Kërko

Kjo do të thotë Shenjtëri: një orë mësimi nga Nënë Tereza, ditën e festës së saj

Ju ftojmë sot, ditën e festës liturgjike të Shën Nënё Terezës, Ganxhe Bojaxhiut, të kalojmë pak çaste pranë Shnjtores që, ditën e festës së Saj, na fton ne e të gjithë Kishën t’i shërbejmë me dashuri e besnikëri Zotit në më të varfërit e më nevojtarët

R.SH. / Vatikan

Ajo na flet, e ne në fjalën e Saj gjejmë “Flatrat e shenjtërisë”. Janë fjalë që nuk i shkroi, por i shqiptoi kur rrinte mbi kokën e të gërbulurve, pranë njerëzve që, të nxjerrë nga hendeqet e Kalkutës, i shuheshin në prehër, që i përcillte drejt jetës së pasosur pikërisht me lutje. Lutje të cilat, pastaj, i shkruanin menjëherë ata, që kishin zgjedhur rrugën e saj e ishin gjithnjë aty pranë. Mbasi Ajo kishte shumë pak kohë për vete!

Po i kujtojmë sot, 5 shtator, kur kremtojmë festën e Shenjtës Nënë Terezë - asaj që nuk iu shlye titulli i shtrenjtë Nënë – edhe kur iu shtua “Shën”…

 Trashëgimi

Nënë Tereza na la trashëgim një sërë shprehjesh të gruas që nuk pati kurrë skrivani a shkritore, por që u bë edhe një nga shkrimtaret më të famshme, të cilën bota e trazuar e lexon me etje, sepse në të gjen përgjigjen për çdo çast të jetës, sidomos për “çastin vendimtar”, fundin e saj e fillimin e një jete tjetër, në dritën e Zotit. Kush nuk e dëshiron këtë Dritë, drejt së cilës mund të shkojmë “Me flatrat e Shenjtërisë”?

Në festën e saj Nënë Tereza na flet:

Shenjtëria nuk është luks

“Edhe ne mund të bëhemi shenjtorë të mëdhenj:

Shenjtëria nuk është luks për pak,

por detyrë e thjeshtë

për ty edhe për mua”.

Hapi i parë për t’u bërë shenjtorë

“Hapi i parë për t’u bërë shenjt, është ta dëshirosh këtë. Shën Toma na kujton: ‘Shenjtëria nuk kërkon tjetër gjë, veçse vendimin e patundshëm të një shpirti heroik, që lëshohet i tëri në dorë të Zotit.  Falë vullnetit të mirë, ne vrapojmë kah Zoti. E arrijmë. E bëjmë tonin. Oh, vullnet i shenjtë, që më shndërron e më bën të ngjashëm me Zotin”.

Madhështia buron nga përvujtëria

“Nga përvujtëria gurrojnë  gjithnjë

madhështia e lumnia e Zotit.

Përmes përvujtërisë

ne mbushemi plot me dashuri.

Përvujtëria është

zanafilla e shenjtërisë”.

Shenjtëria nuk është gjë e jashtzakonshme

“Shenjtëria nuk është gjë e jashtzakonshme,

nuk është për pak të zgjedhur

që dinë të arsyetojnë,

të mbajnë fjalime pa fund 

e të lexojnë libra tërheqës!

Shenjtëria na përket të gjithëve,

është detyrë e thjeshtë.

Shenjtëri do të thotë

ta pranosh Zotin me një buzagaz,

gjithnjë, kudo,

në çdo kohë e në çdo vend.

Madhështia buron nga përvujtëria

Nga përvujtëria gurrojnë  gjithnjë

madhështia e lumnia e Zotit.

Përmes përvujtërisë

ne mbushemi plot me dashuri.

Përvujtëria është

zanafilla e shenjtërisë.

Shenjtëri domethënë t’i dhurohesh Zotit

Të jesh shenjt nuk do të thotë të bësh gjëra të jashtëzakonshme, të kuptosh a të krijosh gjëra të mëdha. Eshtë thjesht të kuptosh pse iu dhurove Zotit. Pse i përket Atij të Lumit. Pse e lëshon plotësiht veten në dorë të Tij. E pse ai sot mund të më  çojë këtu, nesër atje. Mund të shërbehet prej meje a të mos shërbehet fare. Mund të bëjë ç’të dojë me mua”.

Kisha ka nevojë për shenjtorë

Sot Kisha ka më shumë nevojë se kurrë për shenjtorë. E kjo kërkon përgjegjësi të madhe. Kërkon të luftojmë kundër vetvetes, kundër rehatisë, që na largon nga jeta e vërtetë, për të na zhytur në mediokritetin e plogësht e pa pikën e kuptimit”.

Me zemër të lirë

Ne mund të bëhemi shenjtorë së pari duke u kujdesur të kemi gjithnjë zemër të lirë, të pastër, zemër ku nuk kanë vend ndyrësitë, as egoizmi: “kështu do të jemi në gjendje ta duam Jezusin e ta jetojmë praninë e Tij”.

Duhet të bëhemi shenjtorë

Duhet të bëhemi shenjtorë jo pse dëshirojmë ta ndjejmë veten të shenjtë, por pse Krishti duhet ta jetojë në ne jetën e vet. Sapo të kemi nisur ta kërkojmë Zotin e vullndesën e Tij para çdo gjëje tjetër, lidhja jonë me të varfrin do të bëhet mjet për të arritur shenjtërinë tonë shpirtërore, e edhe të tjerët.

Çfarë do të thotë të jesh shenjt?

“Do të jem shenjt!

do ta zhvesh zemrën time

e do ta zbraz nga të gjitha sendet e krijuara.

Do të jetoj në varfëri e në vetmi.

Do të heq dorë nga dëshirat e mia,

nga fantazitë

nga ëndrrat,

 e veten do ta bëj skllave

të vullnetit të Zotit!”.

Forma më fillestare e  mohimit të vetvetes

“Nëse e dëshirojmë me gjithë shpirt shenjtërinë, pasi të jemi lutur, duhet të hyjë në shpirtin tonë ndjenja e vetmohimit. E forma më fillestare e  mohimit të vetvetes është kontrolli mbi shqisat tona”.

Nuk është e lehtë të bëhemi shenjtorë

Duhet të vuajmë shumë për t’u bërë shenjtorë. Vuajtja lind dashurinë e jetën ndër shpirtra… Të rrimë me Marinë, pranë Krishtit të kryqëzuar, me kelkun tonë bërë me katër kushte e përplot me verën e flijimit të vetvetes”.

Shenjtëria kushton shumë

Nuk është e lehtë të bëhesh shenjt: kushton shtrenjt: tundime, lufta, persekutime, flijime të të gjitha llojeve e rrethojnë shpirtin e kushtuar. Mund ta duash Zotin, vetëm duke paguar me vetveten!

Rruga e shenjtërisë

“Shenjtëri do të thotë ta pranojmë vullndesën e Zotit 

me buzë në gaz.

Ta pranojmë, kur vjen në jetën tonë;

ta pranojmë kur na merr çka dëshiron

pa na pyetur fare, 

dhe pse duam të pyetemi.

Shenjtëri do të thotë që Ai të na përdorë si do vetë…

Të na bëjë copë-copë,

të na zbrazë krejtësisht nga vetvetja.

Duhet ta pranojmë zbrazjen,

coptimin,

suksesin e dështimin

të ndjekur nga sytë e të gjithëve.

Kjo do të thotë Shenjtëri!

04 shtator 2024, 10:38