Çelësi i fjalëve të Kishës: përshpirtëria mariane në Zelandën e Re
R.SH. – Vatikan
Zelanda e Re iu kushtua për herë të parë shën Marisë me titullin "Zoja e Ngjitur në Qiell" nga ipeshkvi Jean-Baptiste Pompallier kur kremtoi meshën e parë në Totara Point të Hokianga-s, më 13 janar 1838. Në një letër baritore për kushtimin e vendit Zojës së Bekuar, atë vit, ipeshkvijtë e Zelandës së Re shkruanin: “Imzot Pompallier e vendosi vendin tonë nën mbrojtjen e Marisë ashtu siç është ajo tani – e gjallë, trup e shpirt, duke u gëzuar në lumninë e mbretërisë së Zotit”.
Në festën e Zojës së Madhe, më 15 gusht 2021, të gjithë ipeshkvijtë e vendit u mblodhën në Wellington në një meshë për të rinovuar kushtimin e Zelandës së Re apo Aotearoa (tokë e resë së gjatë e të bardhë) siç quhet në gjuhën maori, Zojës. Pikërisht në Wellington ndodhet shenjtërorja kombëtare mariane, kushtuar Shën Marisë së Engjëjve, titull që i përshtatet ngjitjes së saj në qiell.
Si iu kushtua Zelanda e Re Zojës së Ngjitur në Qiell?
Kushtimi fillestar i Zelandës së Re Zojës së Ngjitur në Qiell ishte diçka, që kërkoi impenjim, bashkëpunim dhe përpjekje të jashtëzakonshme. Ipeshkvi i parë, imzot Jean-Baptiste Pompallier, ishte francez i lindur në një familje të pasur, me lidhje aristokratike. Ai ndoqi gjurmët e Marcellin Champagnat dhe maristëve të tjerë, që patën bërë premtimin e tyre solemn për të themeluar Shoqërinë e Marisë në shenjtëroren e Fourviere, në Francë.
Imzot Pompallier ishte tejet i dhënë pas punës misionare, prandaj pati shkuar në hemisferën jugore me një ekip të vogël etërish maristë dhe vëllezërish katekistë. Grupi u nis nga porti francez i Le Havre në prag të Krishtlindjes 1836. Por, gjatë udhëtimit për në jug, planet do t’u ndryshonin, pasi gjetën kufizime për të hyrë në Tahiti, ose në Tonga. Disa anëtarë të ekuipazhit të anijes me të cilën udhëtonin zbarkuan në ishujt Wallis dhe Futuna. Kështu, destinacioni përfundimtar i imzot Pompallier do të bëhej Sidnej, në Australi, ku mbërriti më 9 dhjetor 1837.
Thomas Poynton
Në këtë pikë, në historinë e rrugëtimit të ipeshkvit hyn Thomas Poynton, lindur në Irlandë, më 1803, në një epokë kur Ligji Penal anglez e bëri të pamundur për irlandezët të ruanin traditat, gjuhën dhe fenë e tyre. Poynton u arsimua në Francë. Ai u vendos në Hokianga të Zelandës së Re, më 1828. Fillimisht, hapi një dyqan, por më pas u mor me bujqësi dhe me bluarjen e lëndëve drusore.
Poynton u takua me të shoqen, Mary Kennedy, në Sidnej, pasi ajo ishte vajza e një irlandezi të dëbuar në Australi. Feja e çiftit ishte qendrore në jetën e tyre, prandaj, donin me çdo kusht të pagëzonin fëmijët, gjë e pamundur në atë kohë në Zelandën e Re, tokë e maorëve. Për këtë duhej të udhëtonin për në Sidnej. Ndërsa ndodhej në qytetin australian, Thomas u bëri kërkesë ipeshkvijve të Uellsit të Ri Jugor të dërgonin klerikë në Zelandën e Re.
Mesha e parë katolike në Zelandën e Re
Pasi kaloi disa kohë, u dërgua pikërisht imzot Pompallier, të cilin Poynton do ta mirëpriste në shtëpinë e tij. Me ardhjen e ipeshkvit, një numër vendasish u mblodhën në shtëpinë e Poynton, në Totara Point, për të kremtuar meshën e parë katolike në Zelandën e Re. Ishte gjatë këtij kremtimi që ipeshkvi ndieu shtytjen për t'ia kushtuar misionin e tij në Aotearoa, Shën Marisë me titullin e Zojës së Ngjitur në Qiell apo Zojës së Madhe, ndërsa vikariatin e tij të gjerë në Paqësor ia kushtoi Zojës së Papërlyer. Kjo meshë e parë u kremtua më 13 janar 1838.
Me të ardhur në Hokianga, misionarët mësuan gjuhën maori, zakonet dhe përshpirtërinë e vendit. Kisha e parë u hap në Papakawa, më 29 qershor 1838. Me ardhjen e një grupi të dytë maristësh, më 1839, imzot Pompallier u zhvendos në Kororāreka (Russell) në Gjirin e Ishujve. Fatkeqësisht, vendi u plaçkit më 1845, duke e bërë atë të papërshtatshme për punën e misionit Maori. Popullsia në rritje e Auckland-it do ta nxiste imzot Pompallier të zhvendosej atje në fund të vitit 1842.