Çelësi i fjalëve të Kishës: shenjtërorja e Zojës në La Vang të Vietnamit
R.SH. – Vatikan
Në udhëtimin tonë nëpër shenjtëroret mariane të botës, sot do t’ju flasim për atë të Zojës së La Vangut, që konsiderohet shenjtërorja kombëtare e Vietnamit. Në ditën e festës së saj, më 15 gusht, në meshë marrin pjesë deri në 5 milionë besimtarë. E megjithatë, asnjë guidë turistike, fetare a laike, nuk flet për një fenomen kaq mahnitës në një vend ende komunist, pavarësisht se po bën hapa të vegjël drejt lirisë fetare.
Kompleksi i shenjtërores ngrihet në një fushë në Vietnamin qendror, zonë e paprekur ende nga zhvillimi i shpejtë ekonomik, që po e shndërron vendin. U ndërtua aty në kujtim të dukjes së Zojës me Krishtin në krah, rrethuar nga dy engjëj, më se dy shekuj më parë, në vitin 1798, në pyllin "Cây Lá Vằng" (Pemët e La Vang), në provincën e Quảng Trị (tani territor i kryedioqezës Huế). Një shtatore e Zojës me Foshnjën hyjnore, veshur me rroba tradicionale vietnameze, bie menjëherë në sy mbi një skulpturë prej guri dhe betoni në formë peme.
Persekutimi i të krishterëve vietnamezë
Në fund të shekullit XVIII, një dekret i perandorit Cảnh Thịnh e ndaloi katolicizmin në Vietnam, duke filluar persekutime të egra kundër besimtarëve, që fajësoheshin se kishin sjellë francezët në vend. Virgjëra Mari iu duk një grupi katolikësh vietnamezë, të cilët ishin strehuar në pyll, ku për shkak të kushteve të këqija, sëmureshin shpesh. Zoja i ngushëlloi dhe u siguroi fundin e persekutimeve, duke u treguar edhe një barishte (“La Vang”) si ilaç për sëmundjet. Edhe sot e kësaj dite, murgeshat që së bashku me famullitarin kujdesen për kompleksin, kanë kopshte ku kultivojnë barin e mrekullive.
Kulti i Zojës së La Vangut është i përhapur edhe ndër jo katolikët
Kulti i Zojës së La Vangut është i përhapur jo vetëm në mesin e katolikëve, por edhe ndërmjet besimtarëve të feve të tjera, përfshirë budistët dhe protestantët, të cilët i luten Virgjërës Mari për hire dhe shërime të veçanta.
Historia e La Vangut është e ndërthurur me atë të vendit dhe të Kishës së Vietnamit. Kisha e ndërtuar në vendin e dukjes së Virgjërës u shkatërrua gjatë periudhave të persekutimit (1830-1885). Në fund të shekullit XIX, u ndërtua një kapelë e re, së cilës Papa shenjt Gjoni XXIII i dha titullin e bazilikës së vogël (1961).
Ndërtimi i kishës së re ende s’ka përfunduar
Me luftën dhe ribashkimin e Vietnamit nën regjimin komunist, shenjtërorja lihej pas dore gjithnjë e më shumë, pasi autoritetet u përpoqën të frenonin devocionin e popullit dhe restaurimin e saj. Në vitin 1998, një tjetër Papë shenjt, Gjon Pali II, shprehu dëshirën për ta rindërtuar, me rastin e 200-vjetorit të dukjeve të Zojës. Por vetëm më 15 gusht 2012, pas rrënojave të shenjtërores së vjetër, ndërtuar në vitet ‘800, u vu guri i parë në themelet e kishës së re, e cila ende s'ka përfunduar.
Udha e kryqit e martirëve
Ndërkaq, kompleksi është pasuruar me kapela, vende pritjeje, një Udhë Kryqi dhe një panel gjigant kushtuar 117 martirëve vietnamezë, pikërisht ata që i shpalli të tillë Papa Gjon Pali II kur kërkoi rindërtimin e shenjtërores, me një letër dërguar kryeipeshkvit, i cili nuk pati mundësinë të vinte në ceremoninë e lumnimit të martirëve, pasi autoritetet komuniste nuk i dhanë pasaportën. Çdo ndalesë e Udhës së Kryqit shoqërohet me pamje dhe fraza të disa prej martirëve. Për shembull, kur Jezu Krishti takohet me Veronikën, që i fshin fytyrën me shaminë e saj, ndalesa shoqërohet me paraqitjen e martirit Thanh Phanxico Nguyen Van Trung, një ushtar 22-vjeçar, i vrarë për fenë. Fraza e marrë prej tij thotë: “Jam gati të luftoj dhe të vdes për atdheun tim, por mos më kërkoni të heq dorë nga feja ime e krishterë”.