Kongresi Ndërkombëtar Eukaristik në Kuito: vëllezër në një botë plot dhunë

Imzot Espinoza (kryeipeshkvi i Quito), në fjalën e hapjes së Kongresit Ndërkombëtar Eukaristik, mes tjerash tha “Eukaristia na fton të jemi vëllezër autentikë në një botë plot dhunë”

R.SH. / Vatikan

Delegacione nga të gjitha kontinentet mbërritën në Kuito, Ekuador, për të marrë pjesë në kremtimin solemn Eukaristik në parkun e Dyqindvjetorit, i cili hapi zyrtarisht punimet e Kongresit të 53-të Ndërkombëtar Eukaristik, me temë "Vëllazëria për të shëruar botën".

Mesha u kryesua nga kryeipeshkvi metropolitan i Kuitos dhe Primati i Kishës së Ekuadorit, Imzot Alfredo José Espinoza Mateus, në bashkëkremtim me Kardinalin Baltazar Porras Cardozo, Legat papnor, dhjetëra ipeshkvij ekuadorianë e nga jashtë, dhe shumë meshtarë e rregulltarë.

Më shumë se 1600 fëmijë nga kryedioqeza e Kuitos morën Kungimin e tyre të parë dhe rreth 25 mijë besimtarë mbushën hapësirën e parkut të Dyqindvjetorit. Për Imzot Espinoza Mateus, "Quito, 'Fytyra e Vogël e Zotit' siç e quajmë me dashuri, do të jetë një vend takimi për të gjitha kontinentet, mbledhur për të reflektuar dhe përjetuar misterin e madh të Eukaristisë".

Imzot Espinoza Mateus shtoi se Eukaristia “na sfidon të jemi ndërtues të vërtetë të vëllazërisë për të 'shëruar plagët e botës' dhe na fton të jemi vëllezër autentikë në mesin e një bote plot dhunë, vdekje, luftëra; të një bote që ndan, jo të një bote që bashkon; të një bote që e shndërron njeriun në armik dhe jo në vëlla”.

Duke iu drejtuar fëmijëve që morën Kungimin e Parë, kryeipeshkvi shtoi: "Sot është një ditë feste, një ditë e madhe në jetën tuaj" dhe u kujtoi atyre fjalët e Papës Françesku që thotë: "Kungimi i Parë është mbi të gjitha një festë në të cilën kremtojmë faktin që Jezusi gjithmonë deshi të ishte pranë nesh dhe se ai kurrë nuk do të ndahet nga ne".

09 shtator 2024, 15:21