Kërko

INDONESIA-VATICAN-RELIGION-POPE INDONESIA-VATICAN-RELIGION-POPE

Papa në Azi-Paqësor, laborator i madh i sfidave të Kishës dhe zhvillimeve të saj

Papa i parë joperëndimor, Papa argjentinas nuk i shmanget interesimit të Selisë Apostolike për kontinentin aziatik: përkundrazi, merr pjesë në përfaqësimin më të mirë të tij në aparatin kishtar. Intervistë me historianin Olivier Sibre, drejtor i studimeve dhe kërkimeve në Institutin Georges Pompidou, autor i mirënjohur i veprës "Selia e Shenjtë dhe Lindja e Largët (Kinë, Kore, Japoni), nga Leo XIII deri tek Piu XII" (Koleksioni i Shkollës Franceze i Romës, 2012).

R.SH. / Vatikan

Pas udhëtimit në Tajlandë dhe Japoni në vitin 2019, Papa rikthehet në Azinë Juglindore për shtegtimin e tij të 45-të jashtë Italisë. Për trembëdhjetë ditë, Ipeshkvi i Romës do të udhëtojë në kryeqytetin indonezian, në dy qytete të Papua Guinea e Re në portën e Oqeanisë, më pas, në Timorin shumë katolik, për të përfunduar në kaleidoskopin mahnitës të Singaporit. Për qëllimet baritore, diplomatike dhe misionare të këtij udhëtimi të pasur dhe plot kontraste në Lindjen e Largët, na flet historiani Olivier Sibre, specialist në marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe kësaj pjese të botës.

Cilat elemente biografike, shpirtërore dhe intelektuale e tërheqin Papën Françesku, argjentinas, drejt Azisë?

Gjëja e parë është përvoja e tij si jezuit, pasi ai e njihte që në kohën e Eprorit të Përgjithshëm të Jezuitëve, të Atë Pedro Arrupe në Shoqërinë e Jezusit. Ati Arrupe kishte përvojë si epror i jezuitëve në Japoni, veçanërisht në Hiroshima, në fund të viteve 1930. Ai ndoqi periudhën e Luftës së Paqësorit, pastaj bombardimet e Hiroshimës dhe Nagasakit e edhe rindërtimin. Kur ishte më i ri, Papa Françesku ëndërronte të shkonte me mision në Japoni. Si jezuit, natyrisht, ai ndikohej edhe nga Atë Matteo Ricci, figurë e inkulturimit misionar të jezuitëve në shekujt 16 dhe 17 në Kinë, procesi i lumnimit të të cilit vijon të përparojë. Këto arsye të ndryshme ia zgjojnë domosdoshmërisht interesin për Azinë e për udhëtimin e tij personal.

Pastaj, ne jemi shikojmë vazhdimësinë e madhe të interesit treguar nga Papët në Azinë Lindore. Për Selinë e Shenjtë dhe Kishën Katolike, Kina në veçanti, por jo vetëm, është prioritet shumë dekadash, madje shumëshekullor. Në fund të shekullit të 19-të, Kina ishte vendi ku Kisha dërgoi më shumë misionarë dhe kongregacione për ungjillëzimin. Në vitin 1982, Gjon Pali II shkroi një letër të gjatë drejtuar të gjithë ipeshkvijve të botës, duke theksuar se "Kisha në Kinë ishte shqetësimi kryesor dhe i vazhdueshëm i papnisë së tij”. Natyrisht, Azia Lindore nuk reduktohet në Kinë, por sfidat e Kishës në këtë pjesë të botës nuk mund të kuptohen, pa i bërë vend “çështjes kineze”.

Megjithatë, është e vërtetë se në vizionin e Papës argjentinas për një Kishë globale, Kisha Globale e Jugut global, me Azi-Paqësorin në zemër të ekonomisë dhe transformimeve të botës, është  pjesë e këtij vizioni.

Si do ta karakterizonit interesin e vetë Françeskut ndaj këtij kontinenti? Cila është mënyra e tij personale për të ndërthurur çështjet diplomatike, misionare dhe baritore në Azi?

