Kërko

Kishë kushtuar Zojës së Madhe ne Sidnej Kishë kushtuar Zojës së Madhe ne Sidnej

Çelësi i fjalëve të Kishës: përshpirtëria mariane në Oqeani

Kisha në Oqeani është e njohur për përkushtimin e saj ndaj Virgjërës Mari. Vërtet, Australia është kombi i parë, që zgjodhi "Shën Marinë Ndihmë e të Krishterëve" si pajtoren e saj kryesore, në vitin 1844

R.SH. – Vatikan

         Kontinenti i Oqeanisë – i fundit i ciklit tonë kushtuar shenjtëroreve mariane në botë - është i vetmi ku nuk njihet zyrtarisht ndonjë dukje e Zojës së Bekuar, por përkushtimi ndaj saj është shumë i fuqishëm, që në fillimet e vështira të historisë. Pas revoltës së kolonive amerikane, që do të formonin Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe u gjend pa “kampet e përqendrimit” të të dëbuarve, që kishte në anën tjetër të Atlantikut. Kështu, Londra vendosi të transportonte qindra, ose më mirë mijëra të dënuar në brigjet ende të virgjëra dhe të shkreta të Australisë, të prekura vetëm nga lundërtarë si Cook. Ekspedita e parë mbërriti në fund të shekullit XVIII. Midis të dënuarve nuk kishte vetëm kriminelë të zakonshëm: kishte edhe shumë irlandezë (por edhe anglezë, skocezë, nga Uellsi), fajtorë për një krim të vetëm: këmbënguljen për të mbetur katolikë dhe refuzimin për t'u bërë pjesë e Kishës Shtetërore Anglikane, e vetmja e pranuar. Me ta mbërritën edhe rruzaret, fuguret dhe shtatoret mariane, megjithëse, vetëm disa dekada më vonë, autoritetet protestante lejuan vendosjen e përhershme të disa meshtarëve katolikë. Në këtë situatë të diasporës irlandeze, pa meshtarë në rajone të largëta, rruzarja zëvendësoi meshën: duke llogaritur kohën e liturgjisë festive në atdheun e tyre, të mërguarit irlandezë mblidheshin, të gjunjëzuar, për të thënë së bashku Rruzaren.

         Të mos harrojmë, natyrisht, se në Dublin, pikërisht nga një irlandez, Frank Duff, u themelua në vitin 1921 Legjioni i Marisë, i cili është përhapur në mbarë botën dhe ka bërë e bën kaq shumë, edhe në Australi, që kulti i Marisë të kthehet në përkushtim jete e në impenjim për të tjerët. Ndërkohë, sa për t'iu përmbajtur gjuhës shprehëse të numrave, nga 4327 kisha australiane, 621 i janë kushtuar Marisë; dhe të gjithë ato, pa dallim, kanë ose një altar, ose një shtatore të Virgjërës Shenjte.

         Kujtojmë se feja mbizotëruese në Australi është ajo e traditave të ndryshme protestante, ndërsa katolikët zënë vendin e dytë. Megjithatë, një shtatore guri e Virgjërës, që daton në dekadën e parë të shekullit XVII, ruajtur sot në muzeun e Brisbane, është prova më konkrete se kolonizatorët e parë evropianë ia besuan tokat e reja mbrojtjes së shën Marisë. Shtatorja u gjet pranë Gladstone, në vendin ku lundërtari Queirés, në vitin 1606, pati ngritur një kryq dhe një kishë, kushtuar Zojës së Loretos. Atërherë, emri i Zojës u lidh me fatet e kontinentit të ri, pasi kapiteni spanjoll, para shokëve të tij dhe kapelanit të anijes, pati shqiptuar solemnisht formulën rituale për marrjen në zotërim «të gjithë tokave australe, deri në Polin e Jugut, në emër të së Shenjtnueshmes Trini dhe për nder të së Lumnueshmes Virgjër Mari, Nënës së Zotit”.

         Një dëshmi tjetër daton në vitin e parë të kolonisë penale, në vitin 1800, dhe jepet nga një gur varri i vendosur në varrezat anglikane të Parramatta në kujtim të Bridget Egan, mbi një kryq gdhendur në gur, me rruzaren që e mbështjell krejt kryqin.

         Në kohën e "Katakombeve", pra, kur katolicizmi nuk lejohej, nga viti 1808 deri më 1817, kur në koloni nuk kishte meshtar katolik dhe nga viti 1818 deri më 1820, kur i Shenjtnueshmi Sakrament ruhej pa prift, feja u mbajt gjallë nga lutja e përditshme e Rruzares në shtëpinë e njërit prej kolonëve. Pas mbërritjes së Át John Terry, në maj 1820, u ndërtua kisha e parë katolike në qendër të Sidneit dhe iu kushtua Zojës Ndihmë e të Krishterëve. Pas tij, erdhën benedektinët, karmelitanët e meshtarë dioqezanë anglezë e irlandezë. Kushtimi i kishave të para Zojës së Malit Karmel i detyrohet punës së karmelitanit Samuel Coote, ndërsa përkushtimi i skapolarit ngjyrë kafe i atribuohet klerit irlandez, pasi kjo praktikë ishte e përhapur në Irlandë.

         Kur u krijua një hierarki kishtare në Australi me dioqezat e Sidneit, Hobarth dhe Adelaide, më 1844, imzot Polding, i cili u bë kryeipeshkvi i parë metropolit i Sidneit, mblodhi Sinodin Provincial për t'u marrë me problemet e përbashkëta për çdo juridiksion dhe me dy ipeshkvijtë e tjerë e shpalli Marinë "Ndihmë e të krishterëve" pajtore të Provincës së re kishtare. Imzot Polding e përfshiu në litanitë lauretane lutjen për Zojën e Papërlyer tri vjet para shpalljes së dogmës. Kur dukja e Zojës në Lurdë e përforcoi atë, kapela e kisha të shumta në gjithë Australinë iu kushtuan Zojës së Papërlyer e Zojës së Lurdës, përveçse Zojës Ndihmëtare.

10 tetor 2024, 11:09