Dom Mark Pashkja: Kisha katolike në Shqipëri kremton Shën Nënë Terezën
R.SH. / Vatikan
Natën e festës kishtare të Shenjtës shqiptare, Nënë Terezës, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë, Dom Mark Pashkja, na njofton se si kremtohet sivjet nga Kisha katolike në Shqipëri festa e Shenjtës Nënë Terezë në Shqipëri, të ndjekim njoftimin:
Kisha katolike në Shqipëri përgatitet të festojë me solemnitet të madh festen liturgjike të Shën Nënë Terezës. Ipeshkvijtë e Kishës katolike në Shqipëri me anë të iniciativave të ndryshme do të përkujtojnë dhe kremtojnë festen liturgjike të bijës së shenjtë të popullit tonë.
Më konkretisht, Arqipeshkvia Tiranë-Durrës nën kujdesin personal të arqipeshkvit Imzot Arjan Dodaj, organizon një program dy ditor në kujtim të shenjtëreshës shqiptare.
Me datën 4 shtator do të zhvillohet një konferencë, ku në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Shtëpisë Botuese Drita, do të promovohen dhe publikohen disa vepra në kujtim dhe nderim të Nënë Terezes. Me datën 5 shtator në Katedralen e Shën Palit në Tiranë do të kremtohet solemnisht Mesha e shenjtë me këtë rast me praninë e dy bashkësive të motrave që jetojnë dhe punojnë në Tiranë.
Në Shkodër Arqipeshkvi Koadiutor Imzot Giovanni Peragine, do të udhëheq kremtimin solemn në prani të motrave të Nënë Terezës dhe personave me aftësi ndryshe, për të cilët motrat ushtrojnë një kujdes të vazhdueshëm në këtë qytet. Kremtim i cili do të shoqërohet nga një moment i përbashkët dhe familjarë mes Arqipeshkvit, motrave dhe stafit të tyre. Një mënyrë kjo për të përjetuar në mënyrë autentike atë çka ishte përshpirtëria e Nanë Terezës.
Në Dioqezën e Sapës ku gjendet edhe Katedralja e parë kushtuar Nanës së të varfërve, Imzot Simon Kulli bariu i kësaj dioqeze ka vendosur që të vendos në qendër të krejt festës liturgjike, pikërisht ato që ishin qendra dhe objektivi i jetës dhe veprës së Nënë Terezës, të varfrit dhe personat me aftësi ndryshe. Duke organizuar një shtegtim mbarë dioqezan nga të gjitha famullitë, personat që ishin më të dashur për Nënë Terezën, do të mblidhen në Katedrale ku do të marrin pjesë në meshën e udhëhequr nga bariu i tyre e për të vazhduar më pas me aktivitete të ndryshme, të organizuar enkas dhe në shërbim të tyre.
Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i KISH