Në tekstet e tij të ndryshme kryesore, duke përfshirë Evangelii Gaudium dhe në vijim dy të tjerat, doktrina shoqërore e Kishës për të duhet të jetë e rrënjosur në përvojën e jetuar, në një stil ungjillor dhe apostolik. Ai e vë misionin në zemër të papnisë së tij.

Kjo ka pasoja në të gjithë strukturën kuriale të Romës. Nëpërmjet Kushtetutës së re Apostolike Praedicate Evangelium, Papa drejton drejtpërdrejt dikasterin për Ungjillëzimin që i është besuar dy pro-prefektëve, duke përfshirë një aziatik. Synimi i Papës, mbi të gjitha, është të promovojë një Kishë të pranishme ndaj sfidave lokale sociale, ekonomike dhe kulturore të natyrshme në globalizim dhe të shfrytëzojë të gjitha përshtatjet e mundshme në çështjet e marrëdhënieve politike dhe zyrtare ndërmjet Kishës Katolike dhe autoriteteve lokale.

Shembulli i Kinës është karakteristik. Marrëveshja e nënshkruar në Pekin në vitin 2018 ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe PRC, e rinovuar disa herë, është  konventë që synon të ruajë lidhjen me pushtetin komunist, duke u përpjekur të mbrojë dhe të gjejë zgjidhje për unitetin e Kishës, të ndarë deri tani ndërmjet "Kishës klandestine" dhe "Kishës zyrtare" të Shoqatës Patriotike, veçanërisht për çështjen vendimtare të emërimit të ipeshkvijve dhe të aftësisë për t’iu përgjigjur sfidave të ungjillëzimit të Kinës bashkëkohore, duke pasur një kornizë zyrtare që ruan më së miri hapësirën e ​​lirisë për adhurimin dhe mësimdhënien katolike.

Në Kinë, e cila po zhvillohet dhe po bëhet më e pasur, ka çështje të shekullarizimit, tashmë të nxitura nga politika shtetërore ndaj pakicave fetare, të cilat mund të duken të ngjashme me ato të shoqërive të tjera aziatike si Japonia dhe Koreja e Jugut, Tajvani apo Singapori.

Singapori nuk ka të njëjtën histori që fillon nga viti 1964-1965 për sa i përket legjislacionit fetar, e rrjedhimisht, lirisë fetare dhe pluralizmit fetar, si fqinji i tij indonezian. Qeveria e Singaporit e ka bërë gjithmonë pluralizmin kulturor dhe fetar specifikën dhe madje identitetin e qytet-shtetit në krahasim me dy fqinjët e saj të mëdhenj, Malajzinë dhe Indonezinë. Pra, realiteti kombëtar merret parasysh nga Selia e Shenjtë, por ne perceptojmë gjithashtu edhe një përpjekje, veçanërisht nëpërmjet sinodalitetit, të angazhuar në nivel rajonal që nga viti 1970, për të arritur më shumë transversalitet dhe veprim të përbashkët në ungjillëzimin, duke krijuar kushtet për një fqinjësi paqësore ndërmjet vendeve në fjalë, të cilat kërkojnë bashkëpunimin e kishave lokale dhe diplomacinë e Selisë së Shenjtë. Kthehemi pra tek tekstet e përgjithshme të papnisë, të cilat përpiqen të identifikojnë linjat kryesore të shndërrimit të shoqërive botërore, pa u ngulitur ose tensionuar domosdoshmërisht në dallimet lokale politike dhe kulturore.

Nga këndvështrimi historik, si lindi interesi i Papëve për Lindjen e Largët?

Nga fundi i shekullit të 13-të në Kinë u krijua misioni katolik nga Jean Montecorvino, i cili vdiq në Pekin në 1328. Ardhja e jezuitëve në Kinë dhe Japoni në shekullin e 16-të, pritja e një ambasade japoneze nga Gregori XIII në vitin 1585, pastaj një tjetër ambasadë japoneze dërguar nga Papa Pali V më 1615, lumnimi i hershëm i martirëve japonezë nga Urbani VIII (1627), krijimi i Propaganda Fides (1622) dhe dërgimi i meshtarëve misionarë apostolikë në Azi (MEP, 1658), krijimi i dy vikariateve të para apostolike të Cochinchina (1659), ose dërgimi i vizitorit apostolik Imzot Charles Thomas Maillard de Tournon, krijuar kardinal në 1707, në Kinë dhe Inditë Lindore (1701) hapën rrugën e mirëkuptimit, derisa çështja e "Riteve kineze" krijoi konflikt teologjik, kanonik dhe misionar për disa shekuj.

