Gesù con i discepoli, ultima cena, lavanda dei piedi Gesù con i discepoli, ultima cena, lavanda dei piedi

Të meditojmë me Ungjillin e dielës së 25-të vitit 'B': “Kush është më i madh?”

Na pëlqen të bëjmë figurë të mirë, o Jezus/ e, pse jo, të na shohin me sy të mirë,/ të na thonë fjalë të bukura…/Na pëlqen kur na i vlerësojnë/aftësitë e meritat,/bëmat e inteligjencën,.../Ja përse fjalët e Tua sot/janë një dush i ftohtë/mbi krenarinë, sjelljen,/stilin tonë të jetesës…/Ti, o Jezus, e mendon krejt ndryshe./Natyrisht, nuk na ndalon të jemi të parët,/por na propozon një udhë të çuditshme:/vërtet, na kërkon të jemi/ “të fundmit e të gjithëve e shërbëtorët e të gjithëve”

R.SH. - Vatikan

Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele nga Marku, Jezu Krishtit që përmbys logjikën tonë të madhështisë e të pushtetit. Ungjilli i larton të vegjlit, ata që shërbejnë me dashuri.
Duke komentuar pjesën e Ungjillit të së dielës, ku dishepujt pyesin se kush është i madhi ndër ta, Papa shpjegoi se si Jezusi e përmbysi logjikën e tyre, me logjikën e dashurisë që lartëson më të vegjlit, jo të mëdhenj e të pushtetshmit, jo ata që e ndjejnë veten mbi të tjerët.

“Kush është më i madhi?”: këtë pyesin dishepujt në Ungjillin sipas Markut të kësaj së diele (9,30-37), e 25-ta e vitit kishtar, ciklit të dytë 'B'. Por në logjikën e Jezu Krishtit, që është edhe logjika e Kishës, përparësitë janë krejtësisht ndryshe nga ato të botës: kush është i pari, është shërbëtori i të gjithëve. Të ndjekim Ungjillin:

Në atë kohë, Jezusi dhe nxënësit e tij kaluan nëpër Galile, por nuk donte ta dinte kush, sepse mësonte nxënësit e vet. U thoshte: “Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh.” Ata nuk morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesin. Arritën në Kafarnahum. Si hyri në shtëpi, i pyeti: “Mbi çka biseduat rrugës?” Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi. Jezusi u ul, i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u tha: “Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i mbrami i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.” Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në midis të tyre, e mori ngrykë dhe u tha: “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua”.

Të lutemi së bashku:

Na pëlqen të bëjmë figurë të mirë, o Jezus

e, pse jo, të na shohin me sy të mirë,

të na miratojnë, të na thonë fjalë të bukura…

Na pëlqen kur na i vlerësojnë

aftësitë e meritat,

bëmat e inteligjencën,

frymën praktike… ndoshta?

Sporti ynë i preferuar, duhet ta pranojmë,

është t’i bindim të tjerët që,

në një mënyrë, ose në tjetrën,

të realizojnë planet tona

të bëjnë ç’duam ne.

 

Ja përse fjalët e Tua sot

janë një dush i ftohtë

mbi krenarinë, sjelljen,

stilin tonë të jetesës…

Ti e mendon krejt ndryshe.

Natyrisht, nuk na ndalon të jemi të parët,

por na propozon një udhë të çuditshme:

vërtet, na kërkon të jemi

“të fundmit e të gjithëve e shërbëtorët e të gjithëve”.

Të mos mendojmë për vete

për suksesin, për realizimin tonë,

por për të tjerët, për nevojat e tyre.

 

E, të mos kërkojmë protagonizëm

nën reflektorët e skenave të botës,

por ato detyra pa shpërblim,

që zakonisht, bëhen në prapavijë,

të cilat askush nuk i sheh

e askush nuk i di.

21 shtator 2024, 11:07