Vangelo della XIX domenica 'B', Gesù e Giacomo e Giovanni, i figli di Zebedèo Vangelo della XIX domenica 'B', Gesù e Giacomo e Giovanni, i figli di Zebedèo

Fjala e Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit kishtar “B”

Jezusi e përmbys mënyrën e zakonshme të të menduarit, duke e treguar shërbimin si stil autoriteti në bashkësinë e krishterë. Jezusi na fton ta ndryshojmë mendësinë e të kalojmë nga lakmia për pushtet, në gëzimin që lind kur bëhesh i padukshëm dhe nis e shërben. Ai na fton ta shkulim me gjithë rrënjë instinktin e sundimit mbi të tjerët e të ushtrojmë virtytin e përvujtërisë.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri së bashku në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 29-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit “B”

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit “B”

Ungjilli i Markut na flet pёr ngjarjen ku Jakobi e Gjoni i kërkojnë Jezusit të kenë mundësinë të ulën në të djathtën e të majtën e tij. Në përgjigjjen e tij, Mësuesi Hyjnor u shpjegoi dishepujve se të mbretërosh do të thotë shërbesh. Jezusi na kujton kundërshtimin që ekziston ndërmjet dy logjikeve të papajtueshme: asaj të dhurimit të vetvetes dhe asaj të pushtetit.

Përvoja nga jeta e përditshme nuk e ka ‘stilin e pushtetit e të lavdisë’, siç na kujton përgjigjja e famshme e Krishtit në Ungjill mbi atë se si duhet të jetë marrëdhënia që duhet t’i lidhë mes tyre dishepujve dhe ithtarët e tij: “Mes jush nuk duhet të ndodhë kështu; por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të jetë shërbëtori juaj, dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet shërbëtor i të gjithëve”.

Sundimi e shërbimi, egoizmin e altruizmi, pasja e dhurimi, interesi e bujaria: këto logjika që janë thellësisht në kundërshtim njëra me tjetrën, konfrontohen në çdo kohë e në çdo vend. Nuk ka asnjë dyshim për udhën e shërbimit të zgjedhur nga Jezusi. Ai nuk përkufizohet vetëm duke u treguar atë me fjalë dishepujve të asaj kohe e të sotëm, por e jeton personalisht në trupin e vet.

Krishti, na kujton Ungjilli i kёsaj sё diele nga Marku, e merr lavdinë vetëm në saje të qenurit të tij shërbëtor, kështu ligështimi i Apostujve para ‘ëndrrës së lavdisë’ mund të jetë, siç na tregon Qirili i Aleksandrisë, “një nxitje për përvuajtёri”. Dhurimi i plotë i vetvetes që Krishti ofroi mbi kryq, duhet të jetë për ne themel, parim, nxitje dhe forcë për një fe që vepron në dashuri e bamirësi. Misioni ynё në Kishë e në shoqëri duhet të jetë përherë e vetëm ‘në Krishtin’, përgjigjja ndaj logjikës së tij e jo ndaj logjikës së botës, ndriçuar nga feja e frymëzuar nga dashuria që vijnë tek ne nga Kryqi i lavdishëm i Zotit

                                                        Liturgjia e Fjalës së Zotit 

Leximi i parë Is 53, 2.3.10-11

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Shërbëtori i Tij u rrit porsi pinjolli, porsi rrënja nga toka e thatë. Ishte i përbuzur, më i mbrami ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përbuzur, këndej as s’e çmonin për send! Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë me vuajtje. Nëse e jep jetën e vet fli shpërblyese, do të shohë një trashëgimi jetëgjatë, me anë të Tij do të kryhet vullneti i Zotit. Për shkak të vuajtjes së shpirtit të tij do ta shohë dritë e do të ngihet me njohjen e saj. Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t’i marrë. Fjala e Zotit.

Psalmi 33

Na e jep mëshirën tënde, o Zot, sepse në ty shpresojmë

----------

E drejtë është fjala e Zotit,

e të gjitha veprat e tija me besë.

E do drejtësinë e gjyqin,

plot është toka me mirësinë e Zotit.

----------

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,

mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

për t’i shpëtuar nga vdekja

e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

----------

Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,

sikurse ne shpresojmë në ty.

----------

 

Leximi i dytë nga Heb 4, 14-16

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, mbasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili i ka përshkuar qiejt, të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! Sepse nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit. T’i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur. Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 10, 35-45

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan Jezusit dhe i thanë: “Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.” “Çka dëshironi – u tha Jezusi – të bëj për ju?”

Ata i thanë: “Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.” Jezusi u përgjigj: “Nuk dini çka lypni. A jeni të zotët ta pini gotën që unë e pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?”

“Jemi të zotët!” – i përgjigjën ata. Jezusi vijoi: “Vërtet do ta pini gotën që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzim me të cilin unë pagëzohem. Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time – kjo nuk është në pushtetin tim ta jap – kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati.”

