Kërko

Festivali i Deepaval-it në Malajzi Festivali i Deepaval-it në Malajzi

Hinduistë e të krishterë, të promovojnë harmoninë në larmi

Mesazh i Dikasterit vatikanas për Dialogun Ndërfetar për festën e Deepvalit: fetë kanë "potencialin e jashtëzakonshëm" për të krijuar kushte të favorshme për bashkëjetesë paqësore në shoqëri

R.SH. – Vatikan

 Hinduistët dhe të krishterët të promovojnë harmoninë në larmi dhe pavarësisht nga dallimet, për t'iu kundërvënë "fundamentalizmit fetar, ekstremizmit, fanatizmit, racizmit dhe hipernacionalizmit", të cilat "në anë të ndryshme të botës, janë shembuj ideologjish, që shkatërrojnë harmoninë dhe krijojnë dyshime”, paragjykime, mosbesim, urrejtje dhe frikë ndërmjet njerëzve, duke i penguar ata të krijojnë lidhje, që mbështesin vëllazërimin njerëzor dhe miqësinë shoqërore”. Këtë deklaron Dikasteri vatikanas për Dialogun Ndërfetar në mesazhin tradicional për bashkësinë hinduiste në mbarë botën, që feston Deepavali-n, "festën e dritave", më 31 tetor të këtij viti. Në mesazhin e nënshkruar nga kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot, prefekt i Dikasterit, si edhe nga sekretari, imzot Indunil Janakaratne Kodithuëakku Kankanamalage, vihet theksi mbi larminë, kuptuar si pasuri, por që, për fat të keq, në botën e sotme. shihet si pretekst për konflikte.

Larmia refuzohet

“Qytetet dhe kombet tona po bëhen gjithnjë e më heterogjene”, thuhet në mesazh, “njerëz të kulturave, feve, etnive, gjuhëve dhe ideologjive të ndryshme jetojnë krah për krah, sepse kështu duan, ose rastësisht. Larmia shihet nga shumë njerëz si burim i madh zhvillimi, mësimi dhe pasurimi të ndërsjellë. Nga ana tjetër, në disa anë të botës, ajo refuzohet, sepse shihet si kërcënim i mundshëm për harmoninë, që mund të çojë edhe në konflikt.

Krijimi i harmonisë

Prandaj, Dikasteri reflekton mbi mënyrën se si të krishterët dhe hinduistët mund të promovojnë harmoninë në larmi, pavarësisht nga dallimet. "Qeniet njerëzore – theksohet në mesazh - kanë pasur gjithmonë vështirësi të jetojnë në harmoni. Në fakt, kjo ka ndodhur sa herë që ka pasur ndryshime e dallime ndërmjet popujve, të cilat, nganjëherë, kanë kaluar në rezistencë pak a shumë armiqësore". Por këto ndryshime i nxisin “përpjekjet për të krijuar harmoni", pasi vetëm ajo u jep “të gjithëve mundësi për përparim dhe integrim shoqëror". “Në planin hyjnor, ndryshimet dhe dallimet nuk janë kërcënim për ekzistencën e ndokujt, por dhuratë për bashkëjetesë në harmoni. Ato janë mozaikë të një ndërtese shumëformëshe, në të cilën mund të bashkëjetojnë qeniet njerëzore të çdo ngjyre, besojme dhe kulture”, larg nga ideologjitë, që favorizojnë përjashtimin, diskriminimin dhe konformizmin.

"Potenciali i jashtëzakonshëm" i feve

"Është më e nevojshme më shumë se kurrë - nënvizohet më tej - të rizbulojmë planin hyjnor për njerëzimin dhe të ushqejmë në bashkësitë, qytetet dhe vendet tona frymën e vëllazërimit, që i bashkon të gjithë si bij të Zotit dhe si vëllezër e motra. Në këtë mënyrë, do të jemi të aftë të ndërtojmë ura dhe të mposhtim çdo formë vështirësie dhe disharmonie morale, ekonomike dhe sociale”. Mesazhi kërkon një përpjekje kolektive, sepse "të gjithë duhet të punojnë për të zhdukur stereotipet, për të nxitur ndjeshmërinë dhe respektin për të tjerët”, edhe kur janë të ndryshëm. Fetë, përfundon mesazhi, kanë "potencialin e jashtëzakonshëm" për të krijuar "kushte të favorshme për harmoninë në shoqëri, të gjithë udhëheqësit fetarë kanë detyrën e shenjtë t’i inkurajojnë ndjekësit e tyre që të luftojnë për harmoni".

25 tetor 2024, 10:29