Me 3 tetor kalendari kujton Shën Kandiden nga Roma, martire
R.SH. - Vatikan
Me 3 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Kandiden nga Roma, martire. Dihet shumë pak për martiren romake, që kujtohet vetëm në një lapidar të skalitur në kohën e Papës Pasqualit I. Prej këtij lapidari mësojmë se trupi i saj, i martirizuar në Romë, u mbart nga katakombet e Prishilës dhe u varros në Kishën e Shën Presedes në Eskulin.
Më pas reliket u mbartën përsëri dhe u vendosën në Kishën romake të Zojës së Mrekullive. Shtatorja prej dylli, brenda së cilës ruhen këto relike, e veshur me petka të epokës, e mbrojtur nga një urnë qelqi, u vendos në kapelën e dytë më të djathtë të elterit të madh, që iu kushtua Martires. Sipas bolandistëve, siç quhen autorët e jetëshkrimit të martirëve, Kandida dha dëshminë e gjakut për Krishtin së bashku me Shën Artemin e Shën Paolinën, që kremtohen më 6 qershor.
Liturgjia e festë së Shën Kandidës martire, na nxit të meditojmë për detyrën tonë si të krishterë në ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Është thirrje themelore, që Jezusi na e përsërit çdo çast, duke na kujtuar se kjo thirrje duhet të na nxisë t’i duam të tjerët e jo ta ndjejmë veten më të mirë se ata.