ajo sipas Mateut (20,20-28), e cila – shpjegohet në faqen e internetit të Kapitullit të fretërve kapuçinë - "cilëson detyrat brenda bashkësisë si shërbim, duke nisur nga detyrat më të larta. Vetë Krishti e përshkruan detyrën e tij si shërbim, deri në fund, deri në atë pikë, kur e vë në rrezik vetë jetën e tij."

Gjatë punimeve të kapitullit, fretërit morën si dhuratë botimin e një libri të ri, titulluar “Në gjurmët e shenjtorëve kapuçinë: shenjtorë, të lum, të nderuar, shërbëtorë të Zotit". Libri, me parathënien e ministrit të përgjithshëm, është botimi i tretë i veprës me të njëjtin titull, botuar edhe mëparë, më 2012 dhe 2018, së bashku me kapitujt e përgjithshëm.

Sipas Fra Carlo Calloni, postulator i përgjithshëm, libri përmban jetëshkrimin apo biografinë e vëllezërve dhe motrave të familjes së Kapuçinëve, të cilët tashmë janë lartuar "në nderimet e altarit" ose që janë për udhë, duke përshkruar tiparet më të spikatura për secilën figurë". Vepra, sipas ministrit të përgjithshëm, është "mjet për të njohur vëllezërit tanë, të cilët iu përgjigjen thirrjes së Zotit përvujtërisht e me gëzim dhe, në të njëjtën kohë, bëhet nxitës, në mënyrë që trashëgimia shpirtërore e Urdhrit të mos mbetet vetëm për t'u çmuar: ajo është e gjallë, ka ende shumë faqe për të shkruar dhe i dorëzohet çdo frati kapuçin, secilit prej nesh, që të bëhet edhe historia jonë, e së sotmes dhe e së nesërmes".

05 shtator 2024, 09:27