Në 1831, Gregori XVI dërgoi misionarët e parë në Kore dhe krijoi Vikariatin Apostolik të Koresë. Imzot Bernard Petitjean, vikar i parë apostolik në Japoni, i cili ishte në Romë për Koncilin I të Vatikanit, e njoftoi Papën Piu IX se kishte gjetur katolikë (17 mars 1865, Urakami), kirishitan kakure, të fshehur për disa shekuj në Japoni, pas persekutimeve dhe mbylljes së epokës së Tokugawa në shekullin e 17-të. Piu IX derdhi lot emocioni mbi qëndresën dhe rezistencën e këtij krishterimi në një vend të mbyllur prej kohësh për të huajt, pasi u përpoq të krijonte marrëdhënie të drejtpërdrejta me Perandorin e Kinës në vitin 1860 nëpërmjet ipeshkvit Spelta. Leoni XIII i shkruan Mikados dhe vendos hierarkinë katolike në Japoni e, në vazhdën e shpalljes së kushtetutës së Meiji (1889), krijon delegacionin e parë apostolik në Indi (Bangalore, 1884) dhe hierarkinë katolike në këtë koloni britanike (1886). Piu X gjithashtu krijon delegacionin apostolik në Sidnei për Australinë, Zelandën e Re, Inditë Lindore Hollandeze (Indonezi) dhe gjithë Paqësorin (1914). Misionet e Benediktit XV para Koncilit II të Vatikanit, pasi u emërua Imzot de Guébriant (PE), vizitor apostolik në Kinë dhe Siberi, u frymëzua nga raportet e etërve misionarë Vincentian Vincent Lebbe dhe Antoine Cotta për misionet në Kinë.

Nuk duhet harruar se diplomacia  e Palit VI luajti rol të rëndësishëm në kohën e Luftës së Vietnamit, duke mobilizuar të gjithë aparatin humanitar të Kishës si për luftën, ashtu edhe për të ndihmuar në rindërtimin, me mirësinë dhe ndërmjetësimin e tij. Ai krijoi kardinalin e parë korean në vitin 1969 (KIM Su-hwan) dhe bëri një shtegtim të madh në Azinë Lindore, Oqeani dhe Australi, në vitin 1970. Më në fund, vazhdoi ngritjen e përfaqësive papnore në Azi, veçanërisht në Azinë Juglindore, ndërmjet të cilave atë të përfaqësuesit të Papës në Tajvan, në gradën e të ngarkuarit me punë.

 Azia ka qenë gjithmonë, ashtu si edhe Kina në veçanti, horizont historik, për të mos thënë eskatologjik, i papnisë. Mendoj se duhet të përfshijmë edhe Papën Françesku në këtë vazhdimësi. Në vitin 2007, letra e Benediktit XVI drejtuar katolikëve kinezë është gjithashtu tekst vendimtar, mbasi rishpjegon se çka është Kisha për kinezët, historinë e kishës katolike, si pozicionohet ajo në shoqëri, etj. etj. Duhet një punë e vërtetë edukative për t'u përpjekur të shpjegosh se çfarë është Kisha dhe ta përfshish në strukturat dhe kulturën kineze. Vijon ende strategjia e inkulturimit e cila i ka rrënjët tek jezuitët e atë Matteo Riccit dhe degët tek Papa Piu XI, i cili i njihte mirë shkrimet e atit jezuit përmes rolit të tij në Bibliotekën Ambroziane të Milanos.

