Kremtohet në Sapë shenjtja shqiptare Nënë Tereza
R.SH. – Vatikan
Festa liturgjike e Nënë Terezës, ashtu si në gjithë Kishën Katolike, u kremtua edhe në dioqezën e Sapës, në Shqipëri. Më 5 shtator, besimtarët u mblodhën në katedralen, që i kushtohet pikërisht shenjtes shqiptare të bamirësisë, e para në vend që mban emrin e saj. Meshën e kryesoi ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, në bashkëkremtim me meshtarët e dioqezës. Pas meshës u shtrua një drekë festive për njerëzit me aftësi ndryshe, që ndiqen nga Karitasi dioqezan. Më hollësisht, na informon Violeta Marashi…
Festa e Shenjtëreshës Shqiptare Nënë Tereza, u përkujtua edhe në Dioqezën e Sapës, një festë kjo e cila na pret në çdo fillim shtatori. Këtij kremtimi i parapriu treditëshi i shenjtë kushtuar Nënë Terezes, ku u mbajtën lutje dhe adhurim në nder të saj.
Ndërsa kulmoi kjo festë me datën 5 shtator, besimtarë të shumtë shtegtuan nga famullitë e ndryshme të dioqezës, drejt Katedrales që i kushtohet Nënës Tereze, dhe është katedralja e parë në botë që mban emrin e saj. Një vend të veçantë në këtë ditë ishte rezervuar për miqtë e Nënë Terezes, të varfërit dhe të sëmurët, të cilët janë gjithmonë të mirëpritur, duke iu dhuruar kështu momente gëzimi dhe shprese.
Mesha e Shenjtë u udhëhoq nga ipeshkvi i vendit Imzot Simon Kulli, në bashkëkremtim me meshtarët e dioqezës së tij. Përveç besimtarëve, në këtë kremtim, morën pjesë edhe motrat e kongregatave të ndryshme, në veçanti motrat e kongregatës së Nënë Terezes, të cilat shërbejnë në dioqezën e Sapës, në Pukë që prej 30 vitesh, si dhe autoritetet e pushtetit vendor, të Bashkisë Vau Dejës.
Gjatë homelisë së rastit, Imzot Simoni nënvizoi “shembullin e jashtëzakonshëm të Nënë Terezes e cila gjithë jetën e saj ia kushtoi shërbimit ndaj të varfërve. Nëna Tereze e ka përqafuar botën e vuajtjes, iu ka lehtësuar barrën miliona njerëzve kudo që i ka takuar duke dhënë vetëm dashuri dhe shërbim, mundimeve, sëmundjeve, duke iu dhënë një kuptim dhe domethënie të re sipas parimit kuptimplotë – tha Imzot Simoni. "PA DASHURI DHE FLIJIM JETA S’KA KUPTIM”. Kjo shenjtëreshë e jashtëzakonshme e shekullit tonë dhuroi gjithçka të qënies dhe të jetës së saj“– përfundoi ipeshkvi.
Gjithashtu, në nderim të veprës së madhe të Shën Terezës së Kalkutës, për të gjithë përsonat me aftësi ndryshe, Caritas Sapa si zakonisht shtroi dreken festive tek Mensa e Caritasit Dioqezan.
Festa e Nënë Terezes ka vazhduar gjatë ditës edhe me aktivitete të tjera kulturore dhe artistike të organizuar nga famullia Shën Kollit në bashkëpunim me Bashkinë Vau Dejës.