Vikari i Arabisë: Deklarata e Istiqlalit përforcon udhën e nisur në Abu Dabi
R.SH. – Vatikan
"Të ndryshme, por plotësojnë njëra-tjetrën". Deklarata ndërfetare e Istiqlalit, nënshkruar dje në Indonezi nga Papa Françesku dhe imami i xhamisë me të njëjtin emër, e përforcon atë të Vëllazërimit Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi, sepse merr parasysh "dy çështje themelore: dhunën e konflikteve dhe abuzimin me gjithësinë" e krijuar nga Zoti. Këtë nënvizon vikari apostolik i Arabisë jugore, imzot Paolo Martinelli, për agjencinë katolike të lajmeve AsiaNews, duke komentuar udhëtimin e Atit të Shenjtë në Azi dhe Oqeani. Prelati mbulon me detyrën e tij Emiratet e Bashkuara Arabe, Omanin dhe Jemenin.
Dehumanizimi, shpërdorimi i natyrës, dialogu ndërfetar, tunele që lidhin - dhe bashkojnë - në emër të miqësisë, kujdesi për lidhjet dhe Krijimin: Papa preku të gjitha këto tema në Indonezi, etapa e parë e shtegtimit të tij të 45-të apostolik. Kujtojmë se sot filloi etapa e dytë, ajo në Papua Gunienë e Re e më pas, Françesku do të shkojë edhe në Timorin Lindor e Singapor. Për vikarin e Arabisë, në botën aktuale ekziston "rreziku për t'u mësuar me dehumanizimin e shkaktuar nga konfliktet dhe luftërat".
Tuneli i Miqësisë e Shtëpia Abrahamike
Për këtë arsye, pas nënshkrimit të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor me Imamin e madh të al-Azharit, Ahmed al-Tayeb, "Deklarata e Përbashkët e Istiqlalit" e nënshkruar dje me Imamin e Madh Nasaruddin Umar është po aq e rëndësishme. “Tuneli i Miqësisë” ndërmjet katedrales katolike dhe xhamisë në Xhakartë, ose “Shtëpia e Familjes Abrahamike” për dialogun ndërfetar në Abu Dabi, janë realitete vërtet kuptimplote, pohon imzot Martinelli, pasi ato përfaqësojnë pika jetike, në të cilat mund të përjetojmë se mund të ecim së bashku, duke vlerësuar edhe dallimet", pa pasur nevojë t’i sheshojmë ato.
Vlerësimi i dallimeve
“Përveç kësaj, - vijon ai – më bënë shumë përshtypje fjalët e Françeskut për dialogun ndërfetar. Dua të nënvizoj dy aspekte: së pari, se dialogu ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme nuk synon vetëm gjetjen e gjërave të përbashkëta, por edhe vlerësimin e dallimeve, respektin reciprok, njohjen e vërtetë të njëri-tjetrit, duke kapërcyer paragjykimet. Ti e njeh veten më mirë kur kupton dallimin me të tjerët. Papa e quan këtë: ‘Të kujdesemi për lidhjet’. Lidhjet mund të krijohen vetëm nëse kuptohet e mira e tjetrit, që mund të jetë e ndryshme nga e jotja”.
Çështja e Zotit si çështje themelore njerëzore
Imzot Martinelli vë në dukje edhe ftesën e Papës për të parë thellë, edhe atë që fshihet "nën" të gjitha fetë. “Rrënja e përbashkët e të gjitha ndjeshmërive fetare – pohoi dje Ati i Shenjtë në Indonezi - është vetëm një: kërkimi i takimit me hyjnoren, etja për pafundësinë që i Gjithëpushtetshmi na ka vënë në zemër, kërkimi i një gëzimi më të madh dhe i një jete më të fortë se çdo vdekje, e cila e gjallëron rrugëtimin e ekzistencës sonë dhe na shtyn të lëmë egon personale për të shkuar drejt takimit me Zotin". Nga ky këndvështrim, komenton vikari i Arabisë, dialogu ndërfetar është thirrje për çdo burrë dhe grua që t'i kthehet çështjes së Zotit si çështje themelore njerëzore. Njeriu përmban në vetvete dëshirën për Zotin, për t’u plotësuar, për të ditur kuptimin përfundimtar të gjërave që përjeton. Kjo përmasë është fetare dhe banon në zemrën e secilit. Kur njeriu e harron këtë, dehumanizohet. Detyra e parë e feve është ta rishikojnë çështjen e Zotit në këtë nivel.
Dhuna gjatë konflikteve dhe abuzimi me Krijimin
Dy Deklaratat ndërfetare, ajo e Istiqlalit dhe ajo e Abu Dabit janë të ndryshme ndërmjet tyre, vë në dukje imzot Martinelli. Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor ka një strukturë më të gjerë, prek shumë tema, përshkruan metoda dhe objektiva që impenjojnë besimtarë të feve të ndryshme, veçanërisht të krishterët dhe myslimanët. Ndërsa në tekstin e Istiqlalit shqyrtohen dy çështje themelore: dhuna gjatë konflikteve dhe abuzimi me Krijimin. Theksohet si duhet të kontribuojnë traditat e ndryshme fetare dhe dialogu ndërfetar në ndalimin e konflikteve dhe në kujdesin për shtëpinë tonë të përbashkët. Dokumenti i referohet "Pancasila"-s, e cila përfaqëson traditën filozofike, mbi të cilën Indonezia mbështet bashkëjetesën paqësore të popujve dhe të kulturave të ndryshme, që e përbëjnë.
Udhëtimi i Papës interesant edhe për Gjirin Persik
“Ky udhëtim i Papës – pohon së fundi vikari i Arabisë - është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe interesant edhe për realitetin e Gjirit Persik. Ati i Shenjtë e bën tejet të qartë se shpallja e Ungjillit nuk ka të bëjë me prozelitizmin, duke iu përgjigjur kështu edhe frikës së myslimanëve, e cila shkakton tensione me të krishterët. Jetesa në vendet islame çon në rizbulimin e thelbit të ungjillizimit, që është dëshmia. Dëshmia e vërtetë nuk është kurrë anonime. Në dëshmi, komunikojmë ç’kemi më të shtrenjtë - Krishtin dhe Ungjillin e tij – duke e hapur lirisht zemrën për marrëdhëniet me të tjerët, në respekt të plotë të lirisë së tyre. Dialogu ndërfetar është një nga marrëdhëniet themelore të dëshmisë së krishterë”.