Kërko

 Shkatërrim në famullinë "Shëlbuesi i Shenjtë" i Canchipur Shkatërrim në famullinë "Shëlbuesi i Shenjtë" i Canchipur  (© ACN)

Alarmues, persekutimi i të krishterëve në botë

Rritja e persekutimeve në dy vitet e fundit, e regjistruar nga raporti dyvjeçar i titulluar "Të persekutuar dhe të harruar?”. Një raport mbi të krishterët e shtypur për shkak të fesë së tyre 2022-24", përgatitur nga Fondacioni Papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”.

R. SH. - Vatikan

Persekutimet janë “më të shumta se kurrë”. E vërteton raporti i fondacionit papnor Ndihmë për Kishën që Vuan, i titulluar “Të Persekutuar dhe të Harruar? Një raport mbi të krishterët e shtypur për besimin e tyre 2022-24" i cili analizon të dhënat nga dy vitet e fundit, nga gushti 2022 deri në qershor 2024. Botimi më i fundit i raportit u paraqit në 22 tetor në Parlamentin Britanik

Hulumtimi u krye në 18 “vende kyçe”, shpjegon NDKV duke filluar nga Amerika Latine, deri në Lindjen e Largët. Një pjesë e rëndësishme e raportit përbëhet nga dëshmitë e njerëzve, që pësuan sulme me bazë fetare dhe përshkrimet e hollësishme të disa ngjarjeve, të cilat Ndihmë për Kishën që Vuan i mori përmes kontakteve lokale në çdo vend. Siç shkruhet në paraqitjen e raportit, në faqen e tij të dytë, "sot dhuna fetare kundër të krishterëve është më e shpeshtë se kurrë". Organizata vë në dukje se kjo është e prekshme edhe në kërkimet e kryera nga institucione të tjera, si Qendra Kërkimore Pew.

Ndihma për të përndjekurit: detyrë për të krishterët

Ndihma e të persekutuarve për fenë e tyre nuk mund të konsiderohet aktivitet fakultativ i Kishës, pohon Regina Lynch, presidente ekzekutive e ACN International në një intervistë për mediat e Vatikanit. “Nevoja për të vepruar në favor të të krishterëve të persekutuar në të gjithë botën nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit themelor të njeriut, por edhe me solidaritetin ndaj atyre, që persekutohen për besimin e tyre në Krishtin”- kujton.

"Si fondacion papnor, ne udhëhiqemi nga këshillat e Papës Françesku, i cili bën rregullisht thirrje për këtë solidaritet. Së fundmi, në gusht 2024, Papa nënvizoi nevojën që të krishterët të jenë pranë vëllezërve dhe motrave të tyre në fe, veçanërisht me ato që vuajnë nga padrejtësia, abuzimi dhe urrejtja” - nënvizon më tej Lynch. Dhe mos harroni se NDKV ofron ndihmë në tri mënyra: mbështetje materiale, lutje, grumbullim dhe shpërndarje informacioni për situatën e të krishterëve në botë, gjë që pasqyrohet në raportet e publikuara nga Fondacioni: "Të Persekutuar dhe të Harruar" dhe "Raport mbi Lirinë fetare”.

Të persekutuar në mënyra të ndryshme

Raporti tregon jo vetëm shkallën, por edhe larminë e veprimeve kundër besimtarëve. Autorët janë institucione shtetërore dhe publike ose grupe private, përfshirë ekstremistët fetarë dhe grupet kriminale. Ndër llojet e ndërhyrjes dhe të persekutimit të përmendura, janë arrestimet, gjithnjë e më shumë me akuza për blasfemi kundër feve të tjera, zhvendosjet dhe dëbimet e detyruara, shkatërrimi ose konfiskimi i vendeve të adhurimit, konvertimi dhe dhuna e detyruar nga martesa, frikësimi dhe rrëmbimet, informacionet ofenduese dhe të rreme për të krishterët. Vëmendja u tërhoq edhe në rastet e zbatimit të ligjit të dyfishtë, që i nënshtron të krishterët t’u binden kufizimeve më të mëdha se adhuruesit e feve të tjera ose që paraqesin ligje, të cilat e ndalojnë kthimin në fenë e krishterë.

Heksodi i krishterë

Njëheresh me të dhënat statistikore, autorët e raportit bëjnë pyetje në lidhje me pasojat e persekutimit, mbi të krishterët ashtu edhe mbi tokat ku banojnë. Raporti, ndër të tjera, flet edhe për faktin se shpërngulja e të krishterëve dhe privimi i të drejtave të tyre civile "ngre pikëpyetje për mbijetesën afatgjatë të Kishës në rajone kyçe". Më pas nënvizohet se persekutimi më intensiv i të krishterëve sot është zhvendosur nga Lindja e Mesme, në vendet afrikane. Në të njëjtën kohë theksohet se në Siri, ku para vitit 2011 kishte mbi 1.5 milionë besimtarë të krishterë, aktualisht janë rreth 250 mijë, ndërsa në Irak të pagëzuarit përbëjnë aktualisht më pak se 0.5% të popullsisë. Në Burkina Faso, megjithatë, një në dhjetë banorë është detyruar të ndryshojë vendbanimin, për shkak të persekutimit fetar.

Një shkëndijë shprese në Vietnam

Raporti përfshin edhe vëzhgime pozitive. Kanë të bëjnë me Vietnamin, ku ndër të tjera, falë “hapave të ndërmarra për të rivendosur marrëdhëniet pozitive me Vatikanin”, situata e të krishterëve është përmirësuar paksa. Edhe pse miratimi i lirisë fetare në këtë vend kërkon ende shumë përpjekje, "Kisha Katolike megjithatë ka arritur t’i përmirësojë marrëdhëniet me shtetin". Pika kryesore e kthesës u arrit gjatë pandemisë, kur veprimtaria e Kishës, me shpërndarjen e ndihmave e, sidomos, të ushqimit, fitoi respektin e sundimtarëve.

25 tetor 2024, 14:39