Kardinali i Timorit Lindor, prania e Papës historike për popullin tonë
R.SH. / Vatikan
Vizita e Papës në Dili "një shenjë e afërsisë së Zotit me të thjeshtët, të varfërit, të përulurit dhe të margjinalizuarit" “Sot, ky vend i Taci Tolu është edhe një herë epiqendra e një ngjarjeje historike për popullin timorez. Pas vizitës së Papës Shën Gjon Palit II në vitin 1989, e cila shënoi hapin vendimtar për procesin tonë të vetëvendosjes, sot prezenca i Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut shënon një hap themelor në procesin e ndërtimit të vendit, identitetit dhe kulturës së tij”. Kështu tha Kardinali Virgilio Carmo da Silva, salezian, kryeipeshkëv metropolit i Dilit, në fjalët e tij falënderuese drejtuar Papës Bergoglio në përfundim të Meshës në Taci Tolu, në kryeqytetin e Timorin Lindor.
“Prania e juaj atërore në këtë tokë të bekuar – vërejti kryeipeshkvi i Dilit - është një shenjë e afërsisë së Zotit me të thjeshtët, me të varfërit, të përulurit dhe të margjinalizuarit. Afërsia, vështrimi plot dhembshuri, dashuri dhe vëmendje ndaj kësaj toke, tashmë pothuajse i humbur në panorama botërore, tregon se Ati Shenjtë është shembull i një lideri me zemër të babait”.
Sipas kard. Carmo da Silva, Kisha Katolike në Timorin Lindor "e kryen misionin e saj për të qenë zëri dhe shpresa e të varfërve dhe më nevojtarëve". “Nëpërmjet punës së vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ndërsjellë midis shtetit dhe Kishës timoreze, në procesin e shtetndërtimit dhe afirmimit të identitetit, duhet të dëgjojmë me kujdes britmat e të varfërve dhe të mënjanuarve”, shtoi kard. Carmo da Silva.
“I dashur Papa Françesku, këto tri ditë të vizitës tuaj në këtë tokë të Shna Kryqit dhe të Shën Mërisë, të martirëve të shenjtë, do të mbeten të gjalla në kujtesën e secilit prej nesh”, përfundoi kryeipeshkëv metropolit i Dilit.