Bashkësia e Shën Egjidit sjell 51 refugjatë sirianë në Romë
R.SH. – Vatikan
Pesëdhjetë e një refugjatë nga Siria mbërritën sot (15 tetor) në aeroportin Fiumicino të Romës nga Bejruti. Bashkësia e Shën Egjidit, Federata e Kishave Ungjillore në Itali dhe Tryeza Valdeze punuan me Ministrinë e Brendshme dhe me atë të Punëve të Jashtme për ta sjellë këtë grup në Itali.
Disa nga refugjatët jetonin në banesa të rastit në Bejrut dhe Saida, në Libanin jugor, ndërsa të tjerët banonin në kampe në Luginën Bekaa, zonë e prekur drejtpërdrejt nga konflikti i vazhdueshëm.
Grupi përbëhet nga familje, duke përfshirë një numër nënash me fëmijë, të pashoqëruara nga bashkëshortët, të cilat do të zhvendosen dhe do të jetojnë në rajone të ndryshme të Italisë. Nëpërmjet nismës së Korridoreve Humanitare, familjet do të marrin ndihmë për t'u përshtatur me jetën në vend, duke ndjekur kurse të gjuhës italiane dhe, pasi të marrin statusin e refugjatit, ndihmë për të gjetur punë.
Korridoret Humanitare
Këta 51 refugjatë nuk janë të parët, që strehohen në Itali. Që nga viti 2016, përpjekjet e Bashkësisë së Shën Egjidit dhe të partnerëve të tij kanë sjellë rreth 3000 njerëz, në kushte më të sigurta në Itali, vetëm nga Libani. Numri i përgjithshëm i refugjatëve, që kanë ardhur në Evropë përmes Korridoreve Humanitare e ka kaluar 7700 vetë.
Papa Françesku dhe refugjatët
Gjatë 11 viteve të papnisë, kriza e refugjatëve ka qenë dhe është çështje e rëndësishme për Papën Françesku. Ai, jo vetëm që ka folur për këtë, duke i kritikuar vendet për indiferencën e tyre, por ka vënë në jetë edhe shumë nisma për t'i mbështetur ata. Në vitin 2016, pas vizitës së tij në ishullin grek të Lesbos, Papa Françesku solli në Romë, me avionin papnor, 12 refugjatë nga Siria, ndër të cilët gjashtë fëmijë. Pesë vjet më vonë, kur udhëtoi për në Greqi, u takua me nëntë të rinj të krishterë sirianë në Nunciaturën Apostolike në Athinë.