Dom M. Pashkja: shtegtarë të shpresës, ndërtues të paqes” në Tiranë, takimi Med24
R.SH. / Vatikan
Nga 15 deri më 21 shtator në Tiranë mbahet Med24, etapa e katërt e Takimeve Mesdhetare, pas Barit, Firences dhe Marsejës. Protagonistë të këtij takimi janë 50 të rinj nga 25 Kisha të "Mare Nostrum" dhe Detit të Zi, me temën "Shtegtarët të shpresës. Ndërtues të paqes". Më hollësisht të ndjekim njoftimin e zëdhënësit të Konferencës Episkopale të Shqipërisë, dom Mark Pashkja:
Shtegtarë të shpresës, ndërtues të paqes”
Nën këtë moto 50 të rinj, nga 25 vende të ndryshme të detit Mesdhe dhe të detit të Vdekur, me përkatësi të ndryshme fetare do të mblidhen në Tiranë për takimin e Med 24. Nën kujdesin e Sh.T Imzot Arjan Dodaj, ky takim pritet dhe organizohet si vijim i ati të Marsejës në vitin 2023 dhe organizohet pikërisht në Tiranë në kuadrin e 10 vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në vendin tonë.
Te rinjtë, si dëshmitarë të krizave të shumta, që po shpalosen në ditët e sotme, do të mblidhen të diskutojnë së bashku në Tiranë në datat 15-21 shtator. Ata do të reflektojnë rreth një kulture dialogu dhe paqeje, e cila do të kontribuojë për një të ardhme, ku aspirohen drejtësia dhe paqja si themele për të ardhmen e Mesdheut.
Shqipëria është një vend i pasur me vlera dhe ofron një model të harmonisë fetare, duke u bërë një shembull i vlefshëm i diversitetit dhe bashkëjetesës në paqe. Të rinjtë do ta zbulojnë këtë pasuri dhe do ta përjetojnë këtë gjatë vizitave dhe takimeve në vendin tonë. Të rinjtë e “MED24”, vijnë nga vende te ndryshme si: Maroku, Algjeria, Tunizia, Egjipti, disa vende të Lindjes së Mesme, Turqia, Armenia, Gjeorgjia, Rumania, Greqia, Kroacia, Kosova, Malta, Franca, Italia, Spanja dhe Shqipëria. Ata i përkasin besimeve të ndryshme fetare. Backgroundi profesional i tyre është i larmishëm dhe përfshin një gamë të gjerë përvojash dhe aftësish, që kontribuojnë në një perspektivë të pasur dhe të shumanshme.
Ky takim do të nderohet me pjesëmarrjen e ipeshkvijve te Mesdheut, ata do të vijnë nga Italia, Maroku, Franca, Turqia, Greqia, Malta, Kroacia, Kosova, Mal i Zi. Takimi i Mesdheut 24”, ka për qëllim të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet të rinjve dhe ipeshkvijve nga rajoni i Mesdheut për të adresuar sfidat dhe mundësitë e përbashkëta ne krijimin një kulture solidare, që promovon Paqe dhe Shpresë.
Programi synon të forcojë bashkëpunimin midis të rinjve dhe vendeve pjesëmarrëse duke promovuar përvoja pozitive dhe duke njohur disa realitete në Shqipëri dhe në rajon përmes një sërë aktivitetesh dhe vizitash.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të vizitojnë institucione shqiptare, ku do të informohen mbi angazhimin e Shqipërisë në promovimin e paqes dhe harmonisë. Vizitat në institucione fetare dhe takimet me krerët e tyre, do të shpalosin rolin e Shqipërisë si një shembull i harmonisë fetare dhe promotor i paqes. Në Shkodër dhe Fier, do të eksplorohen aspekte të rëndësishme të historisë dhe trashëgimisë kulturore, përfshirë vizita në muze dhe takime me figura të rëndësishme, që kanë ruajtur besimin e fenë gjatë regjimit komunist. Takimi i Mesdheut 24”, do të kulmojë me një sesion të veçantë të punës më 19 shtator, ku të rinjtë dhe ipeshkvijtë do të angazhohen në diskutime mbi tri
temat kryesore: Edukimi, Komunikimi dhe Zhvillimi Integral, si dhe Kujdesi për Tokën në ndërtimin e paqes. Ky sesion do të fokusohet në krijimin e iniciativave të përbashkëta për të ndihmuar në ndërtimin e një kulture solidare, që promovon paqe dhe shpresë.