Kërko

Vangelo della XXVI domenica 'B' Vangelo della XXVI domenica 'B'

Të meditojmë Ungjillin e dielës së 26-të vitit 'B': nëse dora shkakton shkandull, preje!

Ti na kërkon vendosmëri, o Jezus,/por na çon në drejtim krejt tjetër:/na kërkon të jemi të rreptë me veten/kur duhet të çrrënjosim nga jeta/të keqen, që po lulëzon në të/e po shkakton dëme të jashtëzakonshme;/të jemi të vendosur e t’i zhdukim/deri në thellësi/ato sjellje e qëndrime/që shkaktojnë shkandull,/që fyejnë të varfrit,/që tradhtojnë Ungjillin tënd;/të vendosur, kur është në lojë/shpëtimi ynë për amshim,/prandaj, nuk mundemi t'u shërbejmë shërbejmë dy padronëve.

R.SH. - Vatikan

Në Ungjillin e Markut, këtë të diele të 26-të gjatë vitit kishtar 'B', Jezu Krishti na mëson të mos i gjykojmë të tjerët, vetëm e vetëm pse nuk bëjnë pjesë në rrethin tonë dhe na fton të kuptojmë se si hyhet në Mbretërinë e Zotit. Jezusi ua bënë të ditur dishepujve dhe ne, se edhe jashtë Kishës ka njerëz që në  jetën dhe me veprat e tyre frymëzohet nga ai e nga shembulli i tij. Por nuk mungon as qortimi të mos bëhemi shkandull për tjerët, me sjellje e stil të një jete të pandershme. Shën Marku ungjilltar (9,38-43.45.47-48) vë rresht njëra pas tjetrës të gjitha arsyet e shkandullit për të krishterët, duke na treguar Jezu Krishtin, që çuditërisht për ne, u thotë ndjekësve të vet të gjymtohen, nëse gjymtyrët e tyre nuk janë të denja për të hyrë në amshim. Por le të ndjekim Ungjillin…

Në atë kohë, Gjoni i tha Jezusit: “Mësues, e pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emër tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.” Jezusi i tha: “Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq për mua. Kush nuk është kundër nesh, është me ne. Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë përse jeni të Krishtit, për të vërtetë po ju them: me siguri nuk do ta humbë shpërblimin e vet. Porse, për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua të mëkatojë, do t’ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det. Prandaj, nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr – në zjarr që s’fiket kurrë. E nëse këmba jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh në jetë i çalë se t’i kesh të dy këmbët e të hidhesh në ferr. Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat, nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr ku krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket.

Të lutemi së bashku

 

Jemi të vendosur, s’ke ç’thua,

kur është fjala për të folur keq

për të tjerët:

për t’u organizuar procesin,

për t’i gjykuar,

për t’i dënuar

që të respektojmë ato, të cilat na duken

rregulla të shenjta, që s'duhen nëpërkëmbur.

E gjithçka bëhet edhe më e lehtë

kur është fjala për një të huaj,

për një person, që s’është ndër tanët,

për një që, në fund të fundit,

e shohim me dyshim vetëm pse s'e njohim.

 

Ti na kërkon vendosmëri, o Jezus,

por na çon në drejtim krejt tjetër:

na kërkon të jemi të rreptë me veten

kur duhet të çrrënjosim nga jeta

të keqen, që po lulëzon në të

e po shkakton dëme të jashtëzakonshme;

të jemi të vendosur e t’i zhdukim

deri në thellësi

ato sjellje e qëndrime

që shkaktojnë shkandull,

që fyejnë të varfrit,

që tradhtojnë Ungjillin tënd;

të vendosur, kur është në lojë

shpëtimi ynë për amshim,

prandaj, nuk mundemi më

të vonohemi e të lëkundemi,

sidomos, s'mund t'u shërbejmë dy padronëve.

 

28 shtator 2024, 09:32