Motër Ana e Jezusit Motër Ana e Jezusit

Murgesha e lumnuar nga Papa, Ana e Jezusit

Sot paradite, në meshën në stadiumin "King Baudouin" në Bruksel, Françesku ngriti në nderimin e altarit Anën e Jezusit, një murgeshë që jetoi në shekullin XVII. Portreti i karmelitanes

R.SH. – Vatikan

Ana de Jesús (në shekull Ana de Lobera y Torres), murgeshë e Urdhrit të Karmelitaneve të Zbathura, u lind në Medina del Campo, Spanjë, më 25 nëntor 1545 dhe vdiq në Bruksel, Belgjikë, më 4 mars 1621. Reformatore e Karmelit, krahas Shën Terezës së Avilës dhe Shën Gjonit të Kryqit, mori pjesë në themelimin e manastireve të shumta në Spanjë dhe jashtë saj. “Kryekapitenia e eproreve”, siç e quante Shën Tereza e Avilës, kishte një personalitet të fortë, aftësi të shëndoshë shoshitjeje dhe ishte bamirëse e madhe.

Themeloi, bashkë me Shën Gjonin e Kryqit, një Karmel në Granada dhe më pas, një tjetër në Madrid. Më 1604, ajo bëri të njihej Urdhri i Reformuar në Francë, me disa shoqe, duke themeluar një manastir në Paris dhe, më 1605, në Pontoise dhe Dijon. Pasi u transferua në Flanders, më 1607, themeloi kuvende në Bruksel, Luven dhe Mons. Më pas, promovoi themelimin e Karmelit të Krakovit, më 1612 dhe të Anversës, më 1619.

Motër Ana de Jesús, gjatë gjithë jetës, i qëndroi gjithmonë besnike veprës së Shën Terezës së Avilës dhe mblodhi të gjitha shkrimet e shenjtes, duke kontribuar në përhapjen e tyre në Evropë. Murgesha u shpall e Nderuar më 28 nëntor 2019 dhe iu njoh një mrekulli me ndërmjetësimin e saj, më 14 dhjetor 2023.

29 shtator 2024, 13:25