Kërko

2024.08.24 Udienza dal Papa di S.E. Mons. Arjan Dodaj, Arcivescovo Metropolita di Tiranë-Durrës (Albania) 2024.08.24 Udienza dal Papa di S.E. Mons. Arjan Dodaj, Arcivescovo Metropolita di Tiranë-Durrës (Albania)

“Med 24”, arritja e paqes fillon nga të rinjtë

Mbahet në Tiranë, nga data 15 deri më 21 shtator, etapa e katërt e Takimeve Mesdhetare, pasi kjo ngjarje e rëndësishme u organizua në Bari, Firence dhe Marsejë. Në këtë të fundit, mori pjesë edhe Papa Françesku. Sivjet e pikërisht më 21 shtator bie 10-vjetori i vizitës së Françeskut në Shqipëri

R.SH. – Vatikan

“Të rinjtë e formuar mirë dhe të orientuar me frymën e vëllazërimit, mund të hapin dyer të papritura dialogu dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më paqësore”: këto janë fjalët e Papës Françesku, shqiptuar një vit më parë në “Rencontres Méditerranéennes” ( Med23) në Marsejë, takimi i tretë i atij reflektimi ndërmjet Kishave të Mesdheut, që filloi më 2020 në Bari dhe më pas vazhdoi në Firence, më 2022. Duke ndjekur këshillat e Atit të Shenjtë e duke vazhduar të njëjtën rrugë bashkëpunimi, nga 15 deri më 21 shtator, rreth pesëdhjetë të rinj nga njëzet e pesë vende të Mesdheut dhe të Detit të Zi marrin pjesë në takimin Med24 – “Shtegtarë të shpresës. Ndërtues të paqes” në Tiranë, Shqipëri.

Të rinj nga të pesë brigjet e Mesdheut

Takimi bëhet nën kujdesin e kryeipeshkvit metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, i cili, në takimin e Marsejës, para Papës, pati dhënë dëshminë e tij si emigrant në Itali, ku ka jetuar për vite me radhë. Gjithashtu, përkon me 10-vjetorin e vizitës së Françeskut në atdheun e shqipeve, të parin ku shkoi në Evropë, më 21 shtator 2014. Të rinjtë, që janë mbledhur këto ditë në Tiranë, janë të moshës 20-32 vjeç, vijnë nga të pesë brigjet e Mesdheut dhe kanë fe e kultura të ndryshme. Ideja bazë e këtyre takimeve është të dëgjohet zëri i tyre në bashkëveprim me ipeshkvijtë e Kishës Katolike, edhe ata, të pranishëm në kryeqytetin e Shqipërisë, nga vende të shumta të Mare Nostrum. Sfidat dhe mundësitë e përbashkëta për të krijuar një kulturë solidariteti, që favorizon paqen dhe shpresën: ky objektivi i Med24.

Realiteti shumëfetar shqiptar

Natyrisht, realiteti shqiptar, ku bashkëjetojnë fe të ndryshme, ofron shumë në këtë drejtim. Siç pati kujtuar vetë Papa Françesku, pas udhëtimit të tij apostolik në Shqipëri: “Aty nuk e tolerojnë, por e duan njëri-tjetrin”. Programi i këtyre ditëve përfshin edhe vizita në Shkodër e në Fier, ku do të tregohen aspekte të rëndësishme të historisë e të trashëgimisë kulturore të vendit, përmes vizitave në muze e takime me njerëz, që kanë vuajtur persekutimin komunist, për shkak të fesë. Kulmi i veprimtarive të këtyre ditëve do të jetë dita e enjte, 19 shtator, me një takim të përbashkët të të rinjve me ipeshkvijtë e Mesdheut, me temën “Edukimi, komunikimi dhe zhvillimi i gjithanshëm, në arritjen e paqes”. Natyrisht, të rinjtë shqiptarë, si zot shtëpie, që mirëpresin miqtë nga vende të tjera, do të japin një dëshmi të veçantë për përpjekjet e bëra prej tyre në këtë drejtim, sidomos në mikpritjen e emigrantëve, që kalojnë nëpër Shqipëri, pikë nevralgjike e së ashtuquajturës “rrugë ballkanike”. E sigurisht, do të flasin edhe për përvojën e emigracionit të shqiptarëve si popull.

16 shtator 2024, 11:51