Filipinos visit a cemetery ahead of All Saints Day Filipinos visit a cemetery ahead of All Saints Day

Çelësi i fjalëve të Kishës: 1 e 2 nëntori, hallkë shpirtërore që na bashkon me Qiellin

Me festën e Gjithë Shenjtorëve Kisha na mëson se ‘Shoqëria e Shenjtorëve’ është bashkimi i të gjithë atyre njerëzve që besojnë në Krishtin: të atyre që tashmë kanë arritur në shtëpinë qiellore; të atyre që janë ende në Purgator e atyre që vijojnë shtegtimin mbi tokë. Ndërsa, më 2 nëntor, Kisha na fton ta shikojmë enigmën e vdekjes me qetësi e shpresë, të shndritur nga feja e nga drita e ngjalljes së Krishtit. Gjithçka kalon, po Zoti mbetet

R.SH. - Vatikan

Nesër e pasnesër, më 1 dhe 2 nëntor, Kisha Katolike, shtegtare mbi tokë, kremton Gjithë Shenjtorët e përkujton Gjithë të Vdekurit e, përmes liturgjisë shenjte jeton e shpreh hallkën shpirtërore, që e bashkon me Kishën Qiellore. Solemniteti i të këtyre dy ditëve na ndihmon të thellohemi më njërën ndër të vërtetat themelore të fesë sonë të krishterë, në jetën e përjetshme në Hyjin me “Shoqërinë e Shenjtorëve”. Feja e ushqen në njeriun shpresën, që shkon përtej vdekjes, në Amshimin e Hyjit, që është fundi i misterit të vdekjes.

Kisha dëshmon me këto dy të kremte përkujdesjen amnore për çdo njeri, në të gjitha periudhat e jetës së tij: nga lindja e deri te caku i fundit të jetës, nga Pagëzimi e deri tek Ringjallja, pra, deri te pjesëmarrja në Jetën e Amshuar në Hyjin.

Dita e 2 nëntorit është e veçantë, na bën ta ndiejmë në mënyrë të posaçme çdo person e çdo familje. Është festa njerëzore e dashurisë, që e tejkalon përmasën kohore e njerëzore, për t’u shkrirë në përmasën e amshuar të misterit të dashurisë hyjnore. Më 2 nëntor, Kisha na fton ta shikojmë enigmën e vdekjes me qetësi e shpresë, të shndritur nga feja e nga drita e ngjalljes së Krishtit. Gjithçka kalon, po Zoti mbetet dhe caku i jetës sonë është pikërisht takimi përfundimtar ballë për ballë me Zotin. Prandaj Kisha e fton secilin ta shikojë këtë realitet.

Në kohën tonë, më shumë se në të kaluarën, njerëzit merren aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e i vetë jetës sonë. Por jeta njerëzore, për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë më i lartë, që qëndron mbi këtë natyrë: e pamposhtur është etja e njeriut për drejtësi, për liri, për lumturi të plotë.

Enigma e vdekjes ndërthuret me mendimin si të jetojmë mirë, si të gjejmë lumturinë, e njëkohësisht me pritjen e Gjyqit të Mbramë, që do të vendosë përfundimisht drejtësinë. E duke kujtuar këtë, Lumnitë Ungjillore na ftojnë që tani, në jetën tokësore, të përgatitemi për Jetën e vërtetë në Hyjin, duke i dëgjuar fjalët e Tij, që na thonë: lum njeriu që dhuron; lum ai që nuk e jeton jetën vetëm për vete, por edhe për të tjerët; lum njeriu i mëshirshëm, i mirë e i drejtë; lum njeriu që jeton në dashurinë e Zotit dhe të të afërmit. Kështu jetojmë mirë, prandaj, nuk duhet të kemi frikë nga vdekja, sepse jemi në lumturinë që vjen nga Zoti e nuk soset kurrë.

Në qendër të fesë së krishterë është misteri i vdekjes e i ngjalljes së Krishtit: Ngjallja e Krishtit ishte si shpërthim drite, shpërthim dashurie që thyen prangat e mëkatit e të vdekjes. Përuroi kështu një përmasë të re të jetës e të realitetit, nga e cila lind një botë e re, e cila depërton vazhdimisht në botën tonë, e shndërron atë dhe e bën për vete.

Me këtë siguri e shikojnë të krishterët jetën e pasosur, por pa i harruar detyrat, që kanë ende sa janë në botë: këmbët i kanë në tokë por zemrën në qiell, në banesën përfundimtare të miqve të Zotit. Jeta e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjesht një jetë që s’ka fund, por sidomos një përmasë e re e jetës, e shkrirë plotësisht në dashurinë e Zotit, i cili na çliron nga e keqja e nga vdekja dhe na bën të bashkohemi përgjithmonë me të gjithë vëllezërit e motrat, që marrin pjesë në të njëjtën dashuri të Hyjit.

31 tetor 2024, 10:24