Doktrina shoqërore e Kishës, sfidat e reja të shekullit XXI
R.SH. – Vatikan
Një kurs për të trajtuar temën e Doktrinës Shoqërore të Kishës me një perspektivë më ekonomike, sociale dhe civile. Dhe me një objektiv shumë të qartë: të shpjegohet se si kjo trashëgimi e madhe mund të ndikojë në ekonomi, politikë dhe punë. Sezoni i dytë i kursit të formimit të lartë online, me temë "Doktrina shoqërore e Kishës: sfidat e reja të shekullit XXI", fillon në nëntor të këtij viti dhe do të zgjasë deri në prill 2025, promovuar nga Shkolla e Ekonomisë Civile, Federcasse dhe Grupi “Lionello Bonfanti”, me koordinimin shkencor të profesorëve Luigino Bruni dhe Stefano Zamagni. Katër muaj leksione, gjatë të cilave ekonomistë dhe sociologë italianë do të vënë në dispozicion njohuritë e tyre për të trajtuar temën e krishterimit social nga një këndvështrim modern.
Kursi
“Profesor Zamagni dhe unë jemi koordinatorët, por kemi përfshirë rreth njëzet kolegë nga e gjithë Italia”, pohon për mediat e Vatikanit profesor Luigino Bruni, pedagog i Ekonomisë në Universitetin Lumsa të Romës, sipas të cilit nuk është thjesht “një përpjekje për ta aktualizuar, por për ta treguar këtë histori të madhe, që filloi mijëvjeçarë më parë dhe arrin deri më sot, duke vënë në dukje aspektet, që ndikojnë në punë, në krizën mjedisore e në luftëra”. Pas suksesit të vitit të kaluar, me pjesëmarrjen e 200 studentëve nga e gjithë Italia, përvoja u përsërit edhe këtë vit. Kursi është i hapur për të gjithë: mësues të fesë, profesorë, punonjës të zyrave të ndryshme të punës baritore shoqërore, por edhe famullitarë, besimtarë, studentë. “Takimi përfundon në selinë e Grupit “Lionello Bonfanti”, në Toskanë, me një ditë studimi së bashku me disa pedagogë dhe me paraqitjen e një teze përfundimtare”.
Sfidat e shekullit XXI
Bruni shpjegon gjithashtu se cilat janë sfidat e reja, me të cilat duhet të përballet Kisha në shekullin XXI: “Sfida kryesore është ajo ambientale: siç na kujton edhe Papa Françesku, qëndrueshmëria është çështje shumëpërmasore, nuk është vetëm problem energjish alternative apo reduktimi të dioksidit të karbonit, që sigurisht janë të rëndësishme. Por, qëndrueshmëria e ambientit fillon nga blerjet në supermarket, për të kaluar më pas në qëndrueshmërinë shoqërore. Sot, ndërmarrjet nuk vuajnë vetëm pse ndotin dhe duhet të ndryshojnë stilin e jetesës, ato vuajnë edhe nga konfliktet dhe organizimi i keq. Duhet të mësojmë sërish si të jetojmë bashkë në një botë të ndryshme nga ajo e prindërve tanë. Ekonomia sot është një laborator i madh ku mund të mësohet arti i marrëdhënieve njerëzore”.
Investim kulturor
Pastaj ka edhe sfida të tjera: “Varfëria, tema e lojërave të fatit, çështja e luftërave. Sfida të vjetra, por të përballura me një mënyrë të re. Objektivi është ta përshkojmë të sotmen me këmbë në të kaluarën dhe me kokë në të ardhmen, për të parë sfidat e traditës së madhe biblike”. Për këtë arsye, temat e trajtuara gjatë kursit do të jenë sfidat e reja teknologjike, ekonomia, themelet biblike, rrënjët dhe protagonistët e historisë, dokumentet. “Është një investim kulturor për të kuptuar pak më mirë kohën tonë, nga një këndvështrim, që është historia e madhe e krishterimit shoqëror”.