Kur e morën vesh dhjetë tjerët, u hidhëruan në Jakobin e në Gjonin. Prandaj Jezusi i thirri përreth dhe u tha: “Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e vet. Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve, sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.” Fjala e Zotit!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

E DIELA XXIX GJATË VITIT: KËSHTU VEÇ, NUK DUHET TË JETË NDËR JU!

(Is 53, 2.3.10-11; Ps 33 (32); Heb 4, 14-16; Mk 10, 35-45)

Në leximin e parë kemi dëgjuar disa fjalë që profeti Isai i thotë për Shërbëtorin e Hyjit. Ky Shërbëtor ishte ai të cilin Izraeli e priste si të dërguarin e Hyjit për shpëtimin e tij. Por, për këtë Shërbëtor, që për popullin do të ishte Shpëtimtari, Mesia, këtu thuhen disa fjalë që duket sikur më fort kanë lidhje me një dështak: «Ishte i përbuzur, më i mbrami ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai para të cilit mbulohet fytyra; këndej as s’e çmonin për send.»

Janë shprehje të cilat gjithnjë tradita e krishterë i ka parë si të realizuara fjalë për fjalë në Jezu Krishtin, Shërbëtorin e përvujtë të Hyjit. Edhe për vetë kohën kur ishin shkruar këto fjalë të Isaisë profet, ishte një revolucion i vërtetë e revolucioni qëndronte në faktin se Izraelit, i cili aso kohe e priste një Shpëtimtar, dikë që vuajtjes dhe padrejtësisë do t’i jepte fund, Hyji, “çuditërisht”, i paralajmëron se edhe vetë i dërguari i Tij do të vuante e do t’i pësonte padrejtësitë.

Por, pikërisht në atë mënyrë, Shërbëtori i Hyjit do të sillte shëlbimin: «Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t’i marrë.» Ky Shërbëtor i Hyjit do t’u mësojë atyre se si duhen përballuar si vuajtja, ashtu edhe padrejtësia. Këto fjalë të rëndësishme të Isaisë profet ishin përcjellë brez pas brezi në Izrael, por prapëseprapë nuk ishin kuptuar edhe aq nga masat e gjëra të besimtarëve. Në fakt, as apostujt e Jezusit duket sikur nuk i kishin kuptuar.

Ungjilli i sotëm na tregon se si shkuan te Jezusi dy prej apostujve dhe i kërkuan këtë hir: «Bëj që në lavdinë Tënde të rrijmë njëri në të djathtë e tjetri në të majtën Tënde.» Kujtonin se koha që Jezusi të shpallej si mbreti i Izraelit ishte tashmë fare e afërt dhe u përpoqën t’i dalin punës përpara.

Por nuk e kishin kuptuar ende zemrën e Jezusit. Prandaj Jezusi reagon menjëherë: «Nuk dini çka lypni». E në fakt nuk e dinin çka lypnin: kishin shkuar tek Shërbëtori i vërtetë i Hyjit për të kërkuar ndere, tituj e rehati, ndërkohë që për atë Shërbëtor, Shkrimi i Shenjtë kishte paralajmëruar se do të ishte «më i mbrami ndër njerëz, njeri dhimbjesh».

E nuk ishin vetëm këta të dy apostuj që e kishin keqkuptuar Krishtin, por edhe dhjetë të tjerët. Ungjilli thotë se, «kur e morën vesh dhjetë të tjerët, u hidhëruan në Jakobin e në Gjonin». Nuk thotë se «u kundërshtuan» për qëndrimin e tyre, por «u hidhëruan» në ta. Hidhërimi i tyre vinte nga fakti se ata të dy kishin dashur të dilnin mbi të tjerët. As këta, pra, nuk arrinin ta kuptonin se Mesia do të ishte «më i mbrami ndër njerëz».

Por përballë botës, pra, Jezusi do të duket një dështak, një «njeri dhimbjesh». Jezusi do të jetë Ai të cilin bota «nuk do ta çmonte as për send». Por pikërisht kështu, duke vuajtur, Ai do të na sillte shëlbimin. Prandaj leximi i dytë thotë: «Kemi një Kryeprift që ka dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit.»

Por, para se të vazhdojmë, duhet të bëjmë një parashtesë. Fakti se ne na duket e çuditshme kjo logjikë e Hyjit, i ka rrënjët tek përpjekjet e gjithmonshme të njeriut për ta zhdukur krejtësisht vuajtjen. Jo thjesht për ta zvogëluar atë (gjë që do të ishe e kuptueshme), por për ta zhdukur fare. Kjo do të thotë se njeriu edukohet me idenë se vuajtja është gjithnjë diçka e dëmshme e vetëm e dëmshme. Duke bërë kështu, atëherë lihet mënjanë edhe e gjithë vlera e sakrificës që dikush mund ta bëjë për dashuri të ndokujt (duke qenë se sakrificë dashka të thotë vuajtje) e, si pasojë nje

19 tetor 2024, 11:00