Famullitari i Gazës: faleminderit Papës për ndihmën. Këtu të gjithë kanë nevojë për gjithçka

Në një video, falënderimet e Át Romanelli-t dhe të shumë njerëzve të ndihmuar në famullinë e tij, të cilët morën mbi 60 mijë eurot e mbledhura nga kardinali Krajewski ndërmjet pjesëmarrësve në Sinod, edhe me kontributin e Lëmoshtarisë Apostolike

R.SH. – Vatikan

         Jo më larg se dje u njoftua se pjesëmarrësit në Sinodin e Ipeshkvijve mbi sinodalitetin, që vijon në Vatikan, mblodhën 32 mijë euro për famullinë e Gazës, ku strehohen katolikë, myslimanë e hebrenj, për të shpëtuar nga bombat e konfliktit izraelito-palestinez. Kësaj shume, Lëmoshtaria Apostolike i shtoi edhe 30 mijë euro të tjera, duke e rritur në 62 mijë, të cilat, sipas fjalëve të Lëmoshtarit papnor, kardinalit Konrad Krajewski do t’i dërgohen drejtpërdrejt kishës së Familjes Shenjte, në Gazë, ku shërben famullitari Át Gabriel Romanelli, të cilit Papa Françesku i telefon çdo ditë për të marrë vesh lajmet e fundit e për t’u shprehur të gjithëve afërsinë e tij, në këtë luftë, që po shkallëzohet edhe më shumë nga dita në ditë.

“Ndihmojmë mijëra familje”

         E falënderimi i famullitarit nuk vonoi. Në një video dërguar pikërisht kardinalit Krajewski, Át Romanelli shpreh mirënjohje për ndihmën e marrë, i rrethuar nga shumë fëmijë e nga të strehuarit në kishë që nga fillimi i raprezaljes izraelite.  

         “Duam t’ju ​​falënderojmë – thotë ai në video – jemi këtu me një përfaqësi të vogël të njerëzve, që ndodhen në kishën tonë të Familjes Shenjte, në Gazë. Duam të falënderojmë Papën Françesku dhe të gjithë etërit sinodalë për gjithçka bënë e për ndihmën që na keni dërguar përmes Lëmoshtarit, kardinalit Konrad Krajewski. Ju falenderojmë sinqerisht për lutjet, për afërsinë dhe për ndihmën tuaj konkrete. Ta dini se ndihma është derdhur në llogarinë e nunciaturës në Jerusalem, prandaj ju falënderojmë, të gjithë këtu ju përshëndesin, të gjithë kanë nevojë për gjithçka, këtu dhe jashtë. Ne ndihmojmë mijëra familje”.

09 tetor 2024, 10:45