Imoz Angelo Massafra kremton 50-vjetorin e meshtarisë
R.SH. / Vatikan
Kisha dioqezane në Shkodër-Pultit dhe mbarë Kisha katolike në Shqipëri falënderon Zotin për jetën dhe meshtarinë e Imzot Angelo Massafra, i cili më 21 shtator kishte 50-vjetorin e meshtarisë, dhe i shpreh atij urimet më të përzemërta. Po më hollësisht për kremtimin e këtij përvjetori, të ndjekim njoftimin e zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë, dom Mark Pashkja:
“Pajtohuni me Hyjin…”. Me këtë shprehje të Palit, apostullit të popujve, do të niste misionin e tij Imzot Angelo Massafra në tokën e cila Zotin e kishte shpallur armik dhe të ndaluar. Me dëshirën për të jetuar dhe punuar në shërbim të pajtimit, ai mori anijen drejt lindjes, e cila do ta sillte në tokën ku kishte rrënjët e tij arbëreshe. Ai la provincën e tij françeskane për tu vendosur si misionarë në Lezhë dhe më pas për tu zgjedhur edhe Ipeshkëv në Kishën tonë martire.
Gjatë viteve të tij të para në Provincen Françeskane pati mundësinë të njihej pothuajse me të gjithë françeskanët e mbijetuar prej torturave të sistemit komunist. Kjo i shtoi atij dashurinë jo vetëm për Kishën tonë por edhe zellin për të zbardhur dhe nderuar jetën dhe veprën e martirëve të Shqipërisë. I shuguruar meshtarë në 21 shtator 1974, pjesën më të madhe të meshtarisë së tij e kaloi në shërbim të kishës në vendin tonë.
I emëruar ipeshkëv i Rreshenit dhe më pas Arqipeshkëv i Shkodres, koha deshi që ai të vendosej përpara shumë sfidave me të cilat u përballë Kisha dhe kombi ynë. Ai udhëhoqi Kishën tonë dioqezane përballë situatave shumë komplekse, me të cilat u përballë shoqëria shqiptare në kohën e tranzicionit. Kriza e vitit 1997, lufta e Kosovës, ndërtimi i strukturave kishtare dioqezane dhe kombëtare, luftimi i fenomeneve të ndryshme si : gjakmarrja, trafikimi i qenieve njerëzore, kultivimi i lëndëve narkotike ishin disa prej iniciativave që karakterizuan episkopatin e Imzot Massafres në Shqipëri.
Gjatë gjithë kësaj kohë, në cilësinë edhe të kreut të Konferencës Ipeshkvnore ai u kujdes që të ruante dhe promovonte klimën ekumenike dhe dialogun ndërfetarë, në mënyrë që të ruhej me fanatizëm “vllazëria fetare”, karakteristikë tradicionale e vendit tonë. Në këtë kontekst ai personalisht ruajti marrëdhënie mjaft korrekte me të gjithë udhëheqësit e besimeve të tjera apo edhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore të shtetit shqiptarë.
Mes shumë momenteve që karakterizojnë mandatin ipeshkvnor të Imzot Angelos, padiskutim lumturimi i Martirëve është një moment i ndritur dhe i paharruar. Ngjarje madhështore, qoftë në aspektin personal, qoftë edhe në atë kishtar. Sigurisht që pas kësaj ngjarje unikale, kishën tonë të vogël në numër, qëndron puna e tij e përkushtuar, e palodhur, shumëvjeçare dhe e zhvilluar me një dashuri të madhe.
Në këtë kontekst, me rastin e 50 vjetorit të meshtarisë së tij, në mënyrë të veçantë Kisha lokale në Shkodër-Pult dhe mbarë Kisha në vendin tonë falënderon Zotin për jetën dhe meshtarinë e Imzot Angelo Massafra dhe i shpreh atij urimet më të përzemërta.
Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i Kish
URIMI I PAPA FRANCESKUT DREJTUAR IMZOT ANGELO MASSAFRA ME RASTIN E 50 VJETORIT TE SHUGURIMIT MESHTARAK.
Vëllait të Nderuar
Angelo Massafra O.F.M.
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës-Pult,
e shoqërojmë me lutjet tona në kremtimin e lumtur të jubileut të artë të shugurimit meshtarak, duke kujtuar devocionin e tij, veprimtarinë e tij të zellshme baritore fillimisht në komunitetin kishtar të Rrëshenit, pastaj në arqidioqezën e Shkodrës-Pult, së cilës i prin me përkushtim, besnikërinë ndaj Papës dhe Magjisterit të Kishës, përkushtimin ndaj popullit të Zotit, si dhe angazhimin e tij të vlefshëm si Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Ndërsa, me ndërmjetësimin e Nënës së Zotit, Virgjërës Mari, dhe të shën Mateut Apostull dhe Ungjilltar, i japim me dashuri atij dhe grigjës së tij bekimin tonë, duke kërkuar në këmbim lutjet e tyre që ta ushtrojmë me gëzimin e Ungjillit shërbimin petrin.
Dhënë në Romë, Lateran, më 30 gusht të vitit 2024.