"Azia ka qenë gjithmonë, ashtu si edhe Kina në veçanti, horizont historik, për të mos thënë eskatologjik, i papnisë"

Për Papën Françesku, një element i veçantë është krijimi shumë i shpeshtë i kardinajve të rinj në vendet që deri tani nuk ishin ende të përfaqësuara në Kolegjin e Kardinalor. Për shembull, Kardinali Bo, Kryeipeshkëv i Yangonit, i cili është president i Federatës së Konferencave të Ipeshkvijve të Azisë, si dhe i një numri selish në Azinë Juglindore.

Sipas mendimit tim, kjo nuk është domosdoshmërisht e lidhur me potencialin e konvertimit të këtyre rajoneve. Thuhet shpesh se Azia është e ardhmja e Kishës. Po të shikosh statistikat e fundit, vërejmë edhe se ka rritje të numrit të katolikëve, por në përpjesëtim me rritjen e popullsisë së përgjithshme. Nëse vetëm një kontinent në botë ka vërtet dinamikë të caktuar, është Afrika. Dhe në Azinë Lindore ka një kontrast ndërmjet të ashtuquajturave vende të zhvilluara si Japonia, Tajvani, Koreja e Jugut dhe vendet "në zhvillim", siç është rasti në Azinë Juglindore, për më tepër në vendet ku katolicizmi është ende në pakicë apo edhe shumë në pakicë, nën 5% të popullsisë së përgjithshme.

Çfarë i ka sjellë tashmë Azia qeverisjes së Kishës universale në përbërjen apo përparimin e saj, a jemi dëshmitarë të një de-perëndimizimi të Kuries Romake?

Papa Françesku, në disa pika, rifilloi një dinamikë nga papnia e Palit VI, lidhur veçanërisht me zgjerimin dhe ndërkombëtarizimin e Kolegjit të Kardinajve, që filloi nën Piun XII, me krijimin e kardinalit të parë kinez dhe kardinalit të parë në Indi (1953). Në vitin 1967, Pali VI krijoi kardinalin e parë indonezian dhe në 1969, kardinalin e parë korean. Gjon Pali II vazhdoi lëvizjen.

Risia është më tepër në nivelin e aparatit diplomatik i cili gradualisht dhe së fundmi është ndërkombëtarizuar, duke u de-italianizuar për t'u bërë fillimisht më përgjithësisht perëndimor – mund të ndjekim, për shembull, në dekadat e fundit studentët me origjinë gjeografike të Akademisë Kishtare Papnore – si dhe të Kolegjit të Kardinajve. Në koncistorin e 18 shkurtit 2012, Benedikti XVI kishte krijuar tashmë nëntë kardinaj aziatikë, duke përfshirë edhe katër indianë. Françesku hapi gjithashtu aparatin kurial të Romës për personalitete aziatike, si kardinali Lazarus You Heung-sik, prefekt i dikasterit të klerit, për shembull. Një njohje mjaft e vonë në historinë e Selisë së Shenjtë për një kishë koreane, që ka qenë prej kohësh ultra dinamike, sot për sa i përket thirrjeve lokale, por më shumë misionare, ndërsa kardinali japonez Stephen Fumio Hamao u bë President i Këshillit Papnor për migrantë dhe njerëz në lëvizje që nga viti 1998, duke përfaqësuar një kishë japoneze e cila nuk iu përgjigj kurrë shpresave dhe investimeve papnore dhe misionare. Në vitin 2010, Benedikti XVI emëroi Atë Savio Hon Tai-Fai (salezian), sekretar i Kongregatës për ungjillëzimin e popujve, pasi vendosi kardinalin indian Ivan Diaz në krye të dikasterit. Aktualisht, kardinali filipinas, Luis Antonio Tagle është pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin, seksioni për ungjillëzimin e parë dhe kishat e reja të veçanta.

Çfarë filli të kuq do t'i jepnit këtij udhëtimi të 45-të apostolik në Azi-Oqeani?

