Kardinali i Xhakartës: zemra e mesazhit të Papës, të jetojmë të bashkuar dhe në harmoni

Në bisedë me mediat e Vatikanit, Kryeipeshkvi Ignatius Suharyo Hardjoatmodjo reflekton mbi frytet që do të sjellë vizita e Françeskut në Indonezi, etapa e parë e udhëtimit apostolik që vazhdon tani në Oqeani: feja, vëllazëria, dhembshuria nuk janë vetëm motoja e udhëtim apostolik, por përfaqësojnë edhe “pasqyrën e dinamikës së jetës së Kishës” në vend.

R.SH. / Vatikan

 "Fe, vëllazërim dhe dhembshuri", nuk është vetëm motoja e udhëtimit apostolik të Papës Françeskut në Indonezi, por edhe një “pasqyrë e dinamikës së jetës së Kishës” në vend. Me mediat e Vatikanit, Kryeipeshkvi i Xhakartës, Kardinali Ignatius Suharyo Hardjoatmodjo, e përmbledh kështu domethënien e vizitës së Papës në kombin aziatik. Një vizitë e cila filloi më 3 shtator dhe përfundoi mëngjesin e sotëm, të premten më 6 shtator, me nisjen drejt Papua Guinesë së Re, etapë e dytë e udhëtimit ndërkombëtar që do të çojë Papën edhe në Timorin-Lindor dhe Singapor. Në Xhakartë, shpjegon kardinali, Papa Françesku pati një pritje të ngrohtë, e cila forcoi "një histori të gjatë të marrëdhënieve diplomatike midis Indonezisë dhe Selisë së Shenjtë", e nisur në vitin 1947 dhe e vendosur përfundimisht tre vjet më vonë.

Vëllazëria, tregues i fesë

"Ne, jo vetëm katolikët, por edhe të gjithë anëtarët e komuniteteve të tjera fetare - thekson kardinali - duam të rritemi në besimin tonë. Dhe një nga treguesit më të rëndësishëm të fesë është vëllazëria. Nëse thua se je besimtar dhe se i përket një feje, por nuk rritesh në vëllazëri, mund të nxitesh një pyetje të madhe nëse je vërtet besimtar apo thjesht ke një fe, por nuk je besimtar". Po kështu, shton kryeipeshkvi i Xhakartës, Kardinali Suharyo Hardjoatmodjo, "fryti i vëllazërisë është dhembshuria. Nëse thua se je vëllai ose motra ime, por nuk e dëshmon këtë me një qëndrim dhembshurie, atëherë veprimet e tua mund të ngrenë një dyshim të madh për deklaratat e tua".

Kryeipeshkvi i Xhakartës kujton, pra, se gjatë vizitës në Indonezi secila nga tre fjalët e motos së vizitës së Papës u zhvillua në kontekste të ndryshme: për shembull më 4 shtator, gjatë takimit me autoritetet, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe trupi diplomatik, në kompleksin e Pallatit Presidencial, Papa "foli për vëllazërinë, marrëdhëniet midis besimtarëve të feve të ndryshme dhe Pancasilës", pra për pesë shtyllat që themeluan kombin: fenë në Zotin suprem, njerëzimin e drejtë dhe civil, unitetin; demokracinë e udhëhequr nga urtia, drejtësia sociale. Dhe të njëjtën gjë Papa e bëri në takimin e mëpasshëm me komunitetin kishtar të mbajtur në Katedralen e Xhakartës kushtuar Zojës së Madhe, duke mbajtur atë që kardinali e përcaktoi si "një fjalim të veçantë".

Domethënia e "Deklaratës së Përbashkët të Istiqlalit"

Kardinali Suharyo Hardjoatmodjo fokusohet më pas te "Deklarata e Përbashkët e Istiqlal 2024" - Promovimi i harmonisë fetare për të mirën e njerëzimit - nënshkruar të enjten më 5 shtator nga Papa Françesku dhe Imami i Madh Nasaruddin Umar gjatë takimit ndërfetar në Xhaminë Istiqlal të kryeqytetit indonezian. "Dokumenti u nënshkrua gjithashtu edhe nga të gjithë udhëheqësit e gjashtë feve kryesore të vendit [islame, protestante, katolike, hinduiste, budiste dhe konfuciane]. Në të vërtetë, shtatë, duke marrë parasysh fetë lokale - shpjegon kardinali -. Dhe unë mendoj se është e rëndësishme të njihet historia e Xhamisë”. E vendosur në qendër të Xhakartës, pikërisht përballë Kishës katedrale katolike, në fakt, ndërtesa u projektua në vitin 1954 nga arkitekti i krishterë Friedrich Silaban dhe synon të nënvizojë si parimin filozofik të dashur për kombin e unitetit në diversitet, "Bhinneka. Tunggal Ika ”, gdhendur edhe në stemën e Indonezisë, është shprehje e vullnetit të një toke në të cilën të gjitha fetë bashkëjetojnë në paqe dhe harmoni. "Ne jemi bashkë - nënvizon kryeipeshkvi kardinal - dhe dua të them pikërisht jetojmë pranë njëri-tjetrit për të simbolizuar idealin tonë: të ndërtojmë dhe të jetojmë në harmoni". Nuk është rastësi, shton ai, “pas nënshkrimit të dokumentit, Imami i Madh më tha se duhet të takohemi dhe të diskutojmë së bashku se çfarë mund të bëhet tani e tutje, që “Deklarata e Përbashkët” të mos mbetet një copë letër e thjeshtë. por të paraqet fillimin e veprimeve të ndryshme të përbashkëta të bashkësive të ndryshme fetare të pranishme në Indonezi”. Dokumenti "nuk është vetëm teori, por është gjithashtu praktikë - ripohoi kardinali -. Dhe ne shpresojmë se nënshkrimi i tij mund të forcojë rrugën tonë për të ecur drejt së ardhmes së bashku".

Frytet e vizitës papnore

Së fundi, duke u ndalur te frytet që mund të dalin nga vizita e Papa Françeskut në vendin aziatik, Kryeipeshkvi i Xhakartës ripohoi shpresën e tij, që është: "të rritemi në fe, le të rritemi në vëllazëri, të rritemi në dhembshuri. Dhe mendoj se e gjithë kjo do të kuptohet shumë lehtë jo vetëm nga katolikët, por edhe nga të gjithë indonezianët dhe kushdo që i përket një komuniteti besimi”.

nga Bernardo Suate dhe Isabella Piro

06 shtator 2024, 16:45