Sipas mendimit tim, ideja është që në vendin e parë mysliman në botë, Indonezinë, Kisha të dallohet si shembull i dialogut, pjesëmarrjes në formim dhe në zhvillim, duke mbrojtur lirinë dhe pluralizmin fetar pa nxitur konflikte të brendshme. Ishte mesazh i vazhdueshëm për dekada, për Kinën dhe për vendet e tjera, duke u mbështetur në përvojën e të krishterëve të parë në Romë: jini gjithmonë qytetarë të mirë dhe mos “u merrni me politikë”. Historikisht, ka pak katolikë në Indonezi aq sa në Azi, rreth 3%, por Selia e Shenjtë krijoi një delegacion apostolik në 1947 në mes të luftës së pavarësisë dhe atje shkuan dy Papë, Pali V e Gjon Pali II.

Indonezia gjithashtu zë një vend të rëndësishëm si Kishë në Federatën e Ipeshkvijve Aziatik (FABC) të krijuara në 1970 në Manila gjatë udhëtimit të Palit VI. Prej vitit 1970, krerët e kësaj federate kanë qenë të gjithë filipinas, indonezianë apo indianë, vetëm një herë koreanë. Është federatë ku ndjehet fort prania e Azisë Juglindore, me vendet në zhvillim, përveç Singaporit. Ky udhëtim shënon njëfarë gjeopolitike e ASEAN-it dhe ristrukturimi ekonomik e gjeostrategjik lidhur me tensionet kino-amerikane.

Singapori është një konkurrent i Indonezisë, por edhe i Malajzisë, xheloz për suksesin ekonomik dhe madje strategjik, në të cilin ekziston një model pluralizmi fetar i dëshiruar, i mbështetur dhe i premtuar nga regjimi që nga pavarësia e tij në 1965, fillimisht nën autoritetin e Kryeministrit Lee Kuan Yew. Një qendër për shkëmbimet ekonomike dhe financiare, forumet dhe samitet ndërkombëtare, dhe si e tillë që promovon një diplomaci të ekuilibrit dhe stabilitetit rajonal dhe global, është gjithashtu  bazë e pasme për një numër të caktuar vëzhguesish nga Kina, për atë që po ndodh në Azinë Juglindore. Në Papua Guinenë e Re, përveç çështjes së inkulturimit, autoritetet duan të përfshijnë krishterimin në Kushtetutë, në një vend me 826 gjuhë, por me shumicë të krishterë: 64% protestantë, 26% katolikë, me nunciaturë apostolike që nga viti 1977.

Autoritetet e Timorit, të entuziazmuara nga ardhja e Gjon Palit II në 1989, i cili zbuloi para opinionit publik botëror fatin katastrofik të kësaj ish-kolonie portugeze brenda federatës indoneziane, e konsiderojnë Kishën si faktor zhvillimi dhe uniteti në një vend të vogël, shumë të ballkanizuar.

Kisha katolike luajti një rol të rëndësishëm ndihme ndaj OKB-së për të ndërtuar me vështirësi një shtet të pavarur. Pavarësia dhe ndërtimi i Timorit janë gjithashtu fryt i veprimit të kishës së Gjon Palit II. Pas shpalljes së pavarësisë së tij, Selia e Shenjtë ngriti një nuciaturë apostolike në kryeqytetin Dili (2003).

Prandaj, ky udhëtim na lejon të thellojmë dialogun me vendet e Azi-Paqësorit, dhe tregon, edhe një herë, se ky është laboratori i madh i sfidave të Kishës dhe zhvillimeve të saj, përfshirë në rrafshin teologjik dhe kishtar. Azia-Paqësori, zemra e ekonomisë botërore, nuk është më vetëm horizont apo periferi për një Kishë të themeluar para më shumë se pesëqind vjetëve. Veprimi dhe ndikimi i saj kryqëzohen, pak a shumë, me sfidat e zhvillimit, si dhe me ato të demokracisë dhe të paqes, në kryqëzimin e çështjeve të pushtetit (Shtetet e Bashkuara, Kinë, Indi, Japoni, Rusi). Kisha mund të pranojë të përballojë sfidat e ungjillëzimit të "qendrës së botës", "martirizimin e durimit" që kardinali Casaroli ngjalli në lidhje me Ostpolitikën e Vatikanit ndaj botës komuniste evropiane. Nuk është aq e dyshimtë që Kisha do ta gjejë shpëtimin e saj nesër atje - për shekujt e ardhshëm.

02 shtator 2024